Jep dorëheqje Shpend Ahmeti

Aktuale March 08, 2018 - 08:29

Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti ka dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat në lëvizjen “Vetëvendosje”.

Një vendim të tillë Ahmeti e ka marrë të mërkurën në mbrëmje pasi gjatë ditës asamblistët e partisë së tij nuk ia votuan raportin financiar të Komunës për periudhën janar - dhjetor 2017, shkruan "Zëri".

Në letrën e dorëheqjes së tij Ahmeti mes tjerash ka shkruar se në shtatë vjetët e fundit është angazhuar në lëvizjen “Vetëvendosje”.

“Së bashku kemi arritur suksese të jashtëzakonshme dhe kemi luftuar procese të dëmshme bashkë me qytetarët e Kosovës. Duke qëndruar të bashkuar arritëm t’i bindim 200 mijë qytetarë se ndryshimi është i nevojshëm dhe i mundshëm.  Solidariteti, programi dhe gatishmëria për të sakrifikuar çdo gjë për kauzën dhe për njëri-tjetrin ishin shtyllat më të fuqishme të aktivizimit politik të LVV-së”, ka shkruar ai.

Ai ka shtuar se muajt e fundit ka vëzhguar një debat me dëme të pariparueshme për lëvizjen “Vetëvendosje”, të cilin as armiqtë më të mëdhenj të LVV-së e të shtetit nuk do të mundnin as ta dizajnonin e as ta imagjinonin.

“Ende sot nuk po mund të besoj se ky debat ka ndodhur në mes të njerëzve që deri dje kanë qenë të gatshëm të vdesin për njëri-tjetrin”.

Sikurse çdo njeri dhe çdo organizatë, sipas Ahmetit, kanë bërë gabime, por janë bërë edhe më të fortë nga gabimet.

“Thjesht, arsyeja pse kemi hyrë dhe kemi qëndruar në ‘Vetëvendosje’ ka qenë se ‘Vetëvendosjen’ e kemi parë si mjetin me të fortë dhe më të mundshëm për ta larguar një klasë politike të korruptuar që ia ka humbur dinjitetin vendit e qytetarit. Ia ka vlejtur të durohet gjithçka për ta bërë këtë të mundshme. Por, nuk kam hyrë në ‘Vetëvendosje’ për të luftuar me njëri-tjetrin brenda organizatës, duke forcuar kështu klasën e tejkaluar politike. Javëve të fundit kam kuptuar shumë gjëra për organizatën, të cilat nuk i kam ditur më parë. Këto gjëra nuk janë diskutuar me mua, mirëpo kjo nuk është arsyeja e vendimit tim. Motivi i vendimit tim sot është se arsyeja për të cilën unë kam hyrë në LVV nuk është më. Mospajtimet kanë dëmtuar frymën, besimin dhe rrjedhimisht edhe kauzën”.

I pari i Prishtinës ka bërë të ditur se është munduar personalisht të luajë një rol ndërmjetësuesi për tejkalimin e problemeve, por shpejt e ka kuptuar që dallimet ishin tepër të thella. 

“Kam shkuar në mbledhjet e fundit të Këshillit dhe kam marrë pjesë në procesin zgjedhor gjithmonë me shpresë se do të mundë të tejkalohen dallimet. Por ja që kjo ishte e pamundur. Kjo nuk do të thotë se Albini, Visari e Dardani e krejt të tjerët nuk kane të drejtë në mendimin e tyre.  Sigurisht se ata do të luftojnë për të vërtetën e tyre.  Secilit i dëshiroj sukses në ndjekjen e qëllimeve të veta, në qoftë se i kanë të mira”. 

Ai ka shtuar se asamblistëve të LVV-së nuk u kërkon të bëjnë asnjë gjë karshi vendimit të tij.

“Për mua janë të njëjtit sido që të vendosin. Qytetarët e Prishtinës i siguroj se e ardhmja ime politike është e lidhur më shumë se kurrë me kryeqytetin. Jam i vetëdijshëm se ndoshta mund ta kemi më vështirë në Kuvendin Komunal, por qëndrimet dhe bindjet janë më të rëndësishme se komoditeti. Unë mbetem i njëjti, besnik ndaj vetvetes dhe qytetarëve të Prishtinës. Nuk pendohem për edhe asnjë ditë në LVV dhe nuk do të fajësoj askënd për të kaluarën. E mbaj përgjegjësinë time që më takon për krejt situatën e krijuar. Të gjithë miqve u uroj sukses në realizimin e qëllimeve në qoftë se janë në përputhje me idealin që e kemi pasur së bashku. Prej sot jap dorëheqje nga të gjitha pozitat në lëvizjen ‘Vetëvendosje’”, ka përfunduar Ahmeti letrën e dorëheqjes. /ZËRI/