Skenarët e komplikuar për Demarkacionin

Aktuale March 08, 2018 - 07:49

Partnerët e koalicionit qeverisës shpresojnë se nesër apo më së largu gjatë javës së ardhshme do të kalojë Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi. Shpresat për ta miratuar Marrëveshjen i kanë te votat e Listës Serbe dhe të disa deputetëve të lëvizjes “Vetëvendosje”. Analistët politikë thonë se këta dy skenarë janë të komplikuar, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Pavarësisht se ende nuk i ka siguruar votat e mjaftueshme, koalicioni qeverisës mbetet optimist se Marrëveshja e Demarkacionit do të përmbyllet këtë javë, më saktësisht ditën e premte (nesër).

Megjithatë, ata nuk kanë përjashtuar mundësinë që vazhdimi i seancës për Demarkacionin të mbahet edhe javën që vjen.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se kjo çështje do të përmbyllet më së largu javën tjetër.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri Fatmir Limaj ka thënë përZërinse koalicioni është duke punuar që ta arrijë një konsensus të gjerë politik në mënyrë që t’i japë epilog Marrëveshjes së Vjenës.

Përfaqësuesit e këtij koalicioni më tutje kanë bërë të ditur se janë në diskutime me palët e tjera që nuk po e mbështesin këtë marrëveshje, duke përfshirë këtu edhe Listën Serbe.

Nga ana tjetër, përderisa ditë më parë ka pasur deklarata nga drejtues të koalicionit qeverisës se ka deputetë të lëvizjes “Vetëvendosje” që do ta votojnë Demarkacionin, deputetët e kësaj partie kanë theksuar se nuk kanë ndërruar qëndrim.

Haradinaj: Po t’i kishim votat sot do ta thërritnim seancën

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pranuar se koalicioni qeverisës nuk i ka votat e mjaftueshme për ta ratifikuar Demarkacionin.

Megjithatë, ai është shprehur optimist se kjo marrëveshje do të kalojë në fund të kësaj jave ose më së largu gjatë javës së ardhshme.

“Jemi në diskutim për ditën e seancës dhe në diskutime të brendshme për t’u bashkuar votat. Nuk është një proces i lehtë. Besoj që jemi në përgatitjet finale. Mund të jetë në fund të kësaj jave ose eventualisht në fillim të javës tjetër, por nuk do të shtyhet më shumë”, ka deklaruar ai gjatë ditës së djeshme.

Ndërkohë, ka bërë të ditur se koalicioni është duke diskutuar edhe me përfaqësuesit e Listës Serbe që ta mbështesë këtë marrëveshje.

“Jemi në komunikim edhe me Listën Serbe, por edhe me deputetë të tjerë të partive shqiptare e me komunitetet, por ende nuk është definitive 2/3-at. Për atë jemi duke punuar që t’i kemi 2/3-at. Sikur t’i kishim të garantuara 2/3-at sot do ta thërritnim seancën”, ka shtuar ai.

Limaj: Asnjë subjekt nuk ka vendosur kushte për Demarkacionin

Ndërkaq zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, është shprehur optimist se brenda kësaj jave do të përmbyllet çështja e demarkacionit, megjithëse nuk e ka përjashtuar edhe javën tjetër.

“Që nga java e kaluar ne kemi bërë përpjekje që të përmbyllet Demarkacioni këtë javë. Ka mundësi që Marrëveshja të shkojë edhe të premten dhe shpresoj që deri të premten të jemi të gatshëm për ta votuar. Por, ajo që unë them është që nuk ka kohë që kjo çështje të shtyhet shumë për faktin që nuk duhet ta humbin hapin drejt liberalizimit dhe perspektivave të tjera”, ka deklaruar Limaj në një bisedë për gazetën “Zëri”.

Ai më tej ka thënë se në këtë drejtim është duke u punuar për një konsensus të gjerë politik.

“Siç e dini ju, kemi punuar shumë këta muaj për ta pasur një konsensus sa më të gjerë me të gjitha forcat politike. Javën e kaluar ka qenë një lajm i mirë për vendin që Nisma, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja pothuajse kanë arritur konsensus për të shkuar drejt votimit të Demarkacionit”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, sa i përket Listës Serbe Limaj ka thënë se asnjë parti politike nuk ka vendosur kushte për ta mbështetur Marrëveshjen.

“Nuk ka asnjë grup politik që ka vendosur kushte. Së paku jo aty ku kam qenë unë dhe nuk kam dëgjuar që ndonjëri prej grupeve politike ka vendosur kushte dhe unë pres që Demarkacioni të votohet. Të ngutemi sepse nuk kemi shumë kohë dhe duhet që sa më shpejt kjo çështje të përmbyllet”, ka nënvizuar numri dy i Qeverisë së Kosovës.

Deliu: Diskutimet janë duke vazhduar, presim këtë javë të ketë seancë

Nga ana tjetër, edhe deputetja e PDK-së Blerta Deliu-Kodra ka bërë të ditur se diskutimet janë duke vazhduar sa i përket ratifikimit të Demarkacionit.

“Diskutimet janë duke vazhduar dhe po presim që në afatet e caktuara të kemi një seancë këtë javë. Do të ishte e mirëseardhur që këtë javë ta përmbyllim Marrëveshjen e Kufirit me Malin e Zi”, ka theksuar ajo. 

Në anën tjetër, Rasim Alija nga organizata joqeveritare “D4D” ka vlerësuar se nuk do të ketë seancë për Demarkacionin derisa koalicioni qeverisës t’i sigurojë votat e mjaftueshme për ta kaluar këtë marrëveshje.

“Nuk do të ketë seancë tjetër të Kuvendit pa u siguruar votat për ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit. I gjithë epilogu është i diktuar nga votat e Listës Serbe dhe rreshtimi i ndonjë deputeti të pjesës së dorëhequr nga LVV-ja pro Marrëveshjes së Demarkacionit. Të dy skenarët janë të komplikuar, por jo të pamundshëm”, ka deklaruar ai.

Mirëpo sipas Alijës me votimin e Demarkacionit nga Lista Serbe nuk përjashtohet mundësia që ky subjekt të përfitojë në të tjera drejtime.

Murati: Mund të ketë figura nga LVV-ja që do ta mbështesin Demarkacionin

Kurse Artan Murati, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka vlerësuar se çështja e demarkacionit është duke u zvarritur pasi që koalicioni ka mungesë të votave. Ai nuk ka përjashtuar mundësinë që edhe deputetë të “Vetëvendosjes” ta votojnë këtë Marrëveshje.

“Tash si duket ka një përafrim mes subjekteve që janë në koalicion dhe LDK-së. Megjithatë, duhen edhe disa vota të Listës serbe dhe të “Vetëvendosjes”. Unë mendoj që LVV-ja nuk do ta votojë, por eksponentë brenda LVV-së ndoshta edhe mund të binden, pasi që tash e dimë që është një çarje mes LVV-së dhe mund të ketë rrjedhje të votave për Demarkacionin”, ka deklaruar ai.

Mirëpo, sipas Muratit, gjasat nuk janë të mëdha që të ketë një konsensus të gjerë politik sa i përket Marrëveshjes për Shënimin e Kufirit.

Deputetët e LVV-së thonë se mbeten prapa qëndrimit që kishin

Mirëpo të kontaktuar nga gazeta “Zëri”, deputetët e “grupit të pakënaqur” në lëvizjen “Vetëvendosje” kanë bërë të ditur se vazhdojnë të mbeten prapa qëndrimit që kanë pasur sa i përket Marrëveshjes së Demarkacionit.

Fisnik Ismaili ka thënë për gazetën se qëndrimi i tij do të mbetet i njëjtë, meqë edhe Marrëveshja, siç ai është shprehur, vazhdon të mbetet e njëjtë siç ishte.

“Nuk kam folur me askënd për këtë punë. Qëndrimi mbetet i njëjtë. Meqë nuk ka ndryshuar Marrëveshja, as qëndrimi s’ka ndryshuar”, ka deklaruar Ismaili.

Ndërkohë, i pyetur nëse kanë pasur takime me përfaqësuesit e koalicionit qeverisës, deputeti tjetër i kësaj partie, Daradan Molliqaj, ka thënë se nuk është duke dhënë deklarime publike meqë partia është duke u marrë me problemet e brendshme. 

Edhe deputetët e tjerë të LVV-së (të “Krahut të Kurtit”) tashmë kanë bërë të ditur se nuk do ta votojnë këtë marrëveshje.