Hoti paralajmëron zgjedhje të reja: Koalicioni është shpërbërë

Aktuale March 06, 2018 - 19:14

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbledhur Këshillin e Ekspertëve në përbërje prej 80 vetave. Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Avdullah Hoti, ka thënë se këtë veprim e kanë bërë për të përgatitur platformën e re qeverisëse.

“Ne shpejt përballemi me zgjedhje të reja sepse koalicioni është i shpërbërë. Kemi filluar konsultimet për të bërë gati platformën e re. Në ditët e ardhme do të jemi në terren për të takuar struktura, qytetarët dhe të tjerë që do të kulmojë me një platformë të re qeverisëse me anë të së cilës do të kërkojmë mbështetjen”, ka thënë Hoti për Klan Kosova.

“LDK tash e një kohë është partia e parë në vend dhe kemi përgjegjësi për zhvillimet politike në vend”, është shprehur ai.

Hoti ka thënë se Këshilli i Ekspertëve nga fusha të ndryshme është kategori statusore, pra organ i LDK-së që funksionon prej tetë vjetësh.

Ai ka thënë se ky organizim nuk lidhet me zgjedhjet e brendshme të partisë.

“Për zgjedhje të brendshme jo se jo që bëhet fjalë, sepse LDK ka kohë që s’ka qenë më unike. Është krijuar një kohezion i jashtëzakonshëm i Grupit Parlamentar”, ka theksuar Hoti.

Ai ka treguar në Info Magazine se shpejt ata do të thërrasin edhe Forumin e ish deputetëve të LDK-së për të marrë përvojën e tyre prej periudhave të ndryshme.

Dhe në fund, Hoti ka thënë se kryetari i partisë, Isa Mustafa, shumë shpejt pritet të kthehet në vend, pa dhënë ndonjë datë të saktë.