Zbulohet mozaiku gjigant i figurës së Adem Jasharit me 200 mijë gëzhoja plumbash

Aktuale March 06, 2018 - 08:46

Në ditën e parë të manifestimit “Epopeja e UÇK-së”, e cila i kushtohet luftës së lavdishme të komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë më 5, 6 dhe 7 mars 1998 në Prekaz, nga krerët e shtetit ka bërë homazhe vetëm presidenti i vendit Hashim Thaçi, që sërish ka anashkaluar Kullën e Jasharëve, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Një mozaik gjigant i figurës së ikonës së luftës së UÇK-së Adem Jashari, i cili është punuar me 200 mijë gëzhoja plumbash, është zbuluar në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz në ditën e parë të manifestimeve tradicionale “Epopeja e UÇK-së”, që i kushtohet luftës së lavdishme të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë.

Ideator i këtij mozaiku gjigant është 27-vjeçari nga fshati Nekovc i komunës së Drenasit, Besart Gashi, shkruan tutje "Zëri".

Me këtë krijim artisti Besart Gashi ka synuar të njihet edhe jashtë Kosovës e synimi i tij shkon deri tek libri i famshëm Guinness, në të cilin pritet që ky i fundit ta thyejë rekordin me mozaikun që e ka formatin 5 me 5 ose 25 metra katrorë.

Fillimisht Gashi ka bërë punime nga druri, me të cilat është i njohur deri më tani, por vitin e kaluar ka ndërtuar një mozaik mjaft të veçantë me materialin e rrallë, gëzhojat e plumbave.

LEXO EDHE: Pacolli: Demarkacioni përmbyllet këtë javë

Në këtë mënyrë, sikurse punimet e tjera, mozaiku i tij ka përmbajtje nacionale, zakonisht ka gdhendur e ka skalitur fytyrat e heronjve kosovarë, për ta vazhduar traditën e tij me figurën e Adem Jasharit, komandantit legjendar, të cilin vitin e kaluar e krijoi me anë të 5 mijë gëzhojave, për ta shumëfishuar sivjet me 200 mijë gëzhoja plumbash.

Mozaikun e ka zbuluar kryetari i Skenderajt Bekim Jashari, i cili përgëzoi të gjithë qytetarët e Drenicës, por edhe të Kosovës për këtë vepër.

Ndërkaq autori Besart Gashi tha se në botë deri më tani nuk është krijuar një vepër e tillë, të paktën jo me materialin që ai ka përdorur, gëzhojat e plumbave.

Mozaiku që nga 5 marsi e deri më 7 mars do të qëndrojë në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, ndërsa pas 7 marsit ende nuk është vendosur se çka do të ndodhë më të.

Autori i këtij mozaiku, Besart Gashi, ka përsëritur se mozaiku është 25 metra katrorë dhe është punuar nga 200 mijë gëzhoja fishekësh.

Madhështor mozaikun e ka quajtur kryetari i Komunës së Skenderajt Bekim Jashari, i cili tha se kjo vepër tregon dashurinë që qytetarët kanë për komandantin Adem Jashari.

Mozaiku që portretizon fytyrën e komandantit Adem Jashari pas datës 7 mars nuk dihet se ku do të vendoset. Madje as kryetari Jashari tha se nuk e di se ku do të qëndrojë pas kësaj date.

Në anën tjetër, që nga orët e para të mëngjesit, të hënën, kompleksin memorial në Prekaz e kanë vizituar shumë qytetarët nga të gjitha trojet shqiptare. Për shumicën prej tyre 5 marsi i vitit 1998 ishte dita kur u bë kthesë e madhe në historinë e popullit shqiptar të Kosovës, por që pati ndikim edhe në trojet e tjera me shqiptarë, të cilët u bënë Zot në trojet e tyre pavarësisht se në cilin shtet jetojnë.

Remzi Mejdini nga Tetova, i cili kishte ardhur me familje për t’i nderuar Jasharët në 20-vjetorin e luftës së lavdishme, tha se komandantit legjendar Adem Jashari ia ka “parë hairin gjithë shqiptaria”.

“Lë që është çliruar Kosova, por u çliruam edhe ne në Maqedoni e besa edhe Lugina e Preshevës ka marrë një formë të mëvetësisë. E gjithë kjo falë luftës dhe sakrificës së kësaj familjeje të madhe”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, nga krerët e shtetit vetëm presidenti i vendit Hashim Thaçi ka bërë homazhe në Prekaz në ditën e parë të Epopesë.

Thaçi shoqërohej në Prekaz nga një numër shumë i vogël i njerëzve të kabinetit të tij, ndërsa menjëherë pasi ka bërë homazhe dhe ka vendosur lule te varri i komandantit Adem Jashari është larguar nga Prekazi.

Edhe kësaj radhe presidenti Hashim Thaçi as që ka hedhur shikimin nga Kulla e Jasharëve, në të cilën shkonte pothuajse për çdo javë para se ta merrte qeverisjen me vendin në vitin 2007. Edhe të hënën u hetua se në mes të presidentit të vendit Hashim Thaçi dhe familjes së komandantit Adem Jashari ka një hendek të madh.

Pas homazheve Thaçi tha se sot shënohen dy dekada nga rënia heroike e komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij.

“Jemi sot këtu për nderime institucionale e shtetërore, për të vazhduar me manifestime të tjera. Nderimi për rënien heroike, por edhe në të njëjtën kohë të përkushtimit tonë për nderimin dhe fuqizimin e shtetit tonë të pavarur dhe sovran. Një shtet modern i orientimit euroatlantik, i bazuar dhe i ndërtuar mbi vlerat e luftës çlirimtare të asaj lufte, ku bën pjesë pothuajse një popullatë e tërë. Në këtë 20-vjetor të rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari duhet ndier krenar çdo qytetar për rrugëtimin që kemi pasur, me besim të plotë dhe me optimizëm për të ardhmen tonë”, ka thënë Thaçi.

Ndryshe, dy komunat e Drenicës, Skenderaj dhe Drenasi, në ditën e parë të manifestimeve “Epopeja e UÇK-së” kanë mbajtur seanca solemne të kuvendeve komunale, në të cilat kryetarët Bekim Jashari, përkatësisht Ramiz Lladrovci, kanë folur për figurat e ndritura të luftës së UÇK-së, për veprën sublime të komandantin legjendar Adem Jashari dhe të gjithë atyre ata që ranë për lirinë e Kosovës. 

Kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci bashkë me bashkëpunëtorë mori pjesë edhe në zbulimin e mozaikut gjigant të figurës së Adem Jasharit në kompleksin memorial në Prekaz.