Digjet e autobusi që vinte nga Gjermania, ministria kërkon kontrolle të rrepta

Aktuale March 04, 2018 - 15:12

Ministria e Diasporës dhe e Investimeve Strategjike ka shprehur keqardhje për lajmin për aksidentin, nga i cili është përfshirë në flakë autobusi i një kompanie turistike që ka bërë transportin e 29 pjesëtarëve të diasporës nga Gjermania për në Kosovë.

Nga informatat e para që ka marrë kjo ministri, ky aksident ka përfunduar pa fatalitete, që është një lajm i mirë.

LEXO EDHE: Digjet autobusi me mërgimtarë nga Kosova, ka të lënduar

“Ekipi im në Ministri është në kontakt dhe monitorim të vazhdueshëm të gjendjes dhe do të reagojmë nëse paraqitet nevoja”, ka thënë ministri i Diasporës, Dardan Gashi.

Ministria thotë se kjo nuk është hera e parë që autobusë me bashkatdhetarë janë të involvuar në aksidente ku, si pasojë, rrezikohet jeta e udhëtarëve.

“Kërkojmë nga institucionet relevante dhe Policia e Kosovës që të jenë më rigorozë gjatë kontrollimit dhe certifikimit të kompanive që posedojnë automjete për bartjen e udhëtarëve në distanca më të largëta”, ka thënë MDIS.

Në fund, ministria u ka uruar të lënduarve rikuperim të shpejtë.

Ndërkaq, sipas raportimeve mediale, thuhet se aksidenti ka ndodhur në kufirin Kroaci-Serbi, derisa një autobus i një agjencie turistike nga Kosova është përfshirë nga flakët. Mësohet po ashtu se të gjithë udhëtarët kanë kaluar natën në ambientet e Kryqit të Kuq në Kroaci./Telegrafi/