EQAR flet për “Zërin”, tregon arsyen se pse AKA-ja është përjashtuar nga ky Regjistër

Aktuale March 03, 2018 - 16:46

Në një përgjigje ekskluzive për “Zëri.info”, Regjistri Evropian për Cilësi të Arsimit të Lartë (EQAR) ka sqaruar se Agjencia Kosovare e Akreditimit (AKA) është larguar nga ky Regjistër për arsye se AKA nuk është në gjendje të veprojë në mënyrë autonome, raporton “Zëri.info”.

“Ne konkluduam se, si pasojë e shkarkimit të agjencisë (nga MASHT), agjencia nuk është më në gjendje të "veprojë në mënyrë autonome" dhe nuk është më në pozitë të marrë "përgjegjësi të plotë për detyrat e saj", që është një nga standardet tona për regjistrim (standardi ESG 3.3)”, thuhet në përgjigjen e EQAR për “Zëri.info”.

Sipas tyre, një agjenci përjashtohet nga ky Regjistër nëse ajo nuk i përmbushë standardet e regjistrimit fillestar. Po ashtu, EQAR ka bërë të ditur se AKA-ja ka të drejtë të ankohet brenda 90 ditëve.

 

“Sipas procedurave tona, një agjenci përjashtohet nga Regjistri nëse ajo nuk i përmbush më standardet e regjistrimit fillestar. Agjencia ka të drejtë të ankohet brenda 90 ditëve”, thuhet tutje në përgjigjen e EQAR.

Ndërkaq, gjatë ditës së djeshme në një përgjigje për Gazetën “Zëri”, zyrtarë nga Qeveria e Kosovës kanë deklaruar se MASHT-i ka qenë ai i cili ka dorëzuar listën e përbërjes së re të kësaj Agjencie, ndërsa kryeministri e ka miratuar këtë listë.

“MASHT-i ka dërguar në Qeverinë e Kosovës propozim-vendimin për miratimin e listës së anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë Kosovare të Akreditimit”, ka thënë Donjeta Gashi, zyrtare për informim në Qeveri.

Në lidhje me këtë edhe në përgjigje e EQAR, është përmendur kjo ndërhyrje politike ku si pasojë këta të fundit nuk kanë mundur të gjejnë një arsye të veçantë se pse është shkelur pavarësia e AKA-së.

“Bordi i AKA-së u shkarkua nga Ministri në shtator 2017, por Komiteti i Regjistrimit nuk mund të gjente arsye të veçanta pse do ta bënin këtë shkarkim – duke u  shkelur pavarësia e AKA - të arsyeshëm dhe absolutisht të nevojshëm për të mbrojtur vlerat ose parimet e tjera thelbësore” kanë sqaruar tutje zyrtarë nga ky Regjistër. /Zëri/