Beqaj për Demarkacionin: Çdo skenar është i mundshëm

Aktuale March 03, 2018 - 11:35

Politologu Belul Beqaj, duke komentuar zhvillimet e fundit lidhur me Demarkacionin, ka vlerësuar se pas dështimit të tretë për ta ratifikuar këtë marrëveshje dhe pas përplasjeve të fundit mes AAK-së e LDK-së rreth demarkacionit, çdo skenar është i mundur.

“Përvoja e deritanishme me këtë pushtet është dëshmi se asgjë nuk është e qëndrueshme dhe e sigurt, pos pasigurisë dhe paqëndrueshmërisë. Prandaj, çdo skenar është i mundur përpos atij që rrezikon interesat e pushtetarëve”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Pas arritjes së konsensusit mes LDK-së dhe AAK-së, kjo e fundit ka akuzuar LDK-në për shtrembërim të marrëveshjes së arritur. Mirëpo, ani pse politikanët vazhdojnë të zotohen se pas ratifikimit të demarkacionit qytetarët do të lëvizin pa viza, Beqaj thotë se edhe po të ratifikohet kjo marrëveshje, do të hapen tema të tjera problematike, pasi që sipas tij, nuk mundet që liberalizimi i vizave të jetë alternativ për politikën e dështuar brenda Kosovës.

“Politikbërësit duhet të dhënë përgjegjësi për këtë gjendje. Po krijohet përshtypja manipuluese se me liberalizimin e vizave do t’i zgjidhim problemet me resursin kryesor të Kosovës, rininë. Jo, shteti duhet të krijojë kushte, hapësirë, për rininë në Kosovë, e jo largimin nga Kosova, të identfikojnë me shpëtim.

Së dyti, përçarja e krijuar mes qytetarëve që mendojnë se nuk duhet për të dhënë ‘tokë për viza’ dhe atyre që pavarësisht nga gjendja reale duhet të ratifikohet demarkacioni, në të ardhmen, mund të shërbejë si instrument manipulimi dhe homogjenizimi për ‘kauzën’ e ‘tradhtuar’ që mund të shkaktojë probleme edhe më të mëdha se sa ratifikimi i demarkacionit”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, koalicioni qeverisës ka deshtuar tri herë radhazi që ta ratifikojë këtë marrëveshje. Vazhdimi i seancës për miratimin e demarkacionit pritet të mbahet gjatë javës që vjen./Zeri