Duda Balje flet për “marrëveshjen” e Haradinajt me Listën Serbe

Aktuale March 03, 2018 - 10:38

Raportimi se kryeministri i Republikës, Ramush Haradinaj dhe Lista Srpska, janë pajtuar që të votohet ratifikimi i demarkacionit me kushtin që të formohet komuna e Gorës po del të jetë krejtësisht i pavërtetë.

Kështu të paktën ka konfirmuar për “Indeksonline”, deputetja boshnjake nga grupi 6+, Duda Balje.

Ajo ka zhvilluar një takim me shefin e ekzekutivit kosovar ku ky i fundit ia ka sqaruar se s’ka kurrfarë kompromisi ndërmjet qeverisë dhe Srpska-s që të ketë ndonjë konkretizim rreth kësaj ideje.

Megjithatë, Balje theksoi se edhe nëse Gora bëhet komunë, nuk do të lejojnë asnjëherë që të jetë ‘nën ombrellën’ e serbëve, përkatësisht Asociacionit me Shumicë Serbe.

“Haradinaj s’ka qit kësi kushti, s’di qysh ka dal në media. Mendojë se nuk është e drejtë. Pra, edhe nëse formohet komuna duhet të respektoj ligjet e Kosovës e jo të tjerëve”, ka thënë ajo.

Ndryshe, Gora e cila gjendet afër kufirit më Shqipëri ka tri lloje të nacionaliteteve; shqiptarët, goran dhe boshnjakë.