Politika po shkatërron agjencitë e pavarura

Aktuale March 03, 2018 - 08:01

Agjencia Kosovare e Akreditimit ditë më parë është larguar nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR). Arsyetimi i EQAR-it ka qenë që kjo agjenci është shkarkuar për arsyen se ka pasur ndikim nga politika në lidhje me emërimet dhe shkarkimet, pavarësisht se kjo agjenci duhet të ishte e pavarur, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Këtë gjë për “Zërin” e kanë konfirmuar edhe zyrtarë nga Agjencia Kosovare e Akreditimit. Sipas tyre, arsyeja pse kjo agjenci është larguar nga kjo organizatë ka qenë cenimi i pavarësisë në rastin kur shkarkohet bordi i saj. Zyrtarë në Qeverinë e Kosovës kanë pranuar se emërimet e reja në Bordin e kësaj agjencie janë bërë me propozim të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ndërsa kryeministri i ka miratuar këto emërime duke i proceduar kështu për votim në Kuvendin e Kosovës, gjë e cila nuk ka ndodhur. Po ashtu njëjtë mendojnë edhe zyrtarë në Komisionin për Arsim në Kuvendin e Kosovës, të cilët kanë konfirmuar se njëri ndër shkaqet e këtij përjashtimi ka qenë ndërhyrja e politikës në emërimet e kësaj agjencie. Po ashtu ata kanë bërë të ditur se janë duke punuar dhe shpresojnë që AKA-ja të rikthehet në listën e kësaj organizate.

Në anën tjetër MASHT-i nuk ka kthyer ndonjë përgjigje konkrete, mirëpo zyrtarë të lartë në këtë ministri kanë shfrytëzuar rrjetet sociale për ta “kërcënuar” Qeverinë që nëse shkarkohet ministri i Arsimit atëherë do të bjerë edhe Qeveria. Situatën e kanë komentuar edhe ekspertë të Arsimit, si dhe profesorë universitarë. Sipas tyre, ky përjashtim ka rrezikuar edhe bashkëpunimin në mes universiteteve, qofshin ato publike apo private në Kosovë me Universitetet Evropiane, si dhe me programet e tyre që aplikohen në këtu.

AKA: Jemi përjashtuar për shkak të cenimit të pavarësisë

Zyrtarë nga Agjencia Kosovare e Akreditimit në një prononcim dhënë për gazetën “Zëri” kanë sqaruar se ky vendim është marrë për arsye të cenimit të pavarësisë, duke u bazuar në shkarkimin e këtij Bordi nga MASHT-i. “Në vendimin e publikuar nga EQAR-i arsyeja për largimin e AKA-së nga kjo organizatë theksohet se është cenimi i pavarësisë së AKA-së për të funksionuar si agjenci e pavarur në përputhje me standardin 3.3 të Standardeve dhe Udhëzuesve Evropianë të Sigurimit të Cilësisë (ESG). Ky konstatim ka ardhur si rezultat i vendimit të ministrit të MASHT-it për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC) dhe u.d. i drejtorit të AKA-së në shtator të vitit 2017”, thuhet në përgjigjen e kthyer nga AKA-ja. Sipas tyre, vlefshmëria e anëtarësimit të AKA-së në këtë organizatë ishte deri në vitin 2019, por që kjo ka përfunduar në momentin kur ministri i MASHT-it ka shkarkuar bordin e kësaj agjencie. “Periudha e anëtarësimit të AKA-së kishte vlefshmëri deri në vitin 2019 dhe se vendimi për përjashtim do të jetë efektiv nga data e shkarkimit të Bordit dhe u.d. të drejtorit të AKA-së, përkatësisht nga muaji shtator 2017”, kanë shtuar zyrtar nga kjo agjenci.

Qeveria: Kryeministri ka miratuar listën e përbërjes së kësaj agjencie

Zyrtarë nga Qeveria e Kosovës për gazetën “Zëri” kanë deklaruar se MASHT-i ka qenë ai i cili ka dorëzuar listën e përbërjes së re të kësaj Agjencie, ndërsa kryeministri e ka miratuar këtë listë. “MASHT-i ka dërguar në Qeverinë e Kosovës propozim-vendimin për miratimin e listës së anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë Kosovare të Akreditimit”, ka thënë Donjeta Gashi, zyrtare për informim në Qeveri. Po ashtu ajo ka thënë se kryeministri e ka miratuar këtë vendim dhe e ka dërguar për procedim në Kuvend, ku ky i fundit duhet ta miratonte dhe kështu ka kërkuar sqarim nga komisionet parlamentare për atë se përse ky vendim nuk është miratuar ende. “Vetëm një javë më pas kryeministri i vendit ka marrë vendim për zgjedhjen e këtij Këshilli me mandat për 5 vjet (Vendimi nr. 17/19 i datës 15.12.2017).  Dhe më datën 18 dhjetor 2017 ky vendim është proceduar në Kuvendin e Kosovës për miratim. Duhet të drejtoheni te komisionet parlamentare në Kuvend për sqarime se pse ky vendim nuk është miratuar deri më tash”, ka thënë ajo.

Kurteshi: Ndërhyrjet politike, shkak i këtij përjashtimi

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sport , Inovacion dhe Ndërmarrësi, Ismajl Kurteshi, për “Zërin” ka deklaruar se ndërhyrjet politike në këtë agjenci kanë ndikuar në shkarkimin e saj nga EQAR-i. “Ndërhyrjet politike në këtë Agjenci lidhen edhe me përjashtimin. Janë dhënë tre muaj kohë ku mund të korrigjohet dhe të bëhet diçka në lidhje me këtë gjë. Do të ishte shumë mirë që vendi jonë të mos e pësojë një goditje të tillë, e cila do të ishte shumë e dëmshme për arsimin në Kosovë”, ka thënë Kurteshi. Sipas tij, ky komision ka reaguar menjëherë duke thirrur në mbledhje ministrin e MASHT-it e i cili pavarësisht pranimit të ftesës nuk ka ardhur, duke bërë që kjo mbledhje të dështojë. “Në mbledhje ka qenë i ftuar edhe ministri, e ka konfirmuar ardhjen dhe pastaj mbrëmë vonë ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në mbledhje. Kanë ardhur një pjesë e anëtarëve të komisionit, por ne kemi pasur vetëm atë pikë të rendit të ditës, kështu që mbledhja nuk është mbajtur për shkak të ministrit”, ka thënë ai.

Gashi: Po u prek ministri Qeveria bie

Gjatë ditës së djeshme gazeta “Zëri” ka provuar të kontaktojë me zyrtarë nga MASHT-i, të cilët nuk kanë pranuar të flasin më shumë në lidhje me këtë temë, përveç asaj që e kanë thënë në komunikatën e lëshuar për medie.

Valmir Gashi, këshilltar në këtë ministri, na ka drejtuar t’i referohemi komunikatës për medie, duke mos shtuar asgjë më shumë, mirëpo ka qenë po ai i cili gjatë ditës ia ka bërë një deklaratë “kërcënuese” Qeverisë së Kosovës. “Partia e Fatmir Limajt tashmë e ka bërë të qartë: po u prek ministri Qeveria bie!”, ka shkruar Gashi në rrjetin e tij social “Facebook”.

Kosova mund t’i humbasë bashkëpunimet me universitetet evropiane

Eksperti i Arsimit, Dukagjin Pupovci, për gazetën “Zëri” ka thënë se përjashtimi i AKA-së nga EQAR-i e rrezikon rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit në Hapësirën Evropiane të Arsimit. “Përjashtimi i AKA-së nga EQAR-i pa dyshim vështirëson rrugën e Kosovës drejt integrimit në të ashtuquajturën Hapësirë Evropiane të Arsimit të Lartë. Me këtë vendim Agjencia e Akreditimit është cilësuar si “joautonome” në marrjen e vendimeve, që po i bie se vepron nën ndikimin e politikës”, ka thënë Pupovci. Sipas tij, institucionet e Kosovës duhet të heqin dorë nga ndërhyrjet politike në punën e agjencive të pavarura.  “Institucionet e Kosovës duhet të bëjnë çmos që AKA-ja të rikthehet në EQAR, duke hequr dorë përfundimisht nga ndërhyrjet politike në punën e agjencive të pavarura”, ka shtuar ai.

I të njëjtit mendim me Pupovcin është edhe profesori universitar Rrahman Paçarizi. Sipas tij, institucionet duhet të tregohen serioze dhe në këto agjenci të emërojnë njerëz kredibilë, por jo të afërt me subjekte politike. “Ministria e Arsimit duhet të tregohet mjaft serioze që të emërojë anëtarë të rinj më të autoritetshëm në Agjencinë Kosovare të Akreditimit, ndoshta edhe ndërkombëtarë si Këshilli Britanik apo Ambasada Britanike”, ka thënë Paçarizi.