KOMF: Fëmijët kërkojnë lëmoshë rrugëve në acar, institucionet heshtin

Aktuale March 02, 2018 - 14:05


Fëmijët në situatë rruge të cilët punojnë apo kërkojnë lëmoshë janë të ekspozuar ndaj formave të shkeljes së të drejtave të fëmijës, përfshirë: neglizhimin, keqtrajtimin, abuzimin fizik dhe emocional, e në disa raste mungesën e regjistrimit, mungesën e qasjes në arsim. Fëmijët u ekspozohen një sërë rreziqesh për shëndetin dhe jetën e tyre.

Këtu nuk bëjnë përjashtim as fëmijët dhe foshnjat e ekspozuara në temperatura të ulëta.

Fëmijët kërkojnë lëmoshë edhe gjatë orëve të vona të natës, duke e vënë veten përballë rrezikut të shfrytëzimit seksual dhe/ose trafikimit.

“Bazuar në matjet e Indeksit, në lidhje me veprimet për të mbrojtur dhe siguruar kujdesin për fëmijët që punojnë në rrugë, Kosova ka arritur 0.158 nga totali i mundsëm prej 1.0. Ky rezultat deri më tani përbën rezultatin më të ulët që Kosova ka arritur në mesin e të gjitha fushave të tjera të matura nga Indeksi për Mbrojtjen e Fëmijës 2.0.

Në bazë të këtyre rezultateve kuptojmë se Kosova si shtet nuk po e trajton çështjen e fëmijëve që punojnë në rrugë dhe në të njëjtën kohë nuk po ndërmerr iniciativa për të mbrojtur fëmijët.

Sa i përket fëmijëve që punojnë në rrugë apo kërkojnë lëmoshë, legjislacioni në fuqi nuk përcakton ndonjë shërbim të veçantë që shteti duhet të ofrojë për fëmijët që punojnë në rrugë; duke përfshirë qendrat e kujdesit ditor, strehimoret, shërbimet mobile si dhe shërbimet e rehabilitimit dhe reintegrimit. Nuk ka standarde financiare të caktuara për të adresuar këto shërbime të veçanta. Rezultati tregon se ka një qasje të kufizuar nga institucionet relevante për t’u ofruar mbrojtje fëmijëve. Themelimi dhe zhvillimi i shërbimeve bazë është një masë e menjëhershme që qeveria dhe komunat duhet të ndërmarrin. Gjithashtu, fuqimisht rekomandohet që Kosova të përfshijë standardet financiare në kuadër të kornizës ligjore për të siguruar buxhetin dhe zbatimin e shërbimeve të mbrojtjes së fëmijëve që punojnë në rrugë.

Eshtë e rëndësishme që së pari të krijohen ekipe mobile për identifikimin e  fëmijëve në mënyrë që pastaj  të ofrohen shërbime, si dhe të krijohen plane individuale për secilin prej tyre.

Kosova ka bërë përpjekje lidhur me krijimin e një sistemi koordinues për fëmijët që punojnë punë të rënda. Komiteti Kombëtar i Kosovës për Parandalimin dhe Eleminimin e Punës së Fëmijëve është një organ koordinues në nivel qendror dhe punon për të koordinuar me Komitetet Lokale  që gjenden në të gjitha komunat. Por, komitetet lokale aktualisht nuk janë funksionale. Për këtë arsye rekomandohet fuqizimi i komiteteve lokale që mundësojnë që së bashku të hartojnë politikat për veprimet përkatëse.

Bazuar në rezultatet e ulëta të Kosovës në lidhje me mbrojtjen e fëmijëve që punojnë në rrugë, del një rekomandim i përgjithshëm dhe i menjëhershëm për të ndërhyrë dhe përmirësuar këtë gjendje. Kosova duhet të krijojë një Grant Specifik për Shërbimet Sociale për komunat dhe QPS-të për të krijuar shërbime, për t’i zgjeruar ato si dhe për të përmirësuar kapacitetet për ofrimin e shërbimeve cilësore për fëmijë”, thuhet në reagimin e KOMF.