'Haradinaj, përgjegjësi kryesor për përjashtimin e Agjencisë së Akreditimit'

Aktuale March 02, 2018 - 13:27

Përjashtimi i Agjencisë së Kosovës për Akreditimit (AKA) nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR), ka ngjallur reagime të shumta.

Deputetët të Kuvendit të Kosovës, thonë se përgjegjësi kryesor për përjashtimin e kësaj agjencie është kryeministri Haradinaj.

Një ndër vendimet e para që ka marrë qeveria e drejtuar nga kryeministri Haradinaj ka qenë edhe shkarkim i Bordit të AKA-së, e që sipas vendimit të EQAR-së, ky vendim ka qenë njëri nga arsyet e përjashtimit, pasi është vlerësuar ndërhyrja e politikës në këtë institucion.

Deputeti i grupit parlamentar të LDK-së, Ilir Deda ka thënë se ky institucion ka qenë njëri nga institucionet që është krenuar Kosova. Sipas tij, përgjegjësi kryesor i përjashtimit është kryeministri Haradinaj.

“Agjencia  për Akreditim ka qenë njëri nga institucionet që Kosova është krenuar, sepse ka qenë para vendeve tjera në Ballkan dhe ka pasur përparime edhe ndaj disa  vendeve anëtare  të BE-së. Përgjegjës kryesor për përjashtimin e Kosovës është kryeministri”, ka thënë Deda në një konferencë për media të premten, transmeton lajmi.net.

Vjosa Osmani tha se përjashtimi i Agjencisë Kosovare të Akreditimit prek dy aspekte, atë të cilësisë në arsim dhe agjendën evropiane.

LDK tashmë ka iniciuar thirrjen e një seance për të diskutuar për këtë çështje edhe në Kuvend.