Vuçiq: E ardhmja mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë pa probleme

Aktuale March 02, 2018 - 12:19

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq çështjen e Kosovës po e shfrytëzon edhe për fushatën e zgjedhjeve që do të mbahen të dielën në Serbi.

Në TV Pink gjatë natës së mbrëmshme presidenti serb deklaroi se e ardhmja e Kosovës dhe e Serbisë duhet të jetë pa probleme.

Vuçiq thotë se dëshiron që në të ardhmen “fëmijët serbë të jetojnë pa probleme”.

“Jam i interesuar për atë që do ta lë pas, prandaj jam i përkushtuar në zgjidhjen e problemeve me Kosovën. Megjithëse e di që serbët nuk duan të bëjmë diçka fshehur, mendoj se nuk duhet t’i lëmë fëmijët tonë në telashe”, tha presidenti serb, transmeton lajmi.net.

Këto deklarata vijnë pas takimit që Vuçiq pati në Bullgari me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Gjatë kësaj jave në Bruksel gjithashtu vazhdoi edhe dialogu teknik ndërmjet dy vendeve, ku u diskutua për marrëveshjet që nuk janë zbatuar.

Ndryshe sipas Strategjisë për Zgjerim të BE-së, Kosova dhe Serbia sa më shpejtë që është e mundur duhet të nënshkruajnë një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.