PDK-ja paralajmëron reformë të thellë brenda saj

Aktuale March 02, 2018 - 08:25

Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ka marrë vendim që procesin e brendshëm zgjedhor ta nisë në javët në vijim, ndërsa Konventa në të cilën do të zgjidhen strukturat udhëheqëse do të mbahet në fund të vitit, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Zëvendëskryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, në një konferencë për medie pas mbledhjes së Kryesisë së kësaj partie ka thënë se kanë vendosur që në vitin 2018 t’i mbajnë zgjedhjet.

“Në mbledhjen e Kryesisë së PDK-së kemi folur gjatë për dokumente të caktuara politike dhe strategjike, që do të duhej t’i shërbejnë këtij procesi zgjedhor, për një program dhe një platformë të re, e cila do të ketë risi dhe zhvillime të reja. Për një platformë e cila pas të dekadave të themelimit të PDK-së do të duhej ta japë një kornizë të mendimit dhe të veprimit politik se si PDK-ja e sheh Kosovën, shtetin, shoqërinë, ekonominë, rininë dhe cilat ndryshime duhet të ndodhin”, është shprehur Hoxhaj.

Më tej ai ka thënë se në këtë mbledhje është debatuar gjatë edhe për statutin e partisë dhe për ndryshimet që duhet të bëhen në të. Hoxhaj ka thënë se do të bëhet një reformë e thellë, shkruan tutje 'Zëri'. 

“Zgjedhjet e reja në PDK nënkuptojnë një hapje të mirëfilltë të PDK-së edhe në nivelin lokal, edhe në atë qendror, një hapje të mirëfilltë të PDK-së ndaj shoqërisë, ndaj të gjitha moshave e gjinive. Reforma do të jetë e madhe dhe e thellë. Dhe PDK-ja do të rikonfirmohet si një forcë e mirëfilltë, si një parti e mirëfilltë e shpresës dhe e besimit, siç kemi qenë në këto 20 vjet, ka shtuar numri dy i PDK-së.

Hoxhaj më tej ka thënë se PDK-ja është parti me gjeografi nacionale dhe se do të angazhohet që në të gjitha strukturat të ketë reformë. Sipas tij, kjo parti do të angazhohet për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Kemi folur për atë se cila duhet të jetë Kosova në dekadën e dytë të shtetësisë.

Demarkacioni, ushtria, dialogu me Serbinë dhe bërja e Kosovës shtet anëtar i OKB-së janë disa nga aspektet që duhet t’i kryejmë”, ka thënë Hoxhaj.

Përndryshe, Partia Demokratike e Kosovës është themeluar në vitin 1999, ndërsa për plot 17 vjet është drejtuar nga Hashim Thaçi. Që nga maji i vitit 2016 drejtimin e PDK-së e mori Kadri Veseli.

Në zgjedhjet e vitit 2007 PDK-ja u konfirmua si partia më e madhe në vend, ndërsa këtë epitet e humbi në zgjedhjet e qershorit të vitit 2017, kur garoi në koalicion me AAK-në e me Nismën. Për nga numri i deputetëve në Kuvend PDK-ja aktualisht është partia e tretë në vend, pas “Vetëvendosjes” dhe LDK-së.