Serbia tërbohet pas vendimit ndaj pjesëtarëve të UÇK-së

Aktuale March 01, 2018 - 11:56
Ja për çfarë vendimi bëhet fjalë

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka konfirmuar se Interpoli i ka hequr nga fletarrestet e kuqe komandantët e UÇK-së të cilët Serbia i akuzon për krime lufte.

MPB-ja serbe ka njoftuar se lidhur me këtë ka parashtruar ankesë në Komitetin Ekzekutiv të INTERPOL-it.

“Në koordinim me institucionet tjera, menjëherë pas njoftimit se nga sistemi i Interpolit janë fshirë më shumë fletarreste për krime lufte, kemi parashtruar ankesë për shkak të këtij akti”, kanë thënë nga MUP-i për gazetën “Novosti”, transmeton "Express".

Në ankesën serbe, shkruan gazeta, me përpikëri janë cekur të gjitha shkeljet e së drejtës materiale dhe rregullave që e definojnë punën e Interpolit, me përfundimin se kjo organizatë ka marrë vendim të paligjshëm.

“Kjo është precedent në punën e kësaj organizate. Presim që Komiteti Ekzekutiv në mbledhjen e parë të ardhshme, brenda pak ditëve, ta pranojë ankesën tonë dhe që vendimi i disa individëve nga shërbimi juridik i Interpolit urgjentisht të ndryshohet, ashtu që të gjitha fletarrestet e fshira do të kthehen në sistemin e Interpolit”, thonë nga MUP-i.

Sipas gazetës beogradase, ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë hequr nga feltarrestet e kuqe duke anashkaluar komisionet kompetente të organizatës.

Ministri i Brendshëm i Kosovës Flamur Sefaj të martën njoftoi se ka marrë konfirmim nga Interpoli se kjo organizatë i ka pezulluar fletarrestet për ish-anëtarët e UÇK-së, të cilët Serbia i akuzon për krime lufte.

 “Vendkalimet ndërkombëtare kufitare në të ardhshmen edhe zyrtarisht do të jenë të hapura për Ramush Haradinajn, por edhe për bashkëluftëtarët e tij të afërt nga ditët terroriste – Hashim Thaçin, Azem Sylën, Shujkri Bujën, Lirim Jakupin...”, shkruan “Novosti”.