Juncker: Demarkacioni, i pashmangshëm për vizat

Aktuale March 01, 2018 - 07:49

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, ka theksuar dje në Prishtinë se miratimi i Demarkacionit me Malin e Zi është një hap kyç, i pashmangshëm dhe i rëndësishëm për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian. Ai po ashtu ka kërkuar të thellohen më shumë përpjekjet për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Kosova duhet sa më parë t’i përmbushë obligimet që ka për ta përfituar liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian.

Këto komente i ka bërë dje, gjatë vizitës së tij zyrtare në Prishtinë, presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker gjatë takimit me presidentin e vendit Hashim Thaçin, me ç’rast u  ka bërë thirrje liderëve politikë ta votojnë Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi.

“Është esenciale që Kuvendi ta votojë Demarkacionin me Malin e Zi. Ky është një hap kyç, i pashmangshëm dhe i rëndësishëm për liberalizimin e vizave. Shqiptarët dhe serbët do të jenë përfituesit e parë”, tha Juncker, shkruan tutje "Zëri".

I pari i Komisionit Evropian po ashtu ka deklaruar se përpjekjet për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të thellohen edhe më shumë.
Juncker gjatë vizitës së tij në Kosovë ka qenë i shoqëruar edhe nga përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini dhe komisionari për Zgjerim, Johannes Hahn.

Ata zhvilluan takim me liderët politikë në Kosovë, përkatësisht me presidentin Hashim Thaçi, kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli dhe me kryeministrin Ramush Haradinaj.

Juncker tha se nuk i vjen mirë që qytetarët e Kosovës nuk mund të lëvizin lirshëm në vendet e Bashkimit Evropian.

“Nuk më kënaq fakti që kosovarët janë të vetmit në rajon që nuk mund të udhëtojnë lirshëm”, tha ai.

Presidenti i Komisionit Evropian theksoi gjithashtu se dëshiron që raportet mes Prishtinës dhe Beogradit të normalizohen përmes dialogut dhe marrëveshjes.

Kurse presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha se prezenca e liderëve evropianë në Kosovë është dëshmi e qartë e përkushtimit të BE-së për Kosovën dhe për Ballkanin Perëndimor.

Presidenti Thaçi tha se Kosova e ka të qartë rrugën e saj drejt BE-së.

“Lidhur me perspektiven tonë evropiane ne nuk jemi duke kërkuar ndonjë rrugë të shkurtër, mirëpo vetëm presim trajtim të barabartë dhe qartësi në rrugën tonë përpara, sepse jam i bindur se kjo do të rezultojë me stabilitet e me paqe, si dhe me bashkëpunim në të gjithë rajonin tonë”, tha Thaçi.

Sa i përket dialogut politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Thaçi tha se është një proces i vështirë, por rrugë e vetme për t'u dhënë fund konflikteve.

Thaçi është zotuar para liderëve evropianë se Kosova dhe institucionet e saja nuk do t'i ndalin përpjekjen në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian pasdite kanë mbajtur edhe një takim në ambientet e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, ku kanë marrë pjesë studentë, gazetarë, politikanë, afaristë, si dhe përfaqësues nga organizatat joqeveritare.

Shefja e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, tha në këtë takim se vendet e rajonit do të lëvizin bashkë drejt Bashkimit Evropian ose askush nuk do të shkojë në atë drejtim.

“Dialogu është njëra prej mënyrave ku zgjidhjet mund të gjenden. Normaliteti mund të arrihet dhe më pas kredibilteti dhe konsistenca (e shteteve) e udhëtimit drejt BE-së do të konsolidohet”, tha Mogherini, duke shtuar se pa zgjidhjen e problemeve mes shteteve nuk mund të ketë integrim.

Delegacioni i Bashkimit Evropian po zhvillon një seri diplomatike në rajon nisur nga Tirana, Shkupi, Beogradi, Podgorica dhe tani Prishtina.

Zyrtarët e lartë të BE-së janë duke ua prezantuar vendeve të Ballkanit Perëndimor strategjinë më të re të BE-së për zgjerim, e cila implikon pikërisht këto vende duke ua përshkruar rrugën deri tek integrimi, e cila kalon përmes përmbushjes së kritereve të domosdoshme evropiane.