Alternativa e deputetëve: Liberalizim apo izolim!

Aktuale February 28, 2018 - 14:20

Kosova është shteti i vetëm në Ballkan pa liberalizim të vizave me Bashkimin Evropian(BE) për shkak të mosratifikimit të demarkacionin me Malin e Zi, si dhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, raporton portali "Zëri.info". 

Kushti i parë i BE-së, ratifikimi i demarkacionit, do të mund të plotësohej sot poqese deputetët e Kuvendit të Kosovës e votojnë një marrëveshje të tillë për t’i hapur rrugë edhe përmbushjes së kriterit të dytë dhe në fund liberalizimit të vizave.

Kjo do t’i mundësonte edhe kosovarëve lëvizjen e lirë drejt BE-së, njëjtë siç lëvizin që disa vite të gjithë qytetarët e rajonit.

Poashtu njëherë e përgjithmonë do të zhdukeshin radhët e qytetarëve kosovarë që presin para Ambasadave të shteteve të ndryshme të BE-së për t’u pajisur me një vizë Shchengen, të cilët përpos maltretimeve në grumbullimin e dokumentacionit të nevojshëm deri më tani kanë shpenzuar miliona euro për pajisje me viza të tilla.

Problemet e tilla të qytetarëve nuk i kanë edhe deputetët e Kosovës, të cilët pas pak çastesh do të mund të vendosin nëse do të ketë liberalizim apo izolim për qytetarët e vendit, pasi që, shumica nga ta dhe familjarët e tyre posedojnë pasaporta të Republikës së Shqipërisë, apo edhe të shteteve tjera, me të cilat mund të lëvizin lirshëm në BE.

Një kërkesë të tillë për ta votuar demarkacionin dje e ka bërë edhe i pari i Amerikës në Kosovës, ambasadori Greg Delawie dhe shefja e Zyrës së BE-së, Natalyia Apostolova, raporton portali “Zëri.info”.

Të dy këto diplomatë kanë përsëritur se deputetët e Kosovës e kanë përgjegjësinë kryesore nëse qytetarët e vendit do të lëvizin pa viza në BE, apo të mbesin të izoluar edhe për vite me radhë.

Prandaj, qytetarët e Kosovës presin sot një lajm të mirë nga Kuvendi, sidomos në ditën kur Kosovën po e vizitojnë tre zyrtarët më të lartë të BE-së: Presidenti i Komisionit Evropian, Jean- Claude Junker, përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, si dhe komisionari, Johanes Hahn. /Zëri/