Hoxha: Liberalizimi, gjashtë muaj pas ratifikimit të Demarkacionit

Aktuale February 28, 2018 - 07:38

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, në një intervistë për gazetën “Zëri” ka thënë se pret që liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës të bëhet gjashtë muaj pas ratifikimit të Demarkacionit me Malin e Zi, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Hoxha shpreson që partitë politike e kanë kuptuar seriozitetin e përmbushjes së detyrimeve ndërkombëtare dhe se do ta votojnë Marrëveshjen e Vjenës në mënyrë që Kosova ta fitojë liberalizimin e vizave.

Gjatë kësaj interviste për “Zërin” ajo po ashtu ka thënë se Kosova ka bërë hapa pozitivë në kriterin tjetër për liberalizimi e vizave e që është luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Madje, sipas ministres Hoxha, Kosova ka lëvizur për 10 vende në të mirë në luftimin e krimit dhe se në Ballkan jemi të dytët në renditje nga shtetet aspiruese për anëtarësim në Bashkimin Evropian, shkran tutje "Zëri". 

LEXO EDHE: Seancë pa vota të sigurta

“Ne nuk mund të japim afat konkret se kur do të mund të udhëtojnë qytetarët lirshëm në Zonën e Shengenit, pasi që e gjithë procedura legjislative varet nga mekanizmat e brendshëm të institucioneve të BE-së. Sidoqoftë, çfarë mund themi është që pritjet e Ministrisë së Integrimit Evropian janë që e gjithë kjo procedurë të mos zgjasë më shumë se 6 muaj nga data e ratifikimit të Marrëveshjes së Demarkacionit. Një afat i tillë kohor është realist, pasi që është aplikuar në rastin konkret të liberalizimit të vizave në të kaluarën me vende të treta”, ka thënë ministrja Hoxha.

Më tej, në këtë intervistë ministrja e Integrimit Evropian ka thënë se shtyrja e ratifikimit të Demarkacionit e dërgon Kosovën në zonën larg fokusit aktual të Bashkimit Evropian dhe procesit integrues, pasi viti tjetër, siç thotë ajo, është vit i zgjedhjeve në BE dhe Kosova nuk do ta ketë vëmendjen e duhur të institucioneve të saj.

“Nëse nuk e ratifikojmë tani sigurisht se nuk mund ta shohim ndonjë përparim në vitin tjetër. Uroj që kjo të mos ngjajë për qytetarët tanë, sepse vihet në dilemë edhe viti i dytë pas këtij viti”, ka shtuar Hoxha.

Kurse sa i përket aplikimit të Kosovës për ta marrë Statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, Hoxha ka thënë se shpreson që bëhet këtë vit.

Zëri: Zonja Ministre, javët e fundit janë bërë disa hapa drejt zgjidhjes së problemit të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. A prisni të ratifikohet Marrëveshja në seancën e së mërkurës?

Hoxha: Gjithsesi, pas arritjes së konsensusit pres që Demarkacioni të ratifikohet dhe të hapet rruga për lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë. Interesi i qytetarëve është i definuar qartë, lëvizja e lirë dhe prosperiteti me vlerat integruese euroatlantike. Mungesa e unitetit nuk duhet ta dëmtojë mirëqenien e qytetarëve.

Opozita ta mbajë anën e qytetarit

Zëri: A keni informata se a janë siguruar votat e nevojshme për ratifikimin e Demarkacionit?

Hoxha: Kam shpresë se të gjitha partitë tashmë e kanë kuptuar seriozitetin e përmbushjes së detyrimeve ndërkombëtare. Konsideroj se partitë opozitare do ta mbajnë anën e qytetarit. Besimi i ndërsjellë me partnerët tanë nuk duhet lejuar të lëkundet e as të humbet.

Zëri: Përveç ratifikimit të Demarkacionit, kusht tjetër për liberalizimin e vizave dihet se është edhe luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit. Sa është punuar në përmbushjen e këtij kushti? Cilat janë rezultatet konkrete?

Hoxha: Reforma në drejtësi, ligjet që lidhen me luftimin e krimit dhe të korrupsionit, si dhe ndëshkimi i tyre, ligjet e lidhura me gjyqësor, me ekzekutimin e sanksioneve, me procedurat si dhe me ndëshkimin përbëjnë kapitull pozitiv. Po ashtu Kosova ka lëvizur për 10 vende në të mirë sa i takon luftimit të krimit dhe sigurisht në Ballkan jemi të dytët në renditje nga shtetet aspiruese në BE. Luftimi i krimit të organizuar dhe i korrupsionit duhet të ketë progres të vazhdueshëm, por sipas raporteve të fundit tashmë është evident progresi.

Zëri: Pas ratifikimit të Demarkacionit sa kohë mund të shkojë deri në liberalizimin e vizave? Pra, kur prisni të ndodhë liberalizimi?

Hoxha: Vendeve rajonale, si p.sh. Shqipërisë, Bosnjë e Hercegovinës, Serbisë e Malit të Zi, u janë dashur 5 deri 7 muaj që nga dhënia e rekomandimit pozitiv të Komisionit Evropian për përmbushje të kritereve për liberalizim e deri te hyrja në fuqi e lëvizjes së lirë. Për ne është e rëndësishme t’i plotësojmë kushtet, kurse procedurat dhe afatet janë në duar të BE-së. Në variantin më të vonshëm liberalizimi do të ndodhë nga fundi i vitit. Afati për liberalizim mbetet përgjegjësi jashtë kompetencës sonë.

Zëri: Cilat janë procedurat brenda BE-së prej momentit të përmbushjes së kritereve deri në lëvizjen e lirë të kosovarëve?

Hoxha: Në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave Komisioni Evropian ka bërë 4 vlerësime të përmbushjes së prioriteteve, që dalin nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave. Respektivisht në shkurt 2013, në korrik 2014, në dhjetor 2015 dhe në maj 2016. Këto raporte kanë vlerësuar progresin e arritur, janë dhënë rekomandimet për hapat e ardhshëm, si dhe të dhënat për ndikimin e migrimit dhe implikimet në sigurinë publike të procesit të liberalizimit të vizave.

Raporti i fundit i majit 2016 ka vlerësuar se janë përmbushur të gjitha kriteret dhe Komisioni Evropian do ta bëjë propozimin për plotësim-ndryshimin e Rregullores 539/2001 për liberalizim të vizave me Kosovën. Raporti njëkohësisht ka nënvizuar se deri në ditën e miratimit të propozimit për plotësim-ndryshimin e Rregullores 539/2001 Kosova do ta ratifikojë Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi dhe do të bëjë progres në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Pas propozimit për plotësim-ndryshimin e Rregullores 539/2001 nga ana e Komisionit Evropian më 4 maj 2016, hapat e ardhshëm nënkuptojnë:

1. Negociatat në mes të Parlamentit Evropian dhe Këshillit për nismën legjislative të Komisionit Evropian, respektivisht plotësim-ndryshimin e Rregullores 539/2001 për liberalizim të vizave me Kosovën; 2. Miratimin në seancë plenare; 3. Miratimi nga Këshilli i Ministrave të BE-së me shumicë të kualifikuar; 4. Publikimi në Gazetën Zyrtare dhe hyrja në fuqi.

Në këtë drejtim ne nuk mund të japim afat konkret se kur do të mundë të udhëtojnë qytetarët lirshëm në Zonën e Shengenit, pasi që e gjithë procedura legjislative varet nga mekanizmat e brendshëm të institucioneve të BE-së.

Sidoqoftë, çfarë mund themi është që pritjet e Ministrisë së Integrimit Evropian janë që e gjitha kjo procedurë të mos zgjasë më shumë se 6 muaj nga data e ratifikimit të Marrëveshjes së Demarkacionit. Një afat i tillë kohor është realist pasi është aplikuar në rastin konkret të liberalizimit të vizave në të kaluarën me vende të treta.

Nëse nuk kalon Demarkacioni s’ka liberalizim deri më 2020-ën

Zëri: Në rast të mosratifikimit të Demarkacionit në këtë fazë, për sa kohë mund të shtyhet procesi i liberalizimit të vizave?

Hoxha: Shtyrja e ratifikimit na sjell në zonën larg fokusit aktual të Bashkimit Evropian dhe procesit integrues, ngase viti tjetër është vit i zgjedhjeve në BE dhe Kosova nuk do ta ketë vëmendjen e duhur e as fokusimin e institucioneve të BE-së përballë nesh. Nëse nuk e ratifikojmë tani, sigurisht se nuk mund ta shohim ndonjë përparim në vitin tjetër. Uroj që kjo të mos ngjajë për qytetarët tanë, sepse vihet në dilemë edhe viti i dytë pas këtij viti. Detyrimet ndërkombëtare përbëjnë esencën e procesit integrues, andaj ky proces duhet të përfundojë sa më parë.

Zëri: Ka pasur deklarata edhe rreth çështjes së aplikimit të Kosovës për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, kur do të bëhet ky aplikim?

Hoxha: Shpresojmë që këtë aplikim ta bëjmë sivjet në saje të të arriturave tona dhe përmbushjes së detyrimeve tona në këtë proces. Kosova meriton të shpërblehet për angazhimin konsekuent në këtë drejtim. Presim më të mirën për përkushtimin gjithëpërfshirës në procesin e integrimit evropian. Jemi shumë të impenjuar në realizimin e MSA-së, në Agjendën Evropiane të Reformave, si dhe në Reformat Ekonomike, që presim të sjellin shumë të mira në proces, por edhe mirëqenien e qytetarëve tanë.

Zëri: A paraqet pengesë në këtë proces mosnjohja e Kosovës nga pesë shtetet anëtare të BE-së?

Hoxha: Jo, nuk besoj se do të paraqesë pengesëë. Presim që vendet e fuqishme brenda BE-së të jenë me ne, që përbëjnë krahun e ndikimit të fortë për integrimin tonë dhe liberalizimin e vizave. Partnerët tanë deri më tash ishin krahë nesh, presim që të jenë edhe më tej në këto procese të ndjeshme me neve. Sfidat e deritashme i kemi zgjidhur së bashku dhe besojmë në përkrahjen e avancimit të shtetësisë sonë së bashku me vendet përkrahëse të pavarësisë sonë.