Seancë pa vota të sigurta

Aktuale February 28, 2018 - 07:34

Koalicioni qeverisës sot do të provojë për të tretën herë me radhë ta ratifikojë  Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Por, as pas dy dështimeve gjatë javës së shkuar, ku u vendos që Demarkacioni të mos hidhej në votim, koalicioni nuk i ka siguruar votat e mjaftueshme për ta miratuar këtë marrëveshje në seancën që do të fillojë sot prej orës 10:00.

Vetë drejtuesit e partive në pushtet kanë pohuar se tashmë kanë vetëm 78 vota, përderisa për ta miratuar këtë marrëveshje nevojiten së paku 2/3 e votave të deputetëve, rrjedhimisht 80 sosh.

Por, disa deputetë të koalicionit tashmë janë deklaruar se nuk do ta mbështesin këtë marrëveshje, duke përmbysur kështu edhe 78-shin e “siguruar”.

Nait Hasani nga PDK-ja ka qenë i pari që ka bërë publik qëndrimin e tij kundër Marrëveshjes, shkruan tutje "Zëri". 

Njëjtë ka vepruar më pas edhe deputetja e AAK-së Teuta Haxhiu, e cila ka njoftuar se nuk e mbështet këtë marrëveshje (pas largimit të raportit të Komisionit për Shënimin e Kufirit si raport obligues që ishte).

Edhe deputeti tjetër i këtij subjekti Rasim Selmanaj nuk ka pohuar se do ta votojë Demarkacionin. Përkundrazi, ai ka zgjedhur që qëndrimin e tij të mos e shpërfaqë derisa kjo marrëveshje të dalë në votim.

Veseli, i bindur se Demarkacioni do të kalojë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, është shprehur i bindur se Marrëveshja e Demarkacionit do të kalojë.

“Shënimi kufitar me Malin e Zi duhet të përfundojë, në të njëjtën kohë të ndodhë liberalizmi i vizave për qytetarët tanë. Duhet ta marrim një vendim i cili është serioz dhe në interes të shtetësisë së Kosovës. Jam i bindur se do të kalojë, nuk kam hyrë në kalkulime, pres reflektimin e të gjithëve kolegëve deputetë”, ka deklaruar ai gjatë ditës së djeshme.

Veseli më tutje ka konsideruar se deputetët që nuk e mbështesin këtë marrëveshje do të ndërrojnë qëndrim dhe do ta votojnë atë.  

Krasniqi: PDK-ja unike, 23 vota pro

Pavarësisht se deputeti i PDK-së, Nait Hasani, tashmë ka ndarë mendjen që të mos e mbështesë Marrëveshjen e Demarkacionit, shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Memli Krasniqi, ka thënë se PDK-ja është unike në qëndrimin sa i përket Marrëveshjes në fjalë.

“Po, votat e PDK-së janë unike, 23 në favor të kësaj marrëveshjeje. Ne besojmë që do të shkojmë unikë edhe si koalicion, jo vetëm si PDK”, është shprehur ai.

Megjithatë, Krasniqi ka pohuar se deri më tash nuk janë siguruar të gjitha votat e nevojshme. “Deri tash janë të konfirmuara 78 vota, deri nesër kur Demarkacioni të hidhet në votim presim të bëhen votat e nevojshme për miratim”, ka deklaruar Krasniqi.

Selmanaj mban “sekret” votën: Qëndrimin tim e shihni në seancë

Pavarësisht sigurisë së Krasniqit, deputeti i AAK-së Rasim Selmanaj nuk ka treguar nëse do ta votojë apo jo Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi. Përkundrazi, i pyetur rreth kësaj çështjeje Selmanaj ka thënë se e tërë kjo do të shihet në seancën e sotme.

“Unë nesër do të jem në seancë, por sa i përket qëndrimit tim raporti i Bulliqit është brenda ligjit, është diçka e mirë, sa i përket votës sime nesër do të jem në seancë, ku do të shihet”, ka thënë Selmanaj dje për “Zërin”.

Ndërkohë, tashmë edhe deputetja tjetër e këtij subjekti, Teuta Haxhiu, ka thënë se nuk e mbështet Marrëveshjen (pa raportin e Shpejtim Bulliqit, që deri para pak ditësh ishte obligues në Projektligj).

Lajçi: LVV-ja nuk e voton Demarkacionin, koalicioni s’i ka votat

E pavarësisht deklaratave të përfaqësuesve të pushtetit se pro Demarkacionit do të votojnë edhe disa deputetë të lëvizjes “Vetëvendosje”, deputeti i këtij subjekti Ali Lajçi ka mohuar një gjë të tillë.

“Jo, qëndrimi i ‘Vetëvendosjes’ dihet, e kemi qëndrimin tonë të qartë. Këto janë sajesa, manipulime”, ka thënë Lajçi.

Ndërkohë, ani pse në seancën e sotme në rend dite është ratifikimi i Projektligjit për Demarkacionin, Lajçi është shprehur i bindur se Demarkacioni nuk do të marrë epilog.

Për dallim prej LVV-së, LDK-ja tashmë ka deklaruar se do të gjithë deputetët e saj do ta mbështesin kalimin e Demarkacionit.

Apostolova e Delawie, thirrje që të ratifikohet Demarkacioni

Në anën tjetër shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka bërë thirrje gjatë ditës së djeshme që të miratohet sa më parë Marrëveshja e Demarkacionit.

“Ratifikimi duhet të bëhet dhe do të jetë një hap i rëndësishëm drejt liberalizimit. Duhen akoma përpjekje, por ratifikimi i Demarkacionit na ofron drejt liberalizimit. Pra, dëshirojmë që me liberalizimin e vizave Kosova të jetë një vend më i mirë. Nuk duhet të humbet ky rast nesër. Ju lutem na ndihmoni neve në mënyrë që edhe ne t’ju ndihmojmë juve”, ka thënë ajo gjatë së martës.

Edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, para se të mbahet seanca ka ftuar deputetët që të votojnë pro Marrëveshjes. “U bëj thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës të jenë të pranishëm në seancë dhe të votojnë pro ratifikimit të Demarkacionit”, ka thënë ai.

Maliqi: Rrezik që Demarkacioni të bëhet çështje e pazgjidhshme

Kurse njohësi i çështjeve politike, Agon Maliqi, ka vlerësuar se çështja e ratifikimit të Demarkacionit nuk do të përmbyllet sot. “Në rast se nuk ka siguri për numrat dhe kështu po duket deri tani, besoj se çështja sërish do të shtyhet për një datë tjetër. E shoh të vështirë që dikush nga LVV-ja të votojë pa një kosto të madhe politike brenda trupit elektoral të partisë”, ka konsideruar ai.

E rreziku që shpërfaqet tani, sipas Maliqit, ka të bëjë me atë se çështja e demarkacionit do të bëhet pjesë e pazareve me Serbinë (në Bruksel) dhe do ta faktorizojë këtë të fundit, meqë, siç ai është shprehur, Serbia e mban çelësin e çështjes përmes Listës Serbe. “Nëse Qeveria dhe bashkësia ndërkombëtare nuk arrijnë të bëjnë presion të mjaftueshëm tek disa deputetë të LVV-së apo te Serbia, rreziku është se kjo çështje mund të bëhet e pazgjidhshme nga kjo legjislaturë dhe të ndërlidhet me procesin e përgjithshëm të negociatave në Bruksel”, ka potencuar ai.

Ndërkohë, Arton Demhasaj nga organizata joqeveritare “Çohu” është shprehur skeptik nëse Demarkacioni do të kalojë gjatë seancës së sotme.

Sipas tij, problemi nuk ka qenë në arritjen e një marrëveshjeje mes LDK-së e AAK-së, porse tek mossigurimi i votave prej deputetëve të tjerë.

“Problemi kryesor ka qenë mosmjaftueshmëria e votave për ta kaluar këtë çështje. Ky ka qenë problemi kryesor, nuk ka qenë ajo e arritjes së konsensusit mes LDK-së dhe AAK-së. Ajo ka qenë vetëm sa për të fituar kohë më shumë derisa të fitohen votat e mjaftueshme, për shkak se e dimë që ‘Vetëvendosja’ nuk voton”, ka shtuar Demhasaj.