A është ky sinjal se disa deputetë të VV-së mund ta votojnë Demarkacionin?

Aktuale February 26, 2018 - 21:38

Më 16 shkurt, në ditën kur Hashim Thaçi njoftoi opinionin për një deklaratë të përbashkët me presidentin malazez, Filip Vujanoviq ku thuhet se palët merren vesh për të korrigjuar gabimet e mundshme, Lëvizja Vetëvendosje kishte filluar mbledhjen e nënshkrimeve për formimin e një komisioni hetimorë parlamentar që do të hetonte marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi.

Mirëpo edhe pse kanë kaluar 10 ditë, Lëvizja Vetëvendosje deri më tani ka marrë vetëm 28 nënshkrime nga 32 deputetë sa numëron kjo parti.

LEXO EDHE: Haziri tregon sa vota mungojnë për ratifikimin e demarkacionit

Të pamundur për ta dhënë nënshkrimin e ka pasur deputeti i kësaj partie, Frashër Krasniqi që deri sot ka qenë në paraburgim. Ndërsa tre të tjerë nuk ia kanë dhënë nënshkrimin deputetes Albulena Haxhiu, e cila ka qenë nismëtare për mbledhjen e nënshkrimeve.

Sipas kësaj të fundit, Dardan Molliqaj, Dukagjin Gorani dhe Faton Topalli janë tre deputetët e Vetëvendosjes që nuk kanë dhënë nënshkrime për këtë kërkesë.

“Aktualisht i kemi 28 nënshkrime, për shkak të rrethanave Frashëri e ka pasur të pamundur të nënshkruaj, e ne pavarësisht dorëheqjeve kemi kontakte me deputetët të cilët janë ende pjesë e grupit parlamentar. Të gjithë deputetët e Vetëvendosjes kanë marrë edhe me shkrim njoftimin tonë për nisjen e komisionit, por që tre nga ta ende se kanë dhënë nënshkrimin, e ata janë z.Dukagjin Gorani, z.Dardan Molliqaj dhe z.Faton Topalli”, tha deputetja Haxhiu për KALLXO.com

Ajo thotë se nuk i di arsyet se pse këta tre deputetë nuk kanë dhënë nënshkrimin për këtë nismë.

“Ne do ti takojmë sërish dhe do të kërkojmë nënshkrimin e tyre sepse është e rëndësishme”, tha tutje Haxhiu.

Emailat dhe mesazhet për kërkesën për tu nënshkruar, Haxhiu thotë se ua ka dërguar që 10 ditë.

Megjithatë Haxhiu nuk beson se këta deputetë do ta votojnë marrëveshjen e Demarkacionit, ani pse deri më tani nuk kanë dhënë nënshkrimet e tyre.

“Nuk besoj se këta tre që se kanë dhënë nënshkrimin të votojnë marrëveshjen që fal territor. Më duhet të them se nuk mund të jesh deputet i Vetëvendosjes dhe të përkrahësh një marrëveshje që fal territor”, tha tutje Haxhiu.

KALLXO.com ka provuar të kontaktoj me deputetët, Dukagjin Gorani dhe Dardan Molliqaj por ata nuk u janë përgjigjur thirrjeve dhe mesazheve.

Ndërsa deputeti Faton Topalli tha  se nuk iu është ofruar lista e nënshkrimeve.

“Nuk ka ndonjë arsye. Si duket nuk kam qëlluar aty kur janë bërë nënshkrimet. Sikur të më ishte ofruar lista e nënshkrimeve do ta kisha bërë”, tha Topalli.

E deputeti Gorani kishte abstenuar në Komision parlamentar për Punë të Jashtme kur ishte shqyrtuar marrëveshja e demarkacionit së bashku me deklaratat e presidentëve dhe raportin e Bullqit brenda.

Të mërkurën është caktuar të mbahet vazhdimi i seancës ku pritet të votohet për ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.