Vetëvendosje kërkon që aktivistët e saj të shpallen të pafajshëm

Aktuale February 26, 2018 - 19:56

Lëvizja Vetëvendosje kërkon që aktivistët e saj, të akuzuar për terrorizëm të shpallen të pafajshëm, pasi që, siç thuhet, kjo është më e pakta që mund të bëhet si korrigjim i padrejtësive të shkaktuara në një proces i cili deri më tani i ka marrë 18 muaj.

LEXO EDHE: Ymeri: U dëshmua se aktivistët u burgosën pa faj

“Gjykata e Apelit ka ndërprerë sot masën e paraburgimit ndaj tre aktivistëve të dënuar për sulmin në Kuvend, Egzon Halitit, Frashër Krasniqit dhe Atdhe Arifit, të cilët Prokuroria Speciale i ka akuzuar për kryerje të veprës penale e bashkë me ta edhe Adea Batushën”, thuhet në reagimin e VV-së, njofton Telegrafi.

Të katër bashkë Gjykata e Shkallës së parë i pati dënuar me 21 vite burg.

“Megjithëse aktvendimi ka të bëjë vetëm me ndërprerjen e masës së paraburgimit është hap i mirë që aktivistëve t’u rikthehet liria e rrëmbyer padrejtësisht. Kjo masë nuk është e mjaftueshme dhe ne kërkojmë lirimin e plotë dhe shpalljen e tyre të pafajshëm. Kjo është më e pakta që mund të bëhet si korrigjim i padrejtësive të shkaktuara në një proces i cili deri më tani i ka marrë 18 muaj. Drejtësia duhet të triumfojë përmbi ndikimin dhe diktatin politik”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje. /Telegrafi/