Ymeri: U dëshmua se aktivistët u burgosën pa faj

Aktuale February 26, 2018 - 19:12

Ish kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri, ka reaguar me tone të ashpra pas lirimit të aktivistëve të VV-së, duke kërkuar përgjegjësi për gjykimin e tyre.

Ai ka thënë se lirimi i tyre, dhe shkuarja e lëndës në rigjykim,  dëshmon se aktivistët u arrestuan, u mbajtën dhe u dënuan pa faj.

Ymeri e ka përmendur edhe Astrit Deharin i cili pikërisht në këtë ditë do festonte ditëlindjen.

 Ymeri ka thënë se pushteti ka përgjegjësi, dhe duhet të japë përgjegjësi për këtë rast.

Ky është postimi i plotë i Ymerit:

Frashëri, Atdheu e Egzoni u liruan sot nga burgu. Ndërkohë që aktgjykimi i gjykatës themelore që i kishte dënuar këta dhe Adean me 21 vite e gjysmë burg u anuluar dhe procesi është kthyer në rigjykim.

Që do të thotë që procesi nuk ka pasur bazë ligjore e as mbështetje në prova a dëshmi.

Që do të thotë që këta janë mbajtur në burg pa pas kurrfarë faji.

Që do të thotë se janë arrestuar pa pasur asnjë dëshmi a provë.

Pra që janë arrestuar pa faj.

Janë mbajtur në burg pa faj.

Këta katër dhe Astriti.

Po të mos ishte mbajtur pafajësish në burg, sot Astriti do ta festonte ditëlindjen e 28-të.

Për këtë rast të montuar e për Astritin pushteti ka përgjegjësi. Dhe për këtë duhet të jap përgjegjësi.

#drejtësipërastritin” përfundon shkrimi i Ymerit në rrjetin social facebook.