Nis takimi në mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel

Aktuale February 26, 2018 - 12:28

Në Bruksel tashmë ka nisur takimi trelateral në mes të delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë në praninë e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian.

Siç mësohet takimi ka filluar në orën 11:00 siç edhe është paraparë me agjendë dhe i njëjti pritet të përfundojë në orën 16:00.

Në këtë takim pritet të diskutohet për implementimin e marrëveshjeve të arritura përmes dialogut siç është Liria e Lëvizjes dhe në veçanti ajo e tabelave të veturave, provizionet e tabelave, dhe Drejtësia.

Kryesuesi i delegacionit të Kosovës, Avni Arifi, i thënë gazetës "Zëri", se nuk do të ketë marrëveshje të reja në mes Prishtinës dhe Beogradit, pa u implementuar në tërësi marrëveshjet e arritura më parë. 

Ndryshe pala kosovare në këtë dialogu përbëhet nga Avni Arifi, Ardian Arifaj, Endrit Shala, Blerand Stavileci, Meliza Haradinaj-Stublla dhe Alban Dërmaku, të cilët në Bruksel kanë arritur gjatë natës së kaluar.