Sot protestojnë specializantët

Aktuale February 26, 2018 - 09:29

Specializantët volunter të viteve 2016/17 do të mbajnë sot protestë para Ministrisë së Shëndetësisë, për shkak të mos realizimit të premtimeve nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli dhe ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, se nga 1 janari asnjë specializant nuk do të mbetet pa pagë.

Specializantët kërkojnë që sa më parë të realizohet premtimi i dhënë, pasi nuk është bërë asgjë konkrete deri më tani në këtë drejtim.

Ata po ashtu kanë reaguar ashpër duke thënë se nuk ka vend në botë ku doktorët punojnë me dy orare në dy vende pune me mbi 80 orë punë në javë mbi 40 orë me pagesë për të mbijetuar edhe mbi 40 orë në specializim volunter pa pagesë, e ku po mbetet koha për studim.

Organizatorët e kësaj proteste janë dr. Hekuran Dibrani dhe dr. Flamur Llabjani.

Lidhur me pagesën e specializantëve, ministri i Financave, Bedri Hamza, pati deklaruar se buxheti për shëndetësi do të jetë mbi 200 milionë euro, dhe brenda këtij buxheti do të paguhen të gjithë specializantët.

“Janë shtuar mjetet për shpenzime kapitale, është rritur buxheti për 36 për qind sa i përket sigurimit të barnave esenciale, do të paguhen të gjithë specializantët, do të kemi shtim të stafit peofesionist etj”, pati thënë Hamza në mbledhjen e Qeverisë.