Këto janë temat që do të diskutohen sot në Bruksel në dialogun Kosovë-Serbi

Aktuale February 26, 2018 - 09:04
Në këtë orë pritet të fillojë takimi mes palëve

Me fillim nga ora 09:00 delegacioni i Kosovës në bisedimet Kosovë-Serbi ka një takim përgatitur lidhur me rifillimin e dialogut, ndërkaq në orën 11:00, do të fillojë diskutimi mes palës serbe dhe asaj të Kosovës me ndërmjetësimin e Federica Mogherinit.

Gjithashtu duhet shtuar se temat të cilat pritet të diskutohen janë: Zbatimi i marrëveshjes për lirinë e lëvizjes dhe tabelat e regjistrimit të automjeteve, Drejtësia, muri tek pjesa e Urës së Ibrit në Mitrovicë, Asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe Energjia.

Në këtë rund të dialogut pritet të diskutohet kryesisht për zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

Kështu ka bërë të ditur për gazetën Zërishefi i ekipit teknik të Kosovës në bisedimet me Serbinë, Avni Arifi. Sipas tij, në këtë fazë po synohet përmbyllja e dialogut dhe arritja e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë.

“Në këtë takim do të bisedohet për implementimin e marrëveshjeve të realizuara. Synojmë përmbylljen e dialogut dhe arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare”, ka thënë Arifi.

Ai ka thënë se në Bruksel nuk do të bisedohet për marrëveshje të reja, por vetëm për ato që tashmë janë arritur, ku njëra ndër temat për diskutim me Serbinë është edhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, për të cilën tha se mund të bëhet një draft i ri.

Dialogu Kosovë-Serbi, u ndërpre më 16 janar, ditën kur të dyja palët ishin në Bruksel, por kjo ndërprerje u bë për shkak të vrasjes së politikanit serb në veri të Mitrovicës, Oliver Ivanoviq, me ç’rast pala serbe vendosi të kthehet në Serbi pas këtij lajmi.

Ndryshe pala kosovare në këtë dialogu përbëhet nga Avni Arifi, Ardian Arifaj, Endrit Shala, Blerand Stavileci, Meliza Haradinaj-Stublla dhe Alban Dërmaku, të cilët në Bruksel kanë arritur gjatë natës së kaluar.