Kosova humb miliona nga moszbatimi i Marrëveshjes për Energji

Aktuale February 26, 2018 - 08:28

Kosova edhe më tutje vazhdon të humbë miliona euro në vit për shkak të bllokimit të Marrëveshjes për Energji, e cila ishte nënshkruar në vitin 2013 në mes të palës kosovare dhe asaj serbe.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë thënë për gazetën Zëri se kjo marrëveshje duhet të nisë së zbatuari.

Ata madje kanë identifikuar edhe implikimet financiare dhe teknike nga moszbatimi i marrëveshjes. Kjo marrëveshje pritet të jetë njëra nga pikat kryesore që do të diskutohen në Bruksel në fazën e ardhshme të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Me miliona euro energji elektrike, e cila shpenzohet nga serbët në pjesën veriore të Kosovës, u janë faturuar qytetarëve të tjerë që paguajnë me rregull faturat e energjisë elektrike, pasi pala serbe vazhdon të mos i paguajë faturat e energjisë.

LEXO EDHE: Sot rinis dialogu në Bruksel, diskutohet për zbatimin e marrëveshjeve

Ishte shteti serb ai i cili tashmë disa vite nuk ka lejuar që kompania e re të regjistrohet në Kosovë në pajtim me ligjet e Kosovës, ashtu siç parashihet me Marrëveshjen e Energjisë të arritur në vitin 2013.

Për këtë çështje ministrja për Dialog, Edita Tahiri, kishte paraqitur një raport pranë zyrave të BE-së, në të cilin shkruhej se Serbia nuk po lejon që kompania e re të regjistrohet në pajtim me ligjet e Kosovës.

Sipas saj, kjo pengesë po bëhet për interesat politike dhe ekonomike të Serbisë. Zyrtarë nga KOSTT thonë se Serbia po përfiton miliona, ndërsa Kosova po humb nga moszbatimi i Marrëveshjes.

Në anën tjetër, analistë të çështjeve politike konsiderojnë që pala kosovare duhet ta ndryshojë politikën karshi Serbisë për shkak se kjo e fundit nuk po i zbaton marrëveshjet e arritura deri më tani mes dy shteteve.

Qeveria: Marrëveshja duhet të fillojë të zbatohet

Shefi i negociatave me Serbinë, Avni Arifi, ka thënë për “Zërin” se më 26 shkurt do të mbahet takimi në Bruksel mes palës kosovare dhe asaj serbe, ku pritet të diskutohet edhe për Marrëveshjen për Energji, të cilën e ka konsideruar edhe si më të rëndësishmen.

Sipas tij, agjenda do të jetë e njëjta që ishte e paraparë të diskutohet një muaj më parë.

“Do të bisedohet për implementimin e marrëveshjeve të paimplementuara. Nuk po implementohet Marrëveshja për Energji. Për mua është më e rëndësishmja implementimi i Marrëveshjes për Energji, Kosova duhet të insistojë të implementohet kjo marrëveshje”, ka thënë ai.

Në anën tjetër edhe zyrtarë për Komunikim në Zyrën e Kryeministrit kanë thënë se Marrëveshja për Energjinë duhet të fillojë të zbatohet.

“Qeveria e Republikës së Kosovës vazhdimisht ka shprehur qëndrimin e saj që dialogu në Bruksel duhet të vazhdojë dhe duhet të përmbyllet. Në këtë drejtim edhe Marrëveshja për Energjinë duhet të nisë së zbatuari. Dialogu do të rinisë më 26 shkurt, të hënën dhe kryeministri i vendit Ramush Haradinaj dhe ekipi negociator, i kryesuar nga Avni Arifi, janë zotuar që dialogu të jetë sa më transparent për qytetarët. Çfarëdo që të ndodhë pas këtij rundi të negociatave do të bëhet publike, duke përfshirë këtu edhe çështjen e energjisë”, thuhet në një prononcim për “Zërin”.

Sipas tyre, Qeveria ka identifikuar implikimet financiare dhe teknike nga moszbatimi i Marrëveshjes.

KOSTT-i: Serbia fiton miliona euro, Kosova humb

Zana Bajrami-Rama, zyrtare për informim në KOSTT, ka thënë për “Zërin” se operatori serb ka përfitime milionëshe dhe po i shkakton dëme financiare Kosovës nga bllokimi i marrëveshjes.

“Operatori i Sistemit të Transmisionit të Serbisë (EMS) me veprimet e saja jo të drejta vazhdon t’i shkaktojë dëme financiare KOSTT-it dhe konsumatorëve të Kosovës në përgjithësi duke shkelur dispozitat e Traktatit të Komunitetit të Energjisë për Evropën Juglindore, për të cilën KOSTT-i ka dorëzuar edhe ankesë formale në gusht të vitit 2008 në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë për Evropën Juglindore. Operatori serb EMS ka përfitime milionëshe nga alokimi i kapaciteteve të linjave kufitare të Kosovës me shtetet fqinje, si dhe nga kongjestionet”, ka thënë ajo.

Sipas saj, KOSTT-i  është duke punuar për zhbllokimin e kësaj marrëveshjeje.

“KOSTT-i në bashkëpunim dhe në koordinim me të gjitha palët e interesit vendor dhe ndërkombëtar vazhdon të punojë intenzivisht për zhbllokimin e Marrëveshjes për Kyçje KOSTT/ENTSO-E, si dhe të gjitha çështjeve të tjera që ndërlidhen me integrimet evropiane dhe rajonale të KOSTT-it si operator i sistemit, transmisionit dhe tregut të energjisë elektrike të Kosovës”, ka theksuar ajo.

Bajrami-Rama ka treguar se KOSTT-i ka plotësuar të gjitha parakushtet teknike dhe operative në pajtim me kërkesat e ENTSO-E (Rrjeti Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë Elektrike) për të funksionuar si bllok/zonë rregulluese në bazë të Marrëveshjes për Kyçje, por siç ka thënë ajo, “kjo ende nuk është funksionalizuar për shkak të obstruksioneve të vazhdueshme të Serbisë në implementimin e obligimeve që rrjedhin nga marrëveshja politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Tahiri: Serbia për interesat e saj pengon Marrëveshjen për Energji

Ministrja për Dialog Edita Tahiri ka paraqitur një raport zyrtar pranë Bashkimit Evropian rreth gjendjes në procesin e zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit, në të cilin ka përmendur edhe bllokimin e Marrëveshjes së Energjisë.

Sipas Tahirit, Serbia është duke e bllokuar këtë marrëveshje, duke mos lejuar që kompania e re të regjistrohet në pajtim me ligjet e Kosovës.

“Siç mund ta dini, Marrëveshja e Energjisë është negociuar për më shumë se gjashtë vjet dhe ende nuk mund të zbatohet. Në terma konkretë, kompania e re si një degë e një kompanie serbe po refuzon ta përmendë Kosovën si shtetin ku do të operojë, në statutin saj, pavarësisht faktit se Marrëveshja kërkon respektimin e ligjeve të Kosovës”, thuhet në raport.

Ndër të tjera, Tahiri ka thënë se për shkak të interesave politike dhe ekonomike Serbia po pengon këtë marrëveshje.

“Kjo jo vetëm që ka cenuar sistemin energjetik të Kosovës, por edhe sigurinë rajonale të energjisë, si dhe agjendën rajonale të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor mbi konektivitetin rajonal në  fushën e energjisë. Nga ana tjetër, Kosova mban mbi supet e saja stabilitetin rajonal të energjisë në dëm të saj, megjithëse mund t’i aplikojë në mënyrë legjitime masat e reciprocitetit, duke qenë se Kosova, përkatësisht KOSTT-i, ka fituar ligjërisht kontestin në vitin 2008, kur Sekretariati i Komunitetit të Energjisë mori vendimin që Serbia ka shkelur Traktatin e Athinës në raport me Kosovën”, është shkruar në raport.

Nëse vonesat vazhdojnë Tahiri ka shkruar se Kosova do të detyrohet t’i zbatojë reciprocitet kundër Serbisë, meqenëse siç ka thënë ajo, pas 9 vjetëve të të drejtave të saja të njohura ligjërisht, Kosova ka legjitimitet për ta mbrojtur sovranitetin e saj mbi sistemin energjetik të saj.

Komisioni Evropian, kompetent për presione tek Serbia

Sala Berisha – Shala, kryetare e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, ka thënë se Komisioni kërkon informacione nga Komuniteti i Sekretariatit të Energjisë në lidhje me bllokimin e kësaj marrëveshje.

“Kërkova informacione për bllokadën që po bën Serbia dhe kërkova se cila është qasja e juaj si komunitet i Sekretariatit të Energjisë dhe çfarë po bëni në këtë drejtim që Serbia ta respektojë Marrëveshjen, ndërsa ata thanë që nuk kemi kompetenca ekzekutive, por për këto pengesa raportojmë me Komisionin Evropian dhe ata janë më kompetentë për të bërë presione direkt te shtetet anëtare të komunitetit të energjisë në këtë rast ku Serbia po pengon në vazhdimësi Kosovën për Marrëveshjen për Energji, që janë marrë vesh në Bruksel”, ka thënë ajo për “Zërin”.

Baraliu: Miliona euro të humbura për Kosovën

Mazllum Baraliu ka thënë se Kosova ka humbur miliona euro nga bllokimi i kësaj marrëveshjeje.

“Serbia nuk e ka zbatuar asnjë marrëveshje apo nuk e ka zbatuar në tërësi. Ndërkaq Serbia e ka bllokuar Marrëveshjen për Energji dhe këtu janë miliona euro në vit që Kosova i humb për arsye se Serbia mban çelësin e bisedimeve për energji, për shpërndarje të energjisë. Nuk është vetëm ajo, por edhe të tjera marrëveshje që s’janë zbatuar”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Sipas Baraliut, qeveritarët duhet t’i ndryshojnë politikat e tyre.

“Pikërisht paralajmërimi i bisedave Thaçi-Vuçiq ka të bëjë me njërën nga këto çështje dhe me zhbllokimin e autostradës së energjetikës që quhet ndryshe, të cilën me shumë mund dhe përpjekje e ka bërë Qeveria gjermane duke investuar me Qeverinë e Kosovës, një ndërhyrje të investuesve diku rreth 90-100 milionë euro. Është momenti i fundit që t’i ndryshojnë politikat këta njerëz që po na përfaqësojnë”, ka thënë ai.