Sot rinis dialogu në Bruksel, diskutohet për zbatimin e marrëveshjeve

Aktuale February 26, 2018 - 08:12
Këto janë temat që do të diskutohen sot në Bruksel

Sot pritet të fillojë dialogu ndërmjet ekipeve negociatore të Kosovës dhe Serbisë, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Delegacionet në nivel të ekspertëve të Prishtinës dhe Beogradit nga kryenegociatori i Kosovës, Avni Arifi dhe nga drejtori i së ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, sot do t’i rinisin bisedimet në Bruksel, të cilat ishin anuluar më 16 janar për shkak të vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq në Mitrovicë të Veriut.

Në këtë rund të dialogut pritet të diskutohet kryesisht për zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

Kështu ka bërë të ditur për gazetën Zëri shefi i ekipit teknik të Kosovës në bisedimet me Serbinë, Avni Arifi. Sipas tij, në këtë fazë po synohet përmbyllja e dialogut dhe arritja e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë.

LEXO EDHE: Kosova rrezikon t’i humbë në Arbitrazh edhe 100 milionë euro

“Në këtë takim do të bisedohet për implementimin e marrëveshjeve të realizuara. Synojmë përmbylljen e dialogut dhe arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare”, ka thënë Arifi.

Ai ka thënë se në Bruksel nuk do të bisedohet për marrëveshje të reja, por vetëm për ato që tashmë janë arritur, ku njëra ndër temat për diskutim me Serbinë është edhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, për të cilën tha se mund të bëhet një draft i ri.

“Nuk po shkojmë në Bruksel për të biseduar për një marrëveshje të re, por për ato ekzistuese. Sa i përket Asociacionit, varësisht nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të bëhet drafti i ri. Kjo Qeveri nuk pranon asgjë që shkel Kushtetutën. Çdo marrëveshje që është arritur duhet të implementohet. Nëse Asociacioni është në përputhje me Kushtetutën bëhet implementimi, nëse jo draftimi”, ka thënë ai.

Daçiq: Nuk pranojmë asnjë ndryshim të Marrëveshjes për Asociacionin

Ndërkaq ka reaguar dje ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiq, i cili tha se Marrëveshja për Formimin e Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe nuk do të ndryshohet. Madje ai deklaroi se një gjë të tillë nuk do ta lejojë Beogradi.

“Prishtina ndoshta ka harruar se Marrëveshja e Brukselit ishte nënshkruar nga Hashim Thaçi dhe nga përfaqësuesja e lartë e BE-së, Catherine Ashton. Ajo e përcakton qartë se çfarë duhet të bëhet dhe si. Asnjë ndryshim nuk do të merret parasysh, nëse kjo ndodh Marrëveshja e Brukselit bie”, ka thënë Daçiq për mediet serbe.

Daçiq ka folur edhe për marrëveshjen përfundimtare ndërmjet dy shteteve.

“Koha po kalon dhe diçka duhet të bëhet. Në strategjinë e BE-së nuk u përcaktua se çfarë është ajo marrëveshje, por vetëm se duhet të nënshkruhet urgjentisht”, tha ai.

Sipas tij, Kosova është e interesuar vetëm që Serbia ta njohë Pavarësinë.

“Ata nuk duan një zgjidhje të përhershme pasi besojnë se Beogradi vetëm duhet t’ua pranojë shtetësinë”, tha ai.

Ndërkaq siç është raportuar në mediet serbe, këto bisedime do të zgjasin dy ditë. Në ditën e parë do të bisedohet për çështjet siç janë: zbatimi i Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes dhe Tabelat e Regjistrimit të Automjeteve, Menaxhimi i Kalimeve Kufitare dhe zbatimi i Marrëveshjes për Gjyqësorin. Kurse në ditën e dytë themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe (ASK) dhe Energjetika.

Sipas tyre, nëse bisedimet sot dhe nesër sjellin përparim në formimin e ASK-së ose të energjetikës, kjo do të mundë të jetë një shkak për takimin e paralajmëruar të presidentit të Kosovës Hashim Thaçit me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Nuk pritet zbatimi i marrëveshjeve

Në anën tjetër, njohës të çështjeve politike janë pak optimistë se pas këtij rundi të bisedimeve do të zbatohen marrëveshjet e arritura.

Arton Demhasaj, nga organizata joqeveritare “Çohu”, ka thënë për “Zërin” se nuk pret që kjo fazë e dialogut të sjellë zbatim të marrëveshjeve të cilat janë arritur, por që nuk po implementohen as nga ana e Serbisë e disa as nga ana e Kosovës.

“Nuk pres që do të ketë ndonjë të mirë për Kosovën. Kam dyshime që zbatimi i marrëveshjeve të arritura deri më tani do të ketë mirëkuptim për implementimin e tyre. Edhe pse po synohet që të ketë një marrëveshje të pajtimit mes Kosovës e Serbisë dhe që ajo marrëveshje do të konsiderohet një lloj njohjeje e Serbisë ndaj Kosovës, por që sipas të gjitha gjasave mund të zgjasë deri ka fundi i vitit tjetër”, ka thënë ai.

Edhe Mazllum Baraliu, njohës i çështjeve politike, ka thënë për “Zërin” se dialogu nuk ka prodhuar asgjë të mirë për Kosovën dhe se edhe kjo fazë do të jetë e njëjtë.

“Duke u bazuar në ecurinë dhe në trendin e gjertanishëm të bisedave që nga ato të filluara kinse për biseda teknike dhe çështje teknike deri te këto të fundit, unë mendoj që ky proces i dialogut me Serbinë është i pasuksesshëm dhe i dëmshëm për Kosovën, sepse rezultatet nuk janë të prekshme. Ndërsa Serbia ka arritur ta ketë kandidaturën dhe të ketë disa kapituj të negociatave. Ka marrë afatin e anëtarësimit të plotë, ndërkaq Kosova asgjë”, ka thënë ai.

Sipas tij, disa herë është folur për zbatimin e këtyre marrëveshjeve, ndërkohë që Serbia nuk i ka zbatuar dhe as Kosova disa dhe kjo është dështim.

Ai po ashtu ka kundërshtuar edhe ekipin teknik të dërguar nga Qeveria, pasi tha se do të duhej të formohej nga të gjitha partitë dhe jo vetëm nga ato që janë në pushtet.