'Nëse ratifikohet Demarkacioni vizat liberalizohen në shtator'

Aktuale February 25, 2018 - 18:23

Pas arritjes së marrëveshjes ndërmjet partive shqiptare, veç Vetëvendosjes dhe Listës Serbe partitë tjera janë shprehur pro demarkacionit. Por koalicionit qeverisës i duhen edhe 2 ose 3 vota për të arritur numrin e mjaftueshëm që nevojiten për ta ratifikuar këtë marrëveshje. Megjithatë zëvendëskryeministri i Kosovës dhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli ka një dilemë tjetër sa i përket mundësisë që marrëveshja e demarkacionit të kalojë të mërkurën në Kuvend.

Në një intervistë dhënë portalit Lajmi.net, Pacolli ka thënë se frikësohet nga debati i gjatë që mund të bëhet nga deputetët, dhe mundësia që ndonjëri nga ta të mos jetë në sallë në momentin që votohet.

Shefi i diplomacisë kosovare ka kërkuar edhe nga Lëvizja Vetëvendosje që ta votojnë këtë marrëveshje, pasi sipas tij është jetike për interesin e qytetarëve të Kosovës.

“Do të ishte mirë që edhe VV-ja ta votojë këtë projektligj nëse konsideron se është në shërbim të qytetarëve të Kosovës dhe në shërbim të vendit, unë do të isha i prirur të pres edhe nga VV një lëvizje të tillë”, ka thënë presidenti i AKR-së.

Pacolli është shprehur optimist se edhe deputetët e Listës Serbe do ta votojnë marrëveshjen për shenjëzimin e kufirit me Malin e Zi.

Zv/kryeministri i parë në qeverinë e Kosovës është zotuar se nëse demarkacioni ratifikohet më së largu në fillimin e muajit mars, liberalizimi i vizave do të ndodhë në muajin shtator.

“Sidoqoftë marsi pjesa e parë e marsit për ne është kurciale, shumë me rëndësi dhe nëse ndodhë ratifikimi i demarkacionit në pjesën e parë të marsit, ne do të mundemi të llogarisim me liberalizim të vizave diku kah shtatori”, ka thënë Behgjet Pacolli për Lajmi.net

Intervista e plotë:

Lajmi.net: Koalicionit së paku i nevojiten edhe 2-3 vota për ratifikimin e Demarkacionit. Z.Pacolli sa jeni optimist që kjo marrëveshje do të kalojë të mërkurën në Kuvend?

Behgjet Pacolli: Unë e kam vetëm një hezitim për me u shpreh pozitivisht për të mërkurën, kam vetëm një hezitim që do të ketë shumë debat. E di ka shumë deputetë që duan të flasin aty, koha është ajo që është, nuk e di a do të premton koha. Por sigurisht është një shenjë e mirë që ka unifikim të mendimit të partive shqiptare, do të ishte mirë që edhe Vetëvendosja ta mbështetë këtë dhe krejt kauzën tonë ta bëjmë të pavarur nga të tjerët.

Lajmi.net: A keni pasur deri tash diskutime me Listën Serbe që deputetët e kësaj partie ta votojnë këtë marrëveshje?

Behgjet Pacolli: Po e përsëris do të ishte mirë që edhe VV-ja të jetë unike për demarkacionin duke ditur se qytetarët e Kosovës sot mbi 90% e kanë mirëpritur një zhvillim pozitiv si ka ndodhur dje, dhe poashtu qyterët e Kosovës e presin që kjo kauzë të përfundojë në dobi të interesit të Kosovës, dhe të hapet perspektiva e mëtutjeshme e Kosovës. Do të ishte mirë që edhe VV-ja ta votojë këtë projektligj nëse konsideron se është në shërbim të qytetarëve të Kosovës dhe në shërbim të vendit, unë do të isha i prirur të pres edhe nga VV një lëvizje të tillë

Lajmi.net: Po Lista Serbe, a ka gjasë ta votojë Demarkacionin?

Behgjet Pacolli: Jam i bindur se serbët do ta votojnë demarkacionin,kam pak hezitime do të thotë kur për arsye si e dini deputetët e Kuvendit të Kosovës nganjherë nuk janë 100% të përgjegjshëm që në momente të caktuara të jenë prezentë në sallë. Kam frikë mos po ndodhë ndonjë lëvizje e deputetëve dikush me arsye dhe dikush pa arsye. Nuk ka asnjë shenjë që kjo kauzë e cila është e interesit gjithë kosovarë mundet me çalu apo bojkotuar prej dikujt në Kosovë.

Lajmi.net: Çka do të ndodhë nëse hipotetikisht dështon të ratifikohet demarkacioni. Shpesh kemi pasur deklarata që mund të rrezikohet edhe koalicioni. Cilat do të ishin pasojat?

Behgjet Pacolli: Nuk besoj që koalicioni lëkundet. Është shumë një lëvizje pozitive që është vlerësuar nga qytetarët dhe nga Haradinaj dhe besoj që në kornizën e krejt këtij pozitiviteti dhe vullnetit për t’i kontribuyar vendit, për të ecur përpara me proceset.Kosova është peng i këtij problemi qe 3-4 vite dhe në këtë pozicion duhet  të ndodhë edhe ratifikimi i demarkacionit. Nuk besoj se ka lëkundje të koalicionit dhe koalicioni është unik, por normalisht duhet të jemi të kujdesshëm që në moment tq shkohet në votim të jenë prezentë deputetët që të votohet demarkacioni.

Lajmi.net: Kur do të ndodhë liberalizimi i vizave nëse demarkacioni miratohet?

Behgjet Pacolli: Jam i bindur se ekziston një disponim gjithpërfshirës, edhe partnerët tanë por edhe BE-ja që liberalizimi i vizave të ndodhë deri në fund të verës së ardhshme. Nëse do ta kryejmë kauzën e demarkacionit në mënyrë pozitive. Sidoqoftë marsi pjesa e parë e marsit për ne është kurciale, shumë me rëndësi dhe nëse ndodhë në pjesën e parë të marsit, ne do të mundemi të llogarisim me liberalizim të vizave diku kah shtatori. /Lajmi.net/