Deputetja e krahut të Albin Kurtit akuzon LDK-në dhe Qeverinë se po bëjnë veprime kriminale

Aktuale February 25, 2018 - 15:48

Njëra prej deputeteve të krahut të Albin Kurtit, Arbërie Nagavci, ka lëshuar akuza se Partia e Isa Mustafës po punon kundër Shtetit të Kosovës. Sipas saj, Qeveria bashkë me LDK’në po bëjnë veprime kriminale në dëm të interesave kombëtare. Deputetja e VV’së këtë reagim e ka shkruar nga Tirana.

Lëvizja Vetëvendosje në krye me Albin Kurtin kohëve të fundit kanë vendosur t’i akuzojnë të gjithë përveç PDK’së dhe Kadri Veselin. Nuk dihet pse po e bëjnë një gjë të tillë.

Gjatë ditës Partia e Kurtit lëshoi një akuzë për tradhti ndaj Ramush Haradinajt. Pak më vonë një deputete e VV’së e krahut të Albin Kurtit, Arbërie Nagavci, nga Tirana, shkoi se LDK bashkë me Qeverinë po bëjnë veprime kriminale duke u marrë vesh për të falur tokën e Kosovës.

“Kjo qeveri e papërgjegjshme, në bashkëpunim me LDK-në që tradicionalisht interesat e ngushta partiake i kanë vënë mbi interesat e vendit duke u përpjekur që këto veprime t’i paraqesin si konsensuse, tashmë jo vetëm se marrin vendime dhe veprime paradoksale, por e kanë humbur krejtësisht betejen me ndërgjegjen, janë dorëzuar tashmë. Ata me vetëdije të plotë po bëjnë vepër kriminale dhe po punojnë kundër interesave kombëtare”, ka shkruar Nagavci.

Image

Ajo është marrë edhe me përmbajtjen e Marrëveshjes së re të Demarkacionit të arritur ndërmjet LDK’së dhe Qeverisë. Konkretisht te fjala orientim që përodret për të përcaktuar se për cka do të shërbejë raporti i Shpejtim Bulliqit.

“Fjala “ si orjentim” e kërkuar nga LDK dhe e pranuar nga Kryeministri Haradinaj, paradoksalisht e kthen projektligjin në një dokument që do të duhej të votohej kundër nga secili deputet/e. Sipas fjalorit të gjuhës shqipe, fjala orientim është udhëzim a këshillë që i jepet dikujt për ta pasur si drejtim të përgjithshëm në një punë a në një veprimtari. Nëse Raporti i Komisionit Shtetëror për shënjimin e vijës Kufitare në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi e cila konstaton se me këtë Projektligj humben 8,200 hektarë teritor, merret si orientues, atëherë cili deputet/deputete mund të votojë pro një marrëveshje të tillë?”, ka shtuar ajo.

Grupi i Albin Kurtit ka dalë krejtësisht kundër kësaj marrëveshjeje. Mirëpo, ende nuk dihet saktë për grupin tjetër të deputetëve të Vetëvendosjes. Dardan Molliqaj e Visar Ymeri ende nuk kanë dhënë ndonjë qëndrim të qartë se si do të veprojnë. Nuk kanë treguar se si do të veprojnë as Dukagjin Gorani e Shqipe Pantina.

Burime të Express kanë thënë se gjasat janë të mëdha që deri të mërkurën përfundimisht të themelohet edhe Grupi i ri Parlamentar i Vetëvendosjes. Mirëpo, këtë nismë ende nuk po e përkrahë Shpend Ahmeti, të cilit Vetëvendosje i ka përgatitur dosje, të cilat do t’i dalin në publik nëse e lëshon partinë.