Pacolli: Klasa politike të reflektoj edhe për procese tjera

Aktuale February 24, 2018 - 21:44

Deputeti nga radhët e AKR-së, Islam Pacolli, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” e ka komentuar marrëveshjen e arritur sot mes koalicionit qeverisës për ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi, transmeton “Zëri.info”.

Pacolli ka thënë se nëse vazhdon që kjo klasë politike të jetë e bashkuar, atëherë sipas tij do të mund të zgjidheshin edhe procese tjera.

Sipas Paocllit, për të ndodhur një gjë e tillë atëherë duhet të kemi lider vizionar.

Postimi i plotë i Pacollit:

Demarkacioni me Malin e Zi mbetet tema qendrore e tre viteve të fundit në politiken kosovare, e cila ka polarizuar skajshëm qëndrimet e klasës politike. Lajmi për arritjen e konsensusit për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, në prag të vizitës së delegacionit të lartë të BE-së, rikonfirmon qëndrimin dhe synimin e klasës politike, në veçanti të Qeverisë së Kosovës për të përmbushur obligimet e saja dhe dërguar sinjal të qartë që Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar në ndërtimin e fqinjësi së mirë dhe përmbushjen e kushteve për liberalizimin e vizave dhe integrim në BE.

AKR dhe Presidenti z.Behgjet Pacolli në vazhdimësi ka bërë thirrje për gjetjen e konsensusit politike për ratifikim e marrëveshjes në fjalë si dhe afrimin politik të të gjitha partive për gjetjen e zgjidhjeve për tema me interes nacional të cilat trasojnë rrugën e integrimit të vendit në BE, si dhe përçojnë mesazh të qartë të bashkëpunimit e partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partneret e tjerë.

Konsensusi i sotëm i klasës politike duhet të reflektoj edhe në procese tjera me rëndësi, dhe kjo bëhet vetëm nëse në krye të tyre qëndrojnë lider vizionar.