Inatet politike dhe votat e Listës Serbe, vonojnë ratifikimin e Demarkacionit

Aktuale February 24, 2018 - 11:21

Debatet të shumta pati dje në seancën e Kuvendit ku u diskutua projektligji për shenjëzimin e kufirit me Malin e Zi. Replikat më të ashpra u zhvilluan ndërmjet kryeministrit Haradinaj dhe LDK-së. Ishte shefi i qeverisë kosovare që insistonte në përfshirjen e komisionit të Bulliqit në projektligjin për Demarkacion, kurse partia e Isa Mustafës kundërshtonte një gjë të tillë.

Por përveç mungesës së konsensusit te partitë politike shqiptare, ratifikimin e Demarkacionit po e vonojnë edhe votat e Listës Serbe, të cilët tashmë e kanë bërë të ditur se do të votojnë kundër.

Sipas analistit Arton Demhasaj, debatet e sotme në Kuvend ndërlidhen me inatet politike për shkak të ngjarjeve që kanë ndodhur në të kaluarën.

Demhasaj ka thënë për lajmi.net se qëndrimet e mëhershme të partive, po ndikojnë edhe tash në mënyrë që të mos tejkalohen problemet, që do të sillte një konsensus politik para ratifikimit të Demarkacionit.

“Partitë politike LDK, AAK, Nisma, PDK dhe AKR janë pajtuar që me pas një kompromis sa i përket kalimit të demarkacionit në njëfarë mënyrë që me i dhanë zgjidhje liberalizimit të vizave. Këto çka po ndodhin janë kryekëput për inate politike për shkak edhe të kaluarës që ka ndodhur. I dijmë edhe ato përballjet që kanë qenë mes partive, edhe tash për shkak të tyre po ndikojnë që të mos tejkalohen këto probleme”, ka thënë drejtori i organizatës Çohu.

Demhasaj tutje thotë se problemi kryesor do të jetë sigurimi i votave, ku ndikim të madh do të kenë deputetët e Listës Serbe.

Sipas tij edhe nëse arrihet konsensusi për raportin e Bulliqit, partitë shqiptare nuk e kanë shumicën prej 80 votash nëse demarkacionin nuk e voton ndonjë deputet i Listës Serbe apo VV-së.

“Edhe sot mendoj që nuk ka qenë çështja që partitë nuk kanë mundur të gjejnë pajtim për atë paragrafin që flet për raportin Bulliqi, por çështja kryesore është që ende nuk kanë arritur t’i sigurojnë votat e mjaftueshme prej 80 votave për ratifikim, pasi pa votuar edhe Lista Serbe në këtë proces nuk mund të kalohet edhe nëse voton LDK, AAK, PDK, AKR e Nisma. Nuk munden me i siguru 80 vota nëse nuk e voton ndonjë deputet i Listës Serbe apo i VV-së”, thotë Demhasaj për lajmi.net

Por analisti politik është optimist që të mërkurën do të sigurohen votat për ratifikimin e Demarkacionit.

Ai thotë se deri javën e ardhshme partitë shqiptare kanë gjasa që të arrijnë një kompromis.

“Për vetë faktin që dje dështoi dhe brenda 24 orëve nuk arritën me gjet as kompromis me i siguru votat, ka ndodhur një shtyerje më e gjatë që me i bind deputetët për të votuar, për të arritur një kompromis për raportin e Bulliqit që tashmë është bërë një lloj dele e zezë për partitë”, ka përfunduar Arton Demhasaj.

Ndryshe, seanca për ratifikimin e Demarkacionit do të mbahet të mërkurën nga ora 10:00.

Pikërisht në atë ditë, Kosovën do ta vizitojnë edhe përfaqësuesit e lartë të BE-së. Fjala është për presidentin e Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, shefen e diplomacisë, Federica Mogherini, dhe komisionarin, Johanes Hahn. Lajmi.net