Haradinaj: Së shpejti do ta rregullojmë statusin e personelit arsimor të viteve `90

Aktuale February 24, 2018 - 10:27

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj u ka premtuar rregullimin e statusit të të gjithë personelit arsimor, të cilët kanë punuar në vitet e `90. Këtë gjë ai e ka thënë në Kuvendin e 7-të zgjedhor  të SBASHK-ut, raporton “Zëri.info”.

“Jemi të vendosur të ecim përpara sikurse në vitet e `90 edhe statusin e punëtorëve të arsimit të viteve të `90 e kemi obligim mes tjerash moral, ta zbatojmë. Do të vie dita së shpejti kur do ta zbatojmë”, ka thënë ai.

Haradinaj ka vlerësuar rolin që kanë pasur në atë kohë arsimtarët në ngritjen e nivelit të arsimit dhe kulturës.

“Dëshmia më e mirë se jemi një popull vërtet  i suksesshëm është fakti se kemi mbajtur shkolla në vitet e `90 në kushtet që askush tjetër nuk do të kishte mundur. Për këtë arsye, falenderimi i parë kish me qenë për ju që keni arritur me e mbajtë arsimin në ato vite të presionit dhe të mohimit të gjithanshëm”, ka shtuar Haradinaj.

Kryetari I SBASHK-ut, Rrahman Jashari ka thënë se janë të përkushtuar që arsimin ta zhvillojnë në dy fronte dhe se këtë gjë ata ia kanë borxh atdheut, raporton tutje “Zëri.info”.

“SBASHKU qysh nga fillimi i saj para 26 viteve është angazhuar me tërë mundësitë në dy fronte, në njërën anë realizimin dhe mbrojtjen e kërkesave të punëtorëve  të arsimit të Kosovës, e në anën tjetër duke dhënë kontribut të lartë në ngritjen e vazhdueshme të cilësisë”, ka thënë Jasharaj.

Kryetari i sindikatave të Kosovës, Avni Ajdini ka thënë që sindikatat janë të bashkuara,  ashtu sikurse kanë qenë edhe në vitet e `90 dhe sipas tij arsimi ka pasur një zhvillim dukshëm më të madh.

“Ne sindikalistët jemi të bashkuar ashtu sic ishim edhe në të kaluarën në vitet e `90. Sot arsimi ka filluar një punë të mbarë, një ecuri përpara. Arsimi ka zhvilluar dukshëm përparim pavarësisht  vështirësive me të cilat është duke u ballafaquar”, ka thënë ai. /ZERI/