Në maj nisin ndryshimet kushtetuese për ushtrinë

Aktuale February 24, 2018 - 07:59

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë parakalimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës për nder të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë së vendit ka premtuar se shtetin e Kosovës do ta bëjë sa më shpejt me ushtri, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Në të njëjtën vijë me presidentin është edhe Qeveria e Kosovës, e cila në një përgjigje për gazetën “Zëri” ka deklaruar se formimi i ushtrisë është ndër prioritetet kryesore të Qeverisë së Kosovës dhe se është e përkushtuar që kjo të ndodhë sa më shpejt.

Ndërsa kreu i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Haxhi Shala, ka bërë të ditur për gazetën “Zëri” se në muajin maj të këtij viti nisin ndryshimet kushtetuese për formimin e ushtrisë së Kosovës. Ai shpreson se ndryshimet e tilla do të përkrahen edhe nga Lista Serbe.

Edhe zyrtarë ndërkombëtar janë të vendosur që shndërrimi i FSK-së në FAK duhet të bëhet vetëm përmes ndryshimeve kushtetuese dhe pa pasur ndryshime të tilla nuk mund të ketë formim të ushtrisë.

Në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë deklaruar për gazetën “Zëri” se FSK-ja është e gatshme për transformim, porse po presin vetëm një vendim politik për një gjë të tillë.

Në anën tjetër ekspertë të çështjeve të sigurisë vlerësojnë që shndërrimi i FSK-së në FAK është një proces në ngecje, të cilin po e pengon politika e Beogradit përmes Listës Serbe në Kosovë.

Thaçi: Kosovën do ta bëj me ushtri

“Tani gjërat kanë ndryshuar në Kosovë dhe si president i Kosovës jam i vendosur që shtetin  e Kosovës ta bëjmë me ushtrinë e saj sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka thënë ditë më parë presidenti Thaçi gjatë parakalimit të FSK-së për nder të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë.

Në lidhje më formimin e ushtrisë së Kosovës nga Qeveria e Kosovës kanë deklaruar që janë të përkushtuar që kjo gjë të ndodhë sa më shpejt edhe pse nuk kanë ndonjë datë të caktuar se kur do të ndodhë një gjë e tillë. “Angazhimi i kryeministrit Haradinaj dhe i institucioneve të Kosovës është i koordinuar mirë dhe gjithëpërfshirës, me qëllim që procesi të përmbyllet në rrugë kushtetuese e ligjore dhe ta ketë mbështetjen e plotë të partnerëve ndërkombëtarë. Çështja e shndërrimit është çështje e cila është në proces dhe si e tillë nuk mund ta ketë një datë të caktuar të finalizimit. Por Qeveria është e përkushtuar që kjo të ndodhë sa më parë”, ka thënë Donjeta Gashi, zyrtare për informim në Qeverinë e Kosovës.

Komisioni për Mbikëqyrjen e FSK-së nuk dakordohet me deklarata

Kryetari dhe nënkryetari i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcave të Sigurisë së Kosovës nuk janë dakorduar në lidhje me formimin e ushtrisë pasi deklaratat e tyre kanë qenë të ndryshme nga njëri-tjetri.

Haxhi Shala, kryetar i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, ka deklaruar për “Zërin” se formimi i ushtrisë pritet të bëhet shumë shpejt, pasi edhe Lista Serbe ka filluar të pajtohet për formimin e ushtrisë. “Po besoj që theksi politik shqiptar është unik dhe kemi vendim me përjashtim të Listës Serbe, por edhe ata në një kohë shumë të shkurtër do ta vlerësojnë shumë më pozitiv krijimin e ushtrisë së Kosovës, kështu që besoj se nuk do të kemi pengesa”, ka thënë Shala.

Ai po ashtu ka thënë se në maj pritet që të ketë ndryshime kushtetuese, duke shpresuar që edhe Lista Serbe do t’i përkrahë këto ndryshime. “Në muajin maj të këtij viti do t’i kemi ndryshimet kushtetuese për ushtrinë dhe besoj se deri në atë kohë edhe klima politike do të ndryshojë dhe besoj që do ta marrin edhe pëlqimin e Listës Serbe për krijimin e ushtrisë së Kosovës”, ka shtuar ai.

Ndryshe nga kryetari mendon Rexhep Selimi, i cili është nënkryetar i këtij Komisioni. Sipas Selimit, Kosova është shumë hapa larg krijimit të ushtrisë. Sipas tij, politika e Beogradit përmes Listës Serbe po e ndalon këtë proces. “E keqja është se tash për tash Kosova është shumë hapa larg formimit të ushtrisë dhe kjo është për të ardhur keq. Në mesin e faktorëve tjerë, faktori kyç po duket të jetë Beogradi i cili ka rol përcaktues përmes Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Selimi.

Sipas tij, Lista Serbe ka rol përcaktues në Kuvend dhe se pa pasur shumicën e votave aty nuk mund të ketë krijim të ushtrisë. “Lista Serbe në Kuvendin e Kosovës dihet që ka rol përcaktues sepse për ndryshimet kushtetuese nevojitet shumica e unifikuar. I bie që de facto shumica serbe ka të drejtë veto kushtetuese në këtë rast edhe në formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës”, ka thënë ai.

James Foggo: Kosova duhet ta formojë ushtrinë me reforma kushtetuese

Komandantit i Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, James Foggo, në një konferencë për shtyp ka deklaruar se shndërrimi i FSK-së në ushtri mund të bëhet vetëm përmes reformave kushtetuese dhe se për këtë janë në dijeni edhe liderët e Kosovës.

“Aleanca e NATO-s dhe Këshilli i Atlantikut Verior ishin këtu para disa muajsh dhe ata e bënë shumë të qartë se për NATO-n nëse bëhet transformimi i FSK-së në ushtri të Kosovës duhet të bëhet pas ndryshimeve kushtetuese”, ka thënë Foggo.

Qehaja: Ushtria është çështje e politikës diplomatike

Sipas njohësit të çështjeve të sigurisë Ramadan Qehajës formimi i ushtrisë është i varur nga ndryshimet kushtetuese, të cilat po pengohen nga Lista Serbe. “Pengesën kryesore e ka bërë Lista Serbe, e cila nuk ka dashur t’i votojë ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës”, ka thënë Qehaja.

Ai ka thënë po ashtu se janë duke e bërë një ligj në bazë të të cilit nuk do të ketë ndryshime në emër, mirëpo vetëm në avancimin e çështjeve ushtarake. “Ne jemi duke shqyrtuar mundësinë që kjo të rregullohet edhe me një ligj të posaçëm sepse Forca e Sigurisë së Kosovës e përcjell ligjin, i cili mund të bëhet për të, të mbetet si e tillë me emër, por me disa avancime që kanë të bëjnë me çështje ushtarake”, ka shtuar ai.

MFSK: Po presim vendimin politik për transformimin e FSK-së

Zyrtarë nga Ministria e Forcës dhe e Sigurisë së Kosovës kanë bërë të ditur se transformimi i FSK-së në ushtri do të ndodhë në kohën kur partitë politike do ta arrijnë një konsensus në mes tyre. “Transformimi i FSK-së do të ndodhë në atë moment kur partitë politike parlamentare do të gjejnë konsensus për ndryshimet kushtetuese për të ndërruar misionin aktual të FSK-së”, thuhet në përgjigjen e MFSK-së. Po ashtu, sipas tyre, FSK-ja është e gatshme për transformim dhe se ata po presin një vendim politik për këtë gjë.

“FSK-ja e ka përgatitur tërë bazën ligjore që është e nevojshme për transformim, ka përgatitur planin gjithëpërfshirës, planet afatshkurta, afatmesme, si dhe afatgjata. FSK-ja është e gatshme për transformim. Ajo pret vetëm vendimin politik për transformim”, kanë shtuar ata./Zëri