Demarkacioni kalon kufijtë!

Aktuale February 24, 2018 - 07:56

Për të dytën herë në këtë javë ka dështuar seanca në të cilën pritej të votohej Marrëveshja e Demarkacionit të Kufirit me Malin e Zi. Partitë politike nuk po arrijnë konsensus rreth formulimit të Ligjit për Ratifikimin e Demarkacionit, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdon të kërkojë heqjen e raportit të Komisionit të Shpejtim Bulliqit nga Pakoja e Demarkacionit, por kjo kërkesë po kundërshtohet edhe më tutje nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila thotë se vota e kësaj partie pro Demarkacionit shkon vetëm nëse përfshihet ai raport. Madje kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se deputetëve të LDK-së duhet t’ju vijë turp, pasi po e kundërshtojnë raportin i cili ia kthen Kosovës tokën e humbur me Marrëveshjen e Vjenës. Partnerët e koalicionit qeverisës, PDK-ja dhe Nisma, u shprehën të gatshëm që të votojnë këtë marrëveshje.

Në anën tjetër, lëvizja “Vetëvendosje” vazhdon t’i mbrojë qëndrimet e saj se nuk do ta votojë marrëveshjen aktuale të Demarkacionit, për shkak se Kosova humb territor me këtë marrëveshje, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Ndërkohë ende nuk dihet nëse deri të mërkurën do të ndryshojë qëndrimi i Listës Serbe, pa votat e së cilës kjo marrëveshje nuk do të kalojë.

Haradinaj LDK-së: Marre ju qoftë!

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj gjatë seancës së djeshme ka kritikuar Lidhjen Demokratike të Kosovës për kërkesën që e ka bërë për heqjen e raportit të Komisionit të Shpejtim Bulliqit nga Pakoja e Demarkacionit.

"Kemi mbërritur të vijmë me një materie para juve deputetë. E para, ligji që ka ardhur tek ju e ratifikon marrëveshjen e 26 gushtit 2015. Qeveria e vendit tuaj e ka formuar një komision që të shihen ato dilema. Nuk është i Ramush Haradinajt, por i Kosovës... Ku po ju dhemb, o vëllezër e motra? Çka keni kundër territorit tuaj? Nuk po ju vjen marre! Marre ju qoftë. Këtë e keni problem a, po ju pengon që po kërkohet të kthehet guri atje a? Epo sa të jem unë, jo. Kësaj Pako nuk i heq as edhe një shkronjë, sa të jem unë, jo. Atëherë leni qytetarët pa viza”, ka thënë ndër të tjera kryeministri Haradinaj.

Ai me një gjuhë të ashpër shtoi se "asnjë germë nuk ndryshon dhe ky version qëndron".

Hoti: E votojmë ligjin pa raportin e komisionit “Bulliqi”

Në anën tjetër, pavarësisht kritikave të kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinajt shefi i Grupit Parlamentar i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se partia e tij do ta mbështesë Marrëveshjen e Demarkacionit me deklaratën e përbashkët të presidentëve, të Kosovës dhe të Malit të Zi, por pa raportin e Komisionit të Shpejtim Bulliqit.

Hoti ka thënë se Demarkacionin do të duhej ta votonin partitë shqiptare pa pasur nevojë për 10 votat e Listës Serbe. Ai po ashtu ka theksuar se është arritur pajtimi që në Pako me Marrëveshjen e Demarkacionit të futet edhe vendimi i Komisionit Ndërkombëtar i themeluar nga ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe konstatimet e Komisionit të ASHAK-ut në krye me akademik Hivzi Islamin. “Ne po presim që tash të fillojë seanca për të marrë një vendim të rëndësishëm për lëvizjen e lirë. Ftojmë partitë që të reflektojnë karshi interesit të vendit. LDK-ja është unike që ta mbështesë plotësisht këtë marrëveshje. E kemi përkrahur edhe deklaratën e përbashkët të presidentëve”, ka deklaruar Hoti.

Ai ka apeluar që të respektohet procedura për ratifikim të marrëveshjes dhe të arrihet konsensusi i nevojshëm për ratifikimin e Demarkacionit.

Konjufca: Të ruhet territori i Kosovës

Në anën tjetër lëvizja “Vetëvendosje” u ka qëndruar prapa parimeve të veta për kundërshtimin e Demarkacionit. Kryetari i Grupit Parlamentar të “Vetëvendosjes”, Glauk Konjufca, ka thënë se është shumë më e rëndësishme ruajtja e territorit të Kosovës sesa liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës. “Pse po kërkoni që opozita të votojë për Demarkacionin? Për këtë le të vendosë ai që ka vënë nënshkrimin në marrëveshje. Opozita nuk është përgjegjëse”, ka thënë Konjufca. Ai po ashtu ka theksuar se për humbjen e territorit duhet të pyetet populli dhe jo ai që ka vënë nënshkrimin.

PDK: Jemi të gatshëm ta votojmë Demarkacionin

Partia Demokratike e Kosovës nuk e kundërshton asnjë nga raportet dhe versionet që janë sjellë në Kuvend para deputetëve. Ishte kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i cili ka thënë se edhe partia e tij është e gatshme për një zgjidhje që u mundëson qytetarëve të Kosovës lëvizje të lirë. “Ne jemi të përgatitur që ta kalojmë me epilog këtë çështje. Ne jemi për një zgjidhje që nuk e prek në asnjë mënyrë substancën e projektligjit”, ka thënë Krasniqi. Po ashtu ai ka shtuar se ndërkombëtarët kanë pritur që ne ta kalojmë këtë problem.

Krasniqi gjithashtu ka thënë se pikërisht tani kur Kuvendi është pranë për ta pasur shumicën për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, është për keqardhje që të ketë dallime në finesa të terminologjisë për të arritur në një tekst të përbashkët që i adreson recepcionet e secilit grup parlamentar.

Isufi: Demarkacioni duhet të kalojë

Ahmet Isufi, nga AAK-ja, ka thënë se Marrëveshja e Demarkacionit duhet të kalojë pasi ky proces do t’i hapë rrugën liberalizimit të vizave. "Marrëveshja me dokumentacionin e grupit qeveritar dhe marrëveshja mes dy presidentëve hap rrugën për liberalizimin e vizave", ka thënë ai. Sipas tij, deputetët nuk duhet të kenë asnjë hezitim dhe duhet të kalohet ky proces.
Isufi gjithashtu ka insistuar që në Pakon e Projektligjit për Ratifikimin e Demarkacionit të futet edhe raporti i Komisionit të Shpejtim Bulliqit. “Kemi një projektligj që saktëson elementet që kanë qenë të kundërshtuara për shkak të gabimeve që kanë ndodhur, prandaj marrëveshja me dokumentacionin e komisioneve qeveritare dhe deklaratat e presidentëve hapin rrugën për korrigjim dhe ne jemi angazhuar që të bëhet korrigjimi që është pranuar edhe nga Mali i Zi”, është shprehur Isufi.


 “Vetëvendosja” nuk merr pjesë në takim me Veselin

Pasi kryetari i Kuvendit Kadri Veseli vendosi të shkohet në pauzë pesëminutashe në mënyrë që shefat e grupeve parlamentare të mundnin të konsultoheshin për të shmangur Rregulloren e Kuvendit, në mënyrë që kjo marrëveshje të trajtohet me procedurë të përshpejtuar. Ishte “Vetëvendosja” e vetmja parti e cila nuk mori pjesë në këtë takim.
Po ashtu lëvizja “Vetëvendosje” ka sjellë prapë në Kuvendin e Kosovës peticionin e nënshkruar nga 205 mijë qytetarët kundër Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi dhe për kundër Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i cili ishte organizuar para më shuam se dy vjetësh nga partitë opozitare. Ky peticion ishte sjellë me forcë në Kuvendin e Kosovës nga Ramush Haradinaj, atëherë pjesë e opozitës. Deputetët e “Vetëvendosjes” kanë deklaruar se e kanë marrë këtë peticion me vete në seancë për t’ia kujtuar Haradinajt se mbi 200 mijë qytetarë, duke e përfshirë edhe atë vetë, ishin nënshkrues të kësaj marrëveshjeje për të cilën tani po kërkon të votohet.

Seanca shtyhet për ditën e mërkurë

Me 60 vota pro Kuvendi vendosi që seanca e jashtëzakonshme për Demarkacionin të shtyhet për ditën e mërkurë. Pas një pauze gjysmorëshe të kërkuar nga kryetari i Kuvendit Kadri Veseli erdhi edhe vendimi për shtyrjen e kësaj seance.

LDK-ja dhe PDK-ja ishin të parat që kërkuan që seanca për ratifikimin e Demarkacionit të shtyhet për një ditë tjetër në mënyrë që t’u jepet kohë partive politike që të arrijnë konsensus. Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë që do të ishte mirë që seanca të shtyhet pasi nuk është e mundur që të votohet kjo marrëveshje. "Ne mendojnë se më e rëndësishmja është që të hyjmë në një proces, i cili mundëson ratifikimin e marrëveshjes. Duke e parë që kjo gjë është e pamundur ne jemi në favor të asaj që 5 shefat e grupeve parlamentare u dakorduam se seanca do të vazhdojë të hënën, në orën 10:00", ka thënë Krasniqi.

Edhe AAK-ja e Nisma  e ka mbështetur këtë propozim. Megjithatë, u vendos që seanca të vazhdohet të mërkurën.

Të mërkurën për vizitë në Kosovë do të vijë një delegacion i Bashkimit Evropian për të parë për së afërmi se sa është duke i përmbushur Kosova kushtet e përcaktuara për liberalizimin e vizave.
Gjatë javës së ardhshme edhe presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker, shefja për Politikë të Jashtme dhe Siguri e BE-së Federica Mogherini dhe komisionari për Zgjerim Johannes Hahn do t’i vizitojnë vendet e Ballkanit, duke përfshirë edhe Kosovën. Kjo vizitë e tyre do të zhvillohet në kuadër të një turneu të tyre në Ballkanin Perëndimor.