Ultimatumi ndërkombëtar për Demarkacionin

Aktuale February 24, 2018 - 07:52

Pas dy dështimeve të njëpasnjëshme të Kuvendit të Kosovës për miratimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, në mungesë të konsensusit të brendshëm politik bashkësia ndërkombëtare po kërkon nga subjektet politike që sa më shpejt ta përmbyllë këtë çështje, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Zyrtarë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, nga Ambasada e Gjermanisë, si dhe nga Komisioni Evropian kanë thënë se ratifikimi i Demarkacionit është hap vendimtar në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Ambasadori i amerikan në Kosovë, Greg Delawie, pas shtyrjes së seancës për Demarkacionin për të mërkurën e ardhshme ka kërkuar nga partitë politike që të arrijnë një marrëveshje për të ratifikuar Marrëveshjen e Vjenës. Ai ka thënë se partitë duhet të bëjnë marrëveshje që i vendos qytetarët në radhë të parë, shkruan sot Gazeta "Zëri".

“Tani është koha që të gjitha partitë politike të demonstrojnë lidership. Bëni një marrëveshje që i vendos qytetarët në radhë të parë. Kaloni Marrëveshjen e Demarkacionit”, ka shkruar Delawie në llogarinë e tij në “Twitter”

Edhe Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë përmes një përgjigjeje për gazetën “Zëri” ka inkurajuar partitë politike për të arritur konsensus rreth kësaj çështjeje. Kjo Ambasadë ka potencuar faktin se ratifikimi i Demarkacionit është hap vendimtar për liberalizimin e vizave për kosovarët.

“Ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacionin e Kufirit është një hap vendimtar drejt arritjes përfundimtare të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Me ngulm inkurajojmë partitë politike të bashkëpunojnë dhe të arrijnë një konsensus. Arritja e një konsensusi është në interesin e të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe duhet të merret si përgjegjësi e përbashkët për këtë vend”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së Gjermanisë.

Ndërsa zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq, ka thënë për “Zërin” se në Bashkimin Evropian është mirëpritur marrëveshja e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi me presidentin e Malit të Zi për çështjen e demarkacionit.

“Ne e mirëpresim hapin pozitiv të ndërmarrë javën e kaluar nga presidenti Thaçi dhe nga presidenti Vujanoviq. Ky është një sinjal konkret i progresit, në frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe tregon se edhe çështjet e ndërlikuara mund të ecin përpara. Kjo shenjë inkurajuese tani duhet të ndiqet. Kjo është fryma që BE-ja do të dëshironte të shihte gjithnjë e më shumë, ndërsa rajoni po i afrohet BE-së, një element i theksuar në Strategjinë e Komisionit të botuar së fundmi në Ballkanin Perëndimor”, ka deklaruar Kocijançiq.

Më tej ajo ka thënë se e mirëpresin ratifikimin e shpejtë të Marrëveshjes së Vjenës nga Kuvendi i Kosovës. “Në këtë kontekst, ne mirëpresim ratifikimin e shpejtë të Marrëveshjes së Demarkacionit të Kufirit me Malin e Zi nga ana e Kosovës”, ka shtuar Kocijançiq.

Ndërkohë Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë nuk i ka komentuar zhvillimet e fundit rreth çështjes së demarkacionit. Kjo Ambasadë ka thënë se ratifikimi i marrëveshjes së 26 gushtit 2015 është çështje e në mes të Kosovës dhe Malit të Zi.

“Çështja e ratifikimit të Marrëveshjes së Demarkacionit të Kufirit me Malin e Zi është çështje bilaterale në mes të Kosovës dhe Malit të Zi”, thuhet në qëndrimin e Ambasadës Britanike.