Kelmendi- koalicionit qeverisës: LDK nuk do ta pengojë ratifikimin e demarkacionit nëse i keni votat

Aktuale February 23, 2018 - 22:05

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ramiz Kelmendi ka komentuar çështjen e ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi, ku ka theksuar se “LDK nuk do të pengojë me asnjë veprim ratifikimin e marrëveshjes nëse i keni votat”.

“Ne gjithnjë kemi qenë korrekt dhe kemi pasur pajtueshmëri që nëse në Kuvend sillet marrëveshja e korrigjuar, ne do të votojmë pa asnjë hezitim, por, për marrëveshje të vjetër dhe letra të tjera mbështetëse për të ruajtur fytyrën, për pengesën 3 vjeçare, kjo gjë nuk kalon”, ka shkruar Kelmendi në Facebook.


Kelmendi po ashtu ka përmendur edhe raportin e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2017 ku Kosova radhitet e 85-ta.

Ai ka thënë se sipas gjetjeve të IPK-së Kosova kësaj radhe shënon rënie në ranglistën e korrupsionit dhe krimit te organizuar për vitin 2017 dhe ky patjetër se është lajm tejet i mirë për vendin.

” Rangimi i pozitës së Kosovës më poshtë në raport me renditjen e vitit 2016, tregon qartë se puna e mirë e qeverisë Mustafa dhe e koalicionit PDK-LDK, arritën që së paku të ndalojnë edhe krimin edhe korrupsionin duke mos qenë asnjë nga liderët dhe antarët e kabinetit qeveritarë, me të shkuar të dyshimtë apo procese të hapura me dyshime rreth këtyre dukurive”, ka shkruar Kelmendi.

Postimi i plotë i tij:

Mos i përvetësoni sukseset e qeverisë Mustafa

Përmirësimi i përceptimit të zvogëlimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit për Kosovën dhe aktualiteti rreth Demarkacionit, çështje që po flasin vet.


Sipas gjetjeve të Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit (IPK 2017) të publikuar nga Transparency International Kosova kësaj radhe shënon rënie në ranglistën e korrupsionit dhe krimit te organizuar për vitin 2017 dhe ky patjetër se është lajm tejet i mirë për vendin.

Rangimi i pozitës së Kosovës më poshtë në raport me renditjen e vitit 2016, tregon qartë se puna e mirë e qeverisë Mustafa dhe e koalicionit PDK-LDK, arritën që së paku të ndalojnë edhe krimin edhe korrupsionin duke mos qenë asnjë nga liderët dhe antarët e kabinetit qeveritarë, me të shkuar të dyshimtë apo procese të hapura me dyshime rreth këyre dukurive.

Në qeverisjen Mustafa çdo anëtarë i qeverisë i cili ka pasur akuzë për këto çështje është dashur të largohet me dorëheqje apo do ishte shkarkuar. Është paradoks që sot dëgjojmë dhe shohim tentaviva që këto suksese të qeverisë Mustafa, dikush nga qeveria aktuale ti përvetësojë, të tubojë poena pozitivë për punën e gjertanishme të qeverisë aktuale. Jo, kjo nuk është e drejt.

Për punën dhe sukseset e qeverisë së tashmë do të kemi raportin në vitin 2019. Sot Kosova po përballet me një çështje të rëndësishme, që është krimi dhe korrupsioni e që është edhe kushti i parë apo i fundit për tu plotësuar, pra luftimi i këtyre dukurive të sipërpërmendura dhe ate në nivele të larta si dhe kushti për demarkacionin, si kusht për liberalizimin e vizave.

Është me rëndësi që të sqarohemi në disa çështje poaq me rëndësi si këto të parat, e që konkretisht tani është çështja e marrëveshjes për demarkacionin e vitit 2015. Në nenin shtatë, qartë thuhet se çdo dokument i cili gjendet pas ratifikimit të marrëveshjes, duhet të pranohet dhe të implementohet në terren. Së dyti, ka pasur edhe marrëveshje tjetër ndërmjet kryeministrave e cila bazohej në ndryshime teknike të kufirit, gjë që mundëson shkëmbimin e territoreve, (në masë të vogël kuptohet), kur ndonjë qytetari i është përgjysmuar toka duke u ndarë në dy shtete, qasja ne liqene, qasja në burime uji, rrugë dhe kullosa. Pra të gjitha kërkesat teknike kanë pasur mundësi të përmirësohen në bazë të marrëveshjes në mes të kryeministrave të dy shteteve.

Jemi dëshmitarë, se edhe përkundër dëshirës dhe tentativave të disa anëtarëve të qeverisë aktuale për të tubuar poenët pozitiv të trasuar nga qeveria Mustafa, në adresë të tyre, LDK si parti institucionaliste, ka mundësuar që qeveria e re të punojë e papenguar për 100 ditëshin e parë, edhe pse të njejtën gjë opozita e atëhershme nuk e zbatonte ndaj nesh. Së dyti, LDK po pranon të jetë pjesë pozitive e votimit të demarkacionit edhe pse kjo qeveri është fituese dhe formuese në bazë të parimit të vendimeve të medha e që sipas këtij parimi do ishte dashur që të krijonte votat nga antarët e vet. LDK nuk do të pengojë me asnjë veprim ratifikimin e marrëveshjes nëse i keni votat, (edhe atë të kembëngulësisë politike të disave), por të kërkosh mbështeje dhe të dëshirosh që në secilin fjalim të jesh qortues ndaj qëndrimin politik të LDK-së, nuk është korrekte. Për këtë, ne kemi votën unike por edhe individuale, dhe nuk lejojmë të krijohemi palë në konflikt dhe të krijohet opinioni që LDK dhe AAK janë palë. Jo, ne nuk jemi palë në këtë. Palë në këtë çështje janë vetëm anëtarët e koalicionit të cilët nuk po kanë mundësi të krijojnë votat për votim as nga rradhët e veta. Edhe ne gjithnjë kemi qenë korrekt dhe kemi pasur pajtueshmëri që nëse në Kuvend sillet marrëveshja e korrigjuar, ne do të votojmë pa asnjë hezitim, por, për marrëveshje të vjetër dhe letra të tjera mbështetëse për të ruajtur fytyrën, për pengesën 3 vjeçare, kjo gjë nuk kalon.

Kur shofim se në atë kohë të dy nënshkruesit e marrëveshjes ishin shpallur tradhëtarë, tani një deklaratë e re pa efekte juridike e nënshkruar nga po i njëjti njeri, qenka valide ?Po, valide është se nëse nuk implementohet, atëherë do të bie Qeveria.

LDK si parti institucionaliste, po ofron gjithnjë zgjidhje që e avancon pozitën politike të Kosovës, nuk po përdorë asnjë mjet jo demokratik, nuk po pengon mbarëvajtjen dhe sigurinë e seances, gjithnjë në funksion të përmirësimit të jetës dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve por edhe të levizjes së lirë të afaristëve në mënyrë që ekonomia jonë të gjejë treg në EU. Pra, me asnjë mjetë pozita dhe mediat mbështetëse të saj nuk duhet të mendojnë që të ndërtojnë palë në konflikt, për të dëmtuar pozitën dhe imazhin e LDK-së.