Pacolli: Janë për keqardhje sjelljet destruktive të Bosnjës dhe Serbisë, BE-ja të reagojë menjëherë

Aktuale February 23, 2018 - 19:23

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli ka reaguar lidhur me mos-ftesën e Kosovës në Samitin e Banjalukës në Bosnje.

“Bosnja dhe Serbia duhet përfundimisht ta kuptojnë se nuk do te ketë bashkëpunim rajonal dhe fqinjësor pa prezencën dhe pjesëmarrjen e plotë, të barabartë dhe pa kushte të Republikës së Kosovës në të gjitha Nismat dhe Organizatat Rajonale dhe Evropiane.

Përpjekjet e ulëta diplomatike për të ndryshuar rrjedhën e këtij realiteti dhe sjelljet destruktive të Bosnjës dhe Serbisë janë kundër zotimeve, që këto shtete kanë marrë karshi Bashkimit Evropian, vlerave evropiane si dhe frymës për një bashkëpunim rajonal konstruktiv” , ka thënë Pacolli.

Pacolli u ka bërë thirrje përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, që të reagojnë ndaj përpjekjeve dhe veprimeve të tilla aspak racionale, qëllimkëqija, që minojnë të arriturat e deritanishme dhe janë kundër vlerave dhe parimeve të BE-së.

Nëpërmjet të së njëjtës deklaratë, kreu i diplomacisë kosovare i ka mirëpritur dhe vlerësuar si plotësisht të arsyeshme dhe të drejta reagimet e dy shteteve fqinje, respektivisht Shqipërisë dhe Maqedonisë për të mos marrë pjesë në këtë Samit për shkak të mos dërgimit të ftesës ndaj Kosovës.