AAK: Nuk do të lëshohet momentumi për Demarkacionin

Aktuale February 23, 2018 - 18:28

AAK përmes një komunikate për media, vlerëson se Projektligji për Demarkacionin me Malin e Zi, është rezultat i një pune të madhe dhe përpjekjeve të vazhdueshme të spektrit politik e të partnerëve ndërkombëtarë.

“Nuk ka qenë aspak e lehtë që të mbërrihet deri në këtë pikë dhe në këto çaste vendimtare, është i domosdoshëm kontributi i të gjithëve”, thuhet në komunikatën e kësaj partie.

Tutje, thuhet se AAK beson se projektligji i propozuar nga Qeveria është bazë e mirë ligjore, e cila garanton shënjim korrekt të kufirit me fqiun tonë Malin e Zi, qasja e të cilit duhet vlerësuar po ashtu.

“Ky projektligj, njëkohësisht është në interes të qytetarëve, lirisë së tyre të lëvizjes, por edhe të rrugëtimit të Kosovës e të Malit të Zi drejt BE-së!”, thuhet tutje.

“Prandaj ne besojmë fuqishëm se nuk do të lëshohet momentumi i krijuar dhe u bëjmë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që të mërkurën që vjen, me votën e tyre ta miratojnë projektligjin e propozuar nga Qeveria dhe t’i japin një shansë vendit duke e ruajtur njëkohësisht, çdo metër të territorit të vet”, përfundon komunikata nga kjo parti.