Ish ambasadori amerikan në Beograd: Këta janë 4 epilogë të mundshëm për çështjen e Kosovës

Aktuale February 23, 2018 - 18:02
Ish ambasadori amerikan në Beograd

Kompromisi për çështjen e Kosovës mund të arrihet vetëm me marrëveshje direkte ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, thotë ish ambasadori amerikan në Serbi, William Montgomery, por thekson se nuk është optimist në këtë drejtim. 

“Nuk jam optimist për çështjen e Kosovës, pres që kjo çështje do të vazhdojë të rëndojë regjionin. Mendimi im personal është se nëse do të ketë zgjidhje me kompromis, atëherë kjo do të jetë rezultat direkt i marrëveshjes ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, është shprehur ai në një intervistë për televizionin publik Serb RTS, ndërsa vlerëson se për këtë ekzistojnë 2 pengesa të mëdha.

E para është se shqiptarët e Kosovës e kanë përkrahjen e amerikanëve për të mbajtur qëndrimin për pavarësi të Kosovës në kufijtë e tanishëm.

“Derisa të SHBA’të të kenë këtë qëndrim, ka pak gjasa që ndonjë politikan shqiptar nga Kosova të marrë mbi vete rrezikun për të dhënë çfarëdo pjese të territorit”, thekson ai.

Montgomery beson se shanset më të mira për të tejkaluar këtë pengesë janë tani nën udhëheqjen e presidentit Donald Trump, sepse strukturave më të larta të qeverisë amerikane nuk u intereson fare ku rajon.

Pengesa e dytë, thotë ai, është se një kompromis i mirë do të ishte i atillë që shumëkush nga të dyja anët do ta konsideronte të papranueshëm dhe do t’a kundërshtonin.

“Mendoj se kjo do të ishte shumë e vështirë edhe për Serbinë, edhe për shqiptarët e Kosovës, por veçanërisht për këta të fundit”, është shprehur ai.

Sipas Montgomery, janë 4 epilogë të mundshëm kur bëhet fjala për Kosovën.

I pari është vazhdimi i situatës aktuale, që në fund do të përdorej për të bllokuar pranimin e Serbisë në BE.

I dyti është normalizimi i marrëdhënieve pa pranimin direkt të pavarësisë së Kosovës nga serbët.

“Pres që BE të kërkoj nga Serbia të ndikojë te Rusia të mos e bllokojë pranimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, në këmbim të anëtarësimit të Serbisë në BE”, thotë ai.

Epilogu i tretë i mundshëm sipas tij, do të jetë i tillë që pak para se të fundit të procesit të anëtarësimit (të Serbisë në BE), do të vihet mundësia e zgjedhjes sipas parimit “merre ose leje” – “pranoni pavarësinë e Kosovës dhe hyni në BE ose refuzoni dhe nuk do të jeni anëtar.

Epilogu i katër i mundshëm sipas tij është që udhëheqësit e Serbisë dhe ata të Kosovës të arrijnë marrëveshje, në të cilën do të ketë elementë që nuk do u pëlqejnë bashkësisë ndërkombëtare.

Si shembull të këtyre elementëve ai e përmend ndarjen e Kosovës, ku një pjesë më e vogël e territorit të saj do i bashkohej Serbisë.