'Molla e sherrit' mes LDK-së dhe AAK-së

Aktuale February 23, 2018 - 13:53

Kalkulimet politike midis LDK-së dhe AAK-së nuk janë duke e lejuar arritjen e një konsensusi për ta kaluar Demarkacionin me Malin e Zi.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë bllokuar në një fjalë të vetme në Draft-Marrëveshjen e diskutuar gjatë tërë ditës së djeshme mes subjekteve politike.

Molla e sherrit ndodhet në Nenin 3 të Projektligjit për Shënimin e Kufirit Shtetëror mes Kosovës dhe Malit të Zi.

LEXO EDHE: Haradinaj LDK-së: Marre iu qoftë, lejini qytetarët pa viza pra

Në Nenin 3, Pika 2 theksohet se pjesë përbërëse e Projektligjit është edhe dokumentacioni zyrtar i Komisionit Shtetëror për Shënimin e Kufirit.

Në këtë Pikë nuk potencohet për cilin Komision bëhet fjalë, për atë të Murat Mehës apo për atë të Shpejtim Bulliqit. Kjo, me gjasë, është lënë qëllimisht e lirë për interpretim, në mënyrë që të dy subjektet politike, AAK dhe LDK, të mund ta interpretojnë sipas tyre, si mundësi për ta votuar demarkacionin.

Por, fjala ORIENTIM, e shtuar në këtë Pikë, momentalisht ka bllokuar gjithçka.

LEXO EDHE: Hoti i kundërpërgjigjet Haradinajt: Kujdes si po flet me LDK-në

LDK insiston që fjala ORIENTIM të përdorët vetëm te Pika 1.3 e Nenit 3, kur flitet për dokumentet zyrtare të Komisionit Shtetëror.

Haradinaj, gjatë seancës së sotme, ka akuzuar LDK-në që me këtë propozim po tenton ta zhvlerësojë Raportin e Komisionit të udhëhequr nga Bulliqi, gjë të cilën ai ka pohuar se nuk do ta lejojë në asnjë mënyrë.

AAK insiston që fjala ORIENTIM, nëse veç duhet të përdoret, atëherë të vlejë për secilën Pikë të Nenit 3, në mënyrë që të mos bëhen dallime të dokumentacioneve.

Më poshtë, Gazeta Metro sjell të plotë të dy Draft-Marrëveshjet, njëra e propozuar nga LDK dhe tjetra e propozuar nga AAK.

Version i LDK-së:

Neni 3

Pjesë përbërëse e këtij ligji janë:

1.1. Marrëveshja për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, e nënshkruar në Vjenën më datë 26 gusht 2015;

1.2. Deklarata e përbashkët e Presidentit të Republikës së Kosovës, SH.T.Z. Hashim Thaçi dhe Presidentit të Malit të Zi, SH.T.Z. Filip Vujanoviq, e datës 16.02.2018

1.3 Dokumentacioni zyrtar i Komisionit Shtetëror për Shënimin e Kufirit Shtetëror – për orientim.

Versioni i AAK-së

Neni 3

Pjesë përbërëse e këtij ligji për orientim janë:

1.1.  Marrëveshja për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, e nënshkruar në Vjenën më datë 26 gusht 2015;

1.2. Deklarata e përbashkët e Presidentit të Republikës së Kosovës, SH.T.Z. Hashim Thaçi dhe Presidentit të Malit të Zi, SH.T.Z. Filip Vujanoviq, e datës 16.02.2018;

1.3. Dokumentacioni zyrtar i Komisionit Shtetëror për Shënimin e Kufirit Shtetëror.