Abdixhiku: Vendi po mbetet peng i inateve të një njeriu

Aktuale February 23, 2018 - 12:32

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se kjo parti do të ofrojë zgjidhje të problemit, por që kryeministri Ramush Haradinaj, mbetet kryeneç dhe nuk lëvizi nga pozicioni i tij.

Ai përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se nuk shantazhohen nga gjuha ofenduese e Haradinajt.

LEXO EDHE: Haradinaj: Merreni përgjegjësinë secili për vete

Ky është shkrimi i tij i plotë në Facebook:

Një vend i tanë vazhdon të mbetet peng i inateve të një njeriu – siç mbeti peng për 3 vjet rresht.

Pavarësisht se ofruam një zgjidhje, pavarësisht se kjo zgjidhje u pranua nga shumica e partive shqiptare, pavarësisht se të gjitha raportet – po e përsëris – TË GJITHA raportet e të gjitha komisioneve ishin në ligj, Kryeministri vendosi me kryeneçësi. Vendosi të mos lëvizë nga pozicioni i tij fillestarë që sipas secilit interpretim ligjor prodhonte kontradiktë. Nuk donte zgjidhje ani pse shumica ishin pajtuar për një gjë të tillë.

Sa për gjuhën ofenduese të tij, ajo s’na shantazhon; s’mund të na shantazhojë. Ta harrojnë. Ajo veçse tregon nivelin qeverisës në vend.

LDK do të votojë marrëveshjen, siç ka deklaruar gjithherë. Unanimisht, me 27 vota për – sapo të shmangen kontradiktat ligjore.