Mitrovica me dy universitete

Aktuale February 23, 2018 - 08:03

Dy universitete në Mitrovicë, njëri në veri e tjetri në jug, njëri që pretendon të jetë Universitet i Prishtinës që funksionon me 10 fakultete në veri të Mitrovicës dhe Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” që prej themelimit nuk kanë arritur asnjëherë ta nënshkruajnë ndonjë marrëveshje bashkëpunimi, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Këto dy universitete, të cilat i ndan ura e Ibrit siç e ndan qytetin e Mitrovicës, vazhdojnë të bëjnë marrëveshje bashkëpunimi ashtu siç ua përcakton politika, Universitetin serb të Mitrovicës së Veriut - Beogradi, ndërsa Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” - politika që ndjek shteti i Kosovës dhe Qeveria e saj për bashkëpunim me të gjitha universitetet e botës.

LEXO EDHE: Policia tender 6-milionësh për xhipa e vetura patrulluese

Universiteti në veri të Mitrovicës të gjitha marrëveshjet e bashkëpunimit i bën me Rusinë dhe me shtetet e lindjes, ndërsa Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” ka lidhur shumë marrëveshje me universitetet më në zë në të gjithë Evropën dhe në shumë shtete të botës. 

Së fundi, të mërkurën Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” është pranuar në Rrjetin Evropian për Integrim Akademik (ENAI). Për këtë ka vendosur Bordi i Rrjetit Evropian për Integrim Akademik (ENAI), që mbështetet nga programi “Erasmus+” dhe nga Unioni Evropian.

Ylber Januzaj, këshilltar i rektorit të Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”, tha se anëtarësimi në këtë rrjet është shumë i rëndësishëm.

“Në këtë rrjet ndërkombëtar bëjnë pjesë universitete me renome botërore, prandaj pa dyshim se ky është një lajm i mirë për Universitetin tonë”, tha ai.

Sipas tij, përfitimet nga ky rrjet janë të shumta: bërja pjesë e platformës bashkëpunuese të ENAI-t, e drejta e organizimit të konferencave dhe ngjarjeve të ENAI-t, e drejta e votës së Universitetit në zgjedhjen e bordit të ENAI-t dhe ndikimi i Universitetit në këtë rrjet.

Po ashtu ai numëron si përfitim edhe përdorimin e konsulentëve, ekspertëve, mentorëve dhe të folësve të ENAI-t, pastaj informimin mbi mundësitë e granteve në dispozicion, prezencën në aktivitete të përbashkëta edukative dhe trajnuese, përdorimin e sistemit të vlerësimit të zhvilluar nga ENAI, shfrytëzimin e veglave të dobishme të marketingut, qasjen në burime dhe në programe trajnimi online, si dhe pranimin e rregullt të lajmeve të reja mbi fushën akademike. Januzaj thekson se objektiva kryesore e ENAI-t është promovimi i integritetit në fushën akademike.

Ndërkaq Universiteti i Prishtinës me seli në Mitrovicë të Veriut gjithashtu të mërkurën ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin Shtetëror të Moskës, me të cilin parashikohet këmbimi i studentëve dhe i mësimdhënësve për studimet nga programi master.

Marrëveshja është nënshkruar në Moskë, siç thuhet duke iu falënderuar ndërmjetësimit të Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, ndërsa një memorandum të njëjtë ky universitet ka edhe me atë Beogradit.

Rektori i Universitetit të Prishtinës me seli në veri të Mitrovicës, Rade Gërbiq, ka shprehur kënaqësinë e tij për arritjen e lidhjeve për bashkëpunim e me “universitetin prestigjioz”, si dhe për kualitetin e studimeve.

Universiteti serb i Mitrovicës është anëtar i Asociacionit të Universiteteve të Evropës, ndërsa rektori serb Rade Gërbiq ka paralajmëruar se do të nënshkruhen edhe disa marrëveshje me disa institucione të tjera arsimore.

Në anën tjetër, institucionet arsimore të Kosovës, përkatësisht Qeveria e Kosovës ka vendosur t’i pranojë diplomat e studentëve që përfundojnë studimet në Universitetin Serb me seli në Mitrovicë.

Qeveria e Kosovës ka themeluar Komisionin për Pranimin e Diplomave, i cili ofron shërbime vetëm për ata që kanë kryer studimet në universitetin me seli në Mitrovicë të Veriut.

Ky komision ka filluar punën në majin e vitit 2016 dhe deri më tani ka pranuar rreth 500 diploma, të cilat janë dorëzuar për nostrifikim. Procesin e zbaton Qendra Evropiane për Çështje të Pakicave (ECMI).

Por, pranimi i diplomave nuk do të bëhet edhe për studentët të cilët i kanë marrë ato në periudhën prej vitit 1999 deri në vitin 2001 për shkak se ky universitet që nga viti 1999 e deri në vitin 2001 ka qenë i vendosur fizikisht në Serbi dhe për këtë fakt ai nuk mund të futet në këtë proces.