Thaçi: Ratifikimi i marrëveshjes do të thyejë izolimin e Kosovës

Aktuale February 22, 2018 - 12:53

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi përmes një postimi në facebook ka thënë edhe njëherë se ratifikimi i marrëveshjes për shijimin e marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi sot në Kuvendin e Kosovës do të thyejë përgjithmonë izolimin e Kosovës.

Ai ndër të tjerash ka porositur që të jetë kjo një ditë feste për qytetarët e Kosovës dhe një ditë unifikuese e të gjitha partive politike të përfaqësuara në Kuvend.

Ky është postimi i plotë:

Ratifikimi i marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, sot në Kuvendin e Kosovës, do të thyejë përgjithmonë izolimin e Kosovës.

Sot, kur krejt bota është duke na shikuar, besoj thellë në vullnetin e të gjitha partive politike për të ratifikuar këtë marrëveshje, e cila krijon një dinamikë të re edhe në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Vota për ratifikimin e demarkacionit është votë për lirinë e lëvizjes së qytetarëve në zonën Shengen, është votë për Kosovën në Evropë.

Prandaj, ftoj të gjitha partitë që të respektojnë vullnetin e të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë etnike dhe religjioze, për të lëvizur të lirë.

Ftoj Listën Serbe që të votojnë këtë marrëveshje, duke respektuar vullnetin e komunitetit serb në Kosovë.

Në kohën kur Kosova ka hyrë në fazën e fundit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, Lista Serbe nuk ka asnjë arsye që të mos e ratifikojë këtë marrëveshje.

Le të jetë kjo një ditë feste për qytetarët e Kosovës dhe një ditë unifikuese e të gjitha partive politike të përfaqësuara në Kuvend. HTH