Haxhiu: Haradinaj po shet territor

Aktuale February 22, 2018 - 08:33

Albulena Haxhiu, nga lëvizja “Vetëvendosje”, ka akuzuar Ramush Haradinajn se është në gjendje të bëjë gjithçka, të shesë edhe territor, edhe të bëjë pazare me Listën Serbe për ta bosnjëzuar Kosovën vetëm e vetëm për të mbetur në karrigen e kryeministrit, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Deputetja e lëvizjes “Vetëvendosje”, Albulena Haxhiu, ka thënë se kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka shkelur parimet e tij në momentin kur ka ndërruar qëndrimin për ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi.

Sipas Haxhiut, lideri i AAK-së po e dëshmon se është në gjendje të bëjë gjithçka për ta ruajtur postin e kryeministrit.

Këto deklarata Haxhiu i ka dhënë në një intervistë për gazetën Zëri, në të cilën ka ripërsëritur qëndrimin e “Vetëvendosjes”  kundër Marrëveshjes së Vjenës.

Deputetja e “Vetëvendosjes” po ashtu ka thënë se kjo parti nuk do të lejojë jetësimin e Asociacionit të Komunave më Shumicë Serbe, pasi ka thënë se ky projekt e bosnjëzon Kosovën.

Haxhiu më tej ka folur edhe për idenë e kryeministrit të Shqipërisë për zgjedhjen e një presidenti mbarëkombëtar. Sipas saj, çdo ide që shkon kah bashkimi kombëtar duhet të mbështetet.

Liberalizimi i vizave përmes Demarkacionit, tallje me qytetarët

Zëri: Z. Haxhiu, në seancën e së enjtes Kuvendi pritet ta votojë Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi. LVV-ja është deklaruar kundër marrëveshjes, por a jeni të sigurt se të gjithë deputetët tuaj nuk do ta votojnë atë?

Haxhiu:
Tashmë është e qartë situata nëpër të cilën po kalon Kosova në raport me Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi. Po ashtu qëndrimi i lëvizjes “Vetëvendosje” është i qartë në raport me këtë marrëveshje, e cila i fal mbi 8200 hektarë tokë. Tashmë është dërguar në Kuvendin e Kosovës pa asnjë ndryshim projektligji aktual për këtë marrëveshje, por të cilit i janë bashkangjitur edhe deklarata mes presidentëve, atij të Kosovës dhe të Malit të Zi. Kjo është një mashtrim i radhës që po i bëhet qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe sigurisht që lëvizja “Vetëvendosje” nuk përkrah një marrëveshje të tillë. Është për keqardhje pozicioni që tashmë ka marrë Haradinaj pasi siç duket ai kundërshtimin e Demarkacionit nuk e paska pasur kauzë, mirëpo e paska pasur qëllimin te karrigia e kryeministrit.

Zëri: A mendoni se marrëveshja e nënshkruar mes dy presidentëve është argument i mjaftueshëm se Kosova nuk humb territor?

Haxhiu:
Ne si “Vetëvendosje” para disa kohësh kemi pranuar raportin e Komisionit aktual që drejtohet nga Shpejtim Bulliqi, i cili është një raport jashtëzakonisht i detajuar  e shkencor dhe ka shumë argumente se pse Kosova ka humbur territor dhe pse me marrëveshjen që e ka nënshkruar Hashim Thaçi dhe Skender Hyseni në atë kohë është cenuar rëndë territori i Kosovës, por po ashtu janë dëmtuar interesat strategjike e ekonomike të Kosovës. Këtë raport secili prej 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës e ka marrë dhe aty ka argumente të mjaftueshme që Kosova ka humbur territor, ky raport i fundit është dëshmia që ne si “Vetëvendosje” kemi pasur të drejtë. Ne konsiderojmë që deputetët duhet të marrin si të mirëqenë këtë raport dhe marrëveshja nga Hashim Thaçi të kthehet në pikën zero. Për neve është e pafalshme që deputetët e Kuvendit të Kosovës të cilët edhe në betimin e tyre e kanë thënë që do të angazhohen në mbrojtjen e integritetit territorial dhe ata të falin territor për shkak se kështu po u kërkohet nga individë të caktuar për interesa të tyre. Është shumë e padrejtë të thuhet se në momentin që ratifikohet Demarkacioni do të bëhet liberalizimi i vizave. Kjo është naive, por edhe tallje me qytetarët e Kosovës kur dihet që për të lëvizur lirshëm qytetarët është një proces i tërë edhe në mekanizmat e Bashkimit Evropian, por po ashtu kur dihet që Kosova ka edhe një kusht që është luftimi i krimit të organizuar dhe i korrupsionit. Unë nuk besoj se kjo Qeveri, që ka njerëz të korruptuar të cilët kanë krijuar pasuri të pajustifikueshme të kenë vullnet për ta luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin sepse kjo nuk do të thotë të merren me individë, të cilët janë korruptuar apo “peshqit e vegjël”, por të merren me “peshqit e mëdhenj” apo zyrtarët e lartë që kanë krijuar pasuri të pajustifikueshme. Derisa Kosova t’i arrestojë dhe të konfiskojë pasurinë e zyrtarëve të korruptuar dhe ish-zyrtarëve që kanë krijuar pasurinë në kurriz të qytetarëve të varfër nuk mund të themi që Kosova po lufton korrupsionin e kjo nuk do të ndodhë me këtë Qeveri.

Haradinajt dhe Limajt t’u vijë turp!

Zëri: Kryeministri Haradinaj, i cili ka qenë kundërshtuesi më i madh i marrëveshjes, ka deklaruar se këtë marrëveshje duhet ta votojnë deputetët pasi do të rishikohet Çakorri dhe Kulla. Pse nuk i është bindur Haradinaj kërkesës së tij?

Haxhiu:
Duhet të keni parasysh që Haradinaj edhe hartën ia pati përplasur për fytyrë Murat Mehës në një prej mbledhjeve të Komisionit për Punë të Jashtme. Ne kemi pritur që Haradinaj do të tërhiqet nga marrëveshja që e ka nënshkruar Hashim Thaçi, pasi që një gjë e tillë është e lejueshme edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, pra tërheqja ende pa u ratifikuar kjo marrëveshje në Kuvendin e Kosovës. Mirëpo ai këtë nuk e bëri dhe tani po dëshmohet se pse nuk e ka bërë një gjë të tillë. Ai ka krijuar një komision, të cilin tash e neglizhon, ndonëse ka bërë një punë të mirë sepse ka ndarë buxhet këtij komisioni, por tashmë fare nuk përfillet ai komision dhe argumentet shkencore të tij thjesht kanë rënë në ujë për Haradinajn. Ne kemi pritur se ai do të vijë në foltoren e Kuvendit e t’u bëjë thirrje deputetëve që të mos përkrahin këtë projektligj, por ndodhi plotësisht e kundërta dhe është e qartë se ai këtë nuk po e bën për interesat e vendit, por për interesat e tij. Aq shumë e deshi postin e kryeministrit që tashmë është në gjendje të bëjë gjithçka, të shesë edhe territor, edhe të bëjë pazare me Listën Serbe për ta bosnjëzuar Kosovën vetëm e vetëm për të mbetur në karrigen e kryeministrit. Siç duket historia po përsëritet sepse edhe në të kaluarën kemi pasur pushtetarë që kanë shitur territor për interesat e tyre për karrigen e tyre. Kjo është për keqardhje dhe për këtë duhet t’i vijë turp edhe Haradinajt, edhe subjektit që ai përfaqëson, por edhe Nismës për Kosovën.

Zëri: Për ta votuar Demarkacionin nuk janë deklaruar ende deputetët e Listës Serbe derisa ju pretendoni se Kosova humb territor. Pse ata nuk e votojnë dhe si e komentoni ndërlidhjen që po u bëhet se jeni në një linjë me Listën Serbe?

Haxhiu:
Lista Serbe po e shfrytëzon këtë momentum për të kushtëzuar me kërkesat të cilat i kanë ata. Qëllimi i tyre është që përmes votës së tyre për Demarkacionin të sigurojnë krijimin e “Zajednicës”. Edhe këtë projekt të dëmshëm për Kosovën ne si lëvizje “Vetëvendosje” e kemi kundërshtuar, por po ashtu në kohën kur kemi qenë në opozitë bashkë me AAK-në dhe me Nismën e kemi kundërshtuar së bashku si tri subjekte politike, madje kemi pasur edhe një rezistencë të fuqishme qoftë për Demarkacionin, qoftë për “Zajednicën” në Kuvendin e Kosovës dhe jashtë tij. Për këtë jemi përballur edhe me procese gjyqësore, kemi qenë edhe në paraburgim, tashmë jemi dënuar edhe me kusht me mbi 5 vjet 4 deputetë të lëvizjes “Vetëvendosje”. Po ashtu këtë proces e kanë kundërshtuar edhe qytetarët e Kosovës përmes një peticioni, i cili ka qenë peticioni më i madh deri më tani me mbi 200 mijë qytetarë që kanë nënshkruar për të kundërshtuar këto dy projekte të dëmshme. Pra në momentin kur Haradinaj mori qeverisjen e vendit në marrëveshjen me Listën Serbe është zotuar që do ta krijojë Asociacionin dhe tashmë sigurisht për shkak të kundërshtimit tonë në këtë drejtim kjo çështje ka ngecur dhe Lista Serbe e ka kusht që të krijohet ajo dhe të marrë garancinë për krijimin e “Zajednicës” apo bosnjëzimin e Kosovës. Është problematike se si në njërën anë Lista Serbe është e interesuar të cenojë shtetësinë e Kosovës dhe në anën tjetër t’i japin territor Malit të Zi.

Zëri: Më herët demarkacionin e keni parandaluar duke gjuajtur gaz lotsjellës në seancë. A do të gjuani gaz edhe në seancën e së enjtes, përkatësisht cilat do të jenë veprimet tuaja për ta parandaluar këtë marrëveshje?

Haxhiu:
Falë veprimeve tona në vitin 2015 ne kemi arritur që t’i ndalim dy projekte të dëmshme për vendin. Rezistenca jonë brenda Kuvendit të Kosovës ka qenë e domosdoshme sepse në atë kohë nuk bënin punë argumentet profesionale, qëndrimet politike sepse askush nuk merrej me këto. Kemi qenë të detyruar të përdorim edhe forma të tjera për t’i parandaluar këto dy projekte të dëmshme. Gazi lotsjellës ka qenë një formë natyrisht jodemokratike, por e domosdoshme i cili pamundësoi instalimin e këtyre projekteve të dëmshme. Po të mos ishte ky gaz ne sot do t’i vuanim pasojat edhe të faljes së territorit po edhe të bosnjëzimit të Kosovës. Se cilat do të jenë format të cilat do t’i përdorim ne tani do t’i diskutojmë gjatë mbledhjes me Grupin Parlamentar të lëvizjes “Vetëvendosje”, aty secili prej deputetëve do t’i thotë propozimet e tyre në raport me ndaljen e këtij procesi të dëmshëm për Kosovën. Ajo që është e qartë është se ne si “Vetëvendosje” do ta kundërshtojmë këtë marrëveshje.

Nuk negociojmë me Serbinë për asnjë çështje

Zëri: A mendoni se pa Haradinajn dhe pa Limajn në këtë kauzë jeni më të dobët?

Haxhiu:
Njëra prej arsyeve që kemi pasur sukses në kohën kur e kemi kundërshtuar Demarkacionin dhe “Zajednicën” është për shkak se kemi qenë më shumë subjekte politike që i kemi kundërshtuar këto procese. Kemi qenë më shumë grupe parlamentare, por jo edhe më shumë deputetë, sepse në të kaluarën kemi qenë 31 deputetë e gjithë opozita, ndërsa tani jemi 32 deputetë vetëm nga lëvizja “Vetëvendosje”, pra si subjekte politike ka qenë një bashkëpunim jashtëzakonisht i vlefshëm, sepse kemi arritur t’i ndalim dy procese të dëmshme. Natyrisht që tani është më e vështirë vetëm, por unë përsëri i thërras edhe AAK-në dhe Nismën t’i kthehen kundërshtimit që e kanë pasur si opozitë, sepse ata e kanë për obligim ta mbrojnë territorin dhe sovranitetin e vendit. Ne si deputetë duhet ta mbrojmë Kosovën, interesat e qytetarëve të Kosovës dhe ta kundërshtojmë secilën marrëveshje të dëmshme për vendin. I thërras edhe Haradinajn, edhe Limajn të reflektojnë karshi kësaj situate dhe ta ndalojnë mashtrimin e radhës që po ua bëjnë qytetarëve të Kosovës me marrëveshjet të cilat nuk kanë asnjë detyrim juridik për Malin e Zi.

Zëri: Si e shihni iniciativën e Qeverisë që ta bëjë një draft të ri për Asociacionin në përputhje me rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese. A e përkrahni ju si parti opozitare një iniciativë të tillë?

Haxhiu:
Lëvizja “Vetëvendosje” ka kundërshtuar Marrëveshjen për Krijimin e “Zajednicës”, që ka rrjedhur nga Marrëveshja e ratifikuar në vitin 2013. Ne kemi dërguar edhe në Gjykatën Kushtetuese këtë marrëveshje, e cila për shkak të presioneve të ndryshme qoftë vendore apo ndërkombëtare ka krijuar një precedent të rrezikshëm, sepse ka hequr dorë nga trajtimi i marrëveshjeve ndërkombëtare. Ne kemi qëndrim të qartë që nuk do ta lejomë krijimin e “Zajednicës” apo bosnjëzimin e Kosovës, sepse ne kemi Asociacionin e Komunave të Kosovës, të gjitha komunat do të mundë të përfaqësohen në këtë asociacion për t’i përfaqësuar interesat e tyre dhe nuk kemi mekanizma me baza etnike. Ne nuk mund të përkrahim asgjë mbi baza etnike, të cilat projekte do të mundë ta forcojnë pozicionin e Serbisë në Kosovë. Ne kemi qëndrim të qartë në raport me Serbinë, nuk mund të negociojmë me të për sa kohë ajo nuk i plotëson kushtet, përderisa ajo vazhdon ta luftojë në mënyrë të egër Republikën e Kosovës dhe përbrenda me Listën Serbe e bën jofunksionale, nuk lejon të bëhet ushtria. Këto negociata duhet të ndërpriten dhe ajo që është e rëndësishme është dialogu me serbët që janë qytetarë të Kosovës, sepse Lista Serbe nuk përfaqëson interesat e qytetarëve serbë që jetojnë në Kosovë, por interesat e shtetit serb.

“Vetëvendosja” e mirëpret idenë e Edi Ramës

Zëri: A ka gjasë të rikthehet në Kuvend iniciativa për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale pasi deputetët nuk i kanë tërhequr nënshkrimet?

Haxhiu:
Në kohën kur është votuar amendamenti për Gjykatën Speciale ka qenë viti 2015, madje në kohë kur Kuvendi ka qenë në pushim deputetët janë detyruar dhe është bërë presion i madh mbi ta për ta votuar amendamentin që i hap rrugë krijimit të Gjykatës Speciale. Ne e kemi kundërshtuar atë amendament sepse kemi parë që i njëjti paraqet një pasqyrë të shtrembëruar për UÇK-në dhe për të vërtetën e luftës së tyre. Në atë kohë jemi akuzuar se po e bëjmë për përfitime politike dhe të tjera si këto, por përkundrazi në atë kohë qytetarët na thoshin votojeni Gjykatën Speciale sepse jemi lodhur nga kriminelët e korruptuar, sepse ata kanë shpresuar që përmes kësaj Gjykate do të mundë të arrestoheshin këta të cilët kanë krijuar pasuri të paligjshme në kurriz të qytetarëve. Mendoj që Gjykata Speciale është e dëmshme dhe Kosova ndërkombëtarisht në këto vitet e ardhshme do të përballet me shumë vështirësi dhe ajo çfarë u kam thënë edhe në atë kohë qytetarëve është që ata të cilët kanë vjedhur e janë korruptuar duhet të shkojnë në burg, por për veprimet e tyre pas luftës, sepse ne i përkulemi luftës së secilit ushtar të UÇK-së, sepse falë tyre jemi këtu ku jemi. Ajo që ne kemi kundërshtuar është nisma tinëzare e cila ka shkuar përmes deputetëve, por ka qenë e udhëhequr nga Hashim Thaçi, ai për të hequr emrin e vet nga lista e të akuzuarve është në gjendje edhe ta rrezikojë Kosovën. Shumë më e lehtë ka qenë që në fillim të kundërshtohet kjo Gjykatë. Lëvizja “Vetëvendosje” nuk e përkrah një nismë të tillë, e cila është një nismë për interesa personale, por nëse ka nisma serioze sigurisht që ne jemi të gatshëm të kontribuojmë në këtë drejtim, por asnjëherë nuk do të bëhemi pjesë e lojërave të Hashim Thaçit e të Kadri Veselit.

Zëri: Si e vlerësoni deklaratën e kryeministrit Rama për një president të përbashkët?

Haxhiu:
Unë e kam pasur një qëndrim sa i përket kësaj deklarate, sepse për mua çfarëdo propozimi që na çon drejt Bashkimit Kombëtar është i pranueshëm dhe i mirëseardhur. E kuptoj që presidenti i përbashkët nuk e siguron Bashkimin Kombëtar, sepse kjo duhet të nisë prej poshtë-lart dhe përmes referendumeve të të dyja shteteve, në Kosovë dhe në Shqipëri, mirëpo për mua ka qenë e papranueshme qasja e Lidhjes Demokratike të Kosovës në këtë drejtim, sepse sa herë flitet në lidhje me bashkëpunim ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, duke përshirë këtu edhe propozimin e Edi Ramës, është kundërshtuar në vazhdimësi nga LDK-ja. Edhe heqja e flamurit kombëtar nga rrethi është duartrokitur nga zyrtarë të kësaj partie, mendoj që është mendësi jashtëzakonisht e dëmshme për kombin dhe e kam kundërshtuar, sepse sa herë ka kërcënime nga Serbia për Kosovën zyrtarë të LDK-së, duke përfshirë Isa Mustafën, por edhe shefin e Grupit Parlamentar Avdullah Hotin, heshtin karshi këtyre kërcënimeve dhe në anën tjetër reagojnë kurdo që flitet për diçka të përbashkët ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo është për keqardhje dhe pikërisht këto deklarata i rrezikojnë interesat e kombit shqiptar. Por, çfarëdo nisme ose propozim që çon drejt bashkimin kombëtar do të përshëndetet nga lëvizja “Vetëvendosje”.