Kosova para vendimit të madh. Sa vota janë në Kuvend për Demarkacionin?

Aktuale February 21, 2018 - 18:37

Në bazë të deklarimeve të ditëve të fundit, 78 deputetë nga PDK, LDK, AAK, NISMA, 6 plus, janë pro ratifikimit të demarkacionit.

Në mungesë të një autoriteti vendor, ata që më së shumti po lobojnë për të siguruar votat janë ambasadorët e huaj që edhe sot kanë vazhduar takimet me grupet parlamentare.

Ndërkombëtarët kanë pasur takime edhe me Lista Srpska, e cila deri më tani mbetet e papërcaktuar.

LEXO EDHE: A pritni që nesër do të votohet Demarkacioni në Kuvend?

Nëse Srpska nuk e jep votën, kosovarët do të vazhdojnë izolimin. Pro izolimit vazhdon të jetë edhe VV bashkë me krahun e Molliqajt që tashmë janë larguar nga partia.

Kryesia e Kuvendit është mbledhur sot duke e caktuar për nesër në ora 11:00 seancën për ratifikimin e marrëveshjes me Malin e Zi.

Në Partinë Demokratike të Kosovës janë shprehur se janë unik për votimin pro të kësaj marrëveshjeje.

Ky subjekt politik që ka 23 ulëse në Kuvend, po thotë se të gjithë janë njëzëri për ta çuar tutje çështjen e Demarkacionit. Memli Krasniqi, shef i Grupit Parlamentar të PDK’së ia ka thënë ambasadorit amerikan se të gjithë deputetët e kësaj partie janë pro ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e cila deri më tani kishte refuzuar t’i japë përkrahje marrëveshjes ekzistuese, duke e kundërshtuar në çdo rrethanë, tash ka ndryshuar qëndrim duke u arsyetuar se deklarata e Presidentit Thaçi dhe atij malazez Filip Vujanoviq, jep mundësi për korrigjim të lëshimeve që kanë ndodhur gjatë demarkimit të kufirit. Kështu, janë edhe 10 deputetë të kësaj partie që pritet ta votojnë Demarkacionin. E LDK, që dikur kishte probleme për t’i mbledhur votat e deputetëve të vet pro demarkacionit është shprehur unike për ta votuar atë.

Shefi i GP të LDK-së, Avdullah Hoti, ritheksoi në takimin me Delaëie edhe një herë qëndrimin e LDK –së sa i përket procesit të ratifikimit të kësaj marrëveshje dhe  konfirmoi votën unanime pro të Grupit Parlamentar. Kësisoj ata që i bashkohen listës për votim të Demarkacionit po i shtohen edhe 27 deputetët e saj.

Për votim të marrëveshjes janë edhe 6 deputetë të Nismës së Fatmir Limajt. Ky i fundit ishte i pari që edhe mori iniciativën që të gjendet një zgjidhje sa më e shpejtë për këtë cështje. Pro janë edhe dy deputetë të Aleancës Kosova e Re, Islam Pacolli e Labinot Tahiri. Shto këtu edhe 10 deputetët e minoriteteve.

Për të kaluar një marrëveshje ndërkombëtare, duhen 2/3 e votave të deputetëve, por që Lista Serbe, me 10 deputetë të saj nuk ka dhënë ende asnjë qëndrim nëse nesër do të jetë në gjendje t’i bashkohet grupit të atyre që janë për ta votuar këtë.

Nëse Lista Serbe vendosë të votojë pro marrëveshjes, demarkacioni me Malin e Zi kalon. Përndryshe me votat e deritanishme, koalicioni i ka vetëm 78 deputetë që  besohet se do të votojnë pro.

Të pandryshueshëm ndaj qëndrimit të tyre për Demarkacionin ka mbetur Lëvizja Vetëvendosje. Vazhdojnë ta kundërshtojnë marrëveshjen aktuale. Njësoj është shprehur edhe krahu i Dardan Molliqajt që njihen si të dorëhequrit e Vetëvendosjes. /GazetaExpress/