Lluka: Protestat e minatorëve, ishin hapi i parë drejt zhbërjes së ish-Jugosllavisë

Aktuale February 21, 2018 - 16:45

Jahja Lluka, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kujtuar kohët kur kishte nisur rezistenca e minatorëve të Trepçës ndaj regjimit aso kohe të Jugosllavisë.

Ai në një shkrim të tij për këtë çështje ka thënë se janë bërë 29 vite që kur minatorët e Trepçës filluan grevën e urisë, dhe se sipas tij, mbi 1 mijë 300 minatorë kishin hyrë në grevë urie për të mbrojtur autonominë e Kosovës: hap  i guximshëm po fillonte zhbërjen e Jugosllavisë.

“Greva historike e minatorëve të Trepçës bëri bujë të madhe në vend, duke kaluar në rezistencë mbarëpopullore. Kështu filluan t’iu dridhen themelet Serbisë dhe regjimit të saj, e cila si qëllim kishte zhbërjen e popullit shqiptar në Kosovë. Poashtu, greva nuk kaloi pa bërë bujë në mediat dhe qarqet diplomatike ndërkombëtare, të cilat po përcilleshin me vëmendje fillimin e zhbërjes së një fuqie të madhe në atë kohë siç ishte Jugosllavia”, ka theksuar LLuka.

Sipas tij, ky ishte vetëm fillimi i ngjarjeve të njëpasnjëshme të cilat pëfshinë një periudhë dhjetëvjeçare, duke mbaruar me luftëra dhe shkëputje të shteteve të cilat nuk duronin politikat naciste serbe.

“Pas 29 viteve kujtojmë vendosmërinë e vëllezërve shqiptarë të cilët me çdo çmim nuk hoqën dorë nga lufta për liri dhe demokraci, sepse zëri i tyre u bë udhërrëfyes për  një popull të vuajtur dhe të përndjekur çnjerëzisht për një shekull. Dihet që Trepça ishte një gjigant i metalurgjisë dhe shtyllë kyçe në zhvillimin ekonomik të Jugosllavisë”, ka shtuar Lluka.

Ai ka theksuar se veç tjerash Trepça ishte fryma e Kosovës dhe krenaria e saj.

“Dhe sot mbetet e tillë me gjithë pozitën e saj të vështirë në të cilën gjendet. Rinormalizimi i Trepçës dhe vënia e saj tërësisht në funksion do ta ringjallte ekonominë e brishtë të Kosovës, e cila po kalon në këtë faze të padëshirueshme tranzicioni”, ka theksuar Lluka.

Sipas tij, nxitja e investimeve nga vendet perëndimore në Trepçë do ishte e mirëseardhur, pasi deri më tani nga qeveritë tjera nuk ka pasur ndonjë program konkret që do ishte frytëdhënës.

“Sot më duhet t’i përgëzoj të gjithë ata minatorë të cilët me gjithë kushtet e vështira  kanë motiv për punë dhe e mbajnë   gjallë këtë gjiidant metalurgjik të rëndësishëm për Mitrovicën, por dhe për gjithë Kosovën. Për nder të qëndresës së pathyeshme të minatorëve të Trepçës propozoj që në Stantërg të ndërtohet një monument në shenjë falënderimi dhe përkujtimi për stoicizmin e tyre që tejkaloi kohët dhe u vulos me shpalljen e pavarësisë së Kosovës”, ka theksuar Lluka.