Kërkohet lirimi i aktivistëve të VV-së

Aktuale February 21, 2018 - 14:23

Një grup studentësh dhe profesorësh sot para Bibliotekës Kombëtare, kanë vendosur një baner, me të cilin i bëhet thirrje Gjykatës së Apelit që të lirojë katër studentët aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, Adea Batushën, Egzon Halitin, Atdhe Arifin, Frashër Krasniqin, të cilët akuzohen për sulmin në Kuvendin e Kosovës.

Studentja Arlinda Gashi tha se gjykimi ndaj katër aktivistëve të Vetëvendosjes nuk është vetëm gjykim ndaj tyre, por “është i të gjithë neve si shoqëri”.

“Sot është momenti i fundit kur organizatat studentore, nismat qytetare, organizata jo qeveritare do të duhej të reagonin në mbrojtje të studentit e qytetarit të Republikës së Kosovës. Ne si qytetarë, si studentë, si njerëz konsiderojmë se e kemi për obligim të reagojmë deri në vendosjen e një sistemi të drejtë. Jemi këtu që të kërkojmë drejtësi e liri për studentët”, tha ajo.

Ndërkaq profesori në Fakultetin e Arkitekturës, Egzon Bajraktari tha se kundërshtojnë vendimin e gjykatës për dënimin e aktivistëve dhe i bëjnë thirrje gjyqësorit që të anulojë këtë vendim të padrejtë.

“Ka vend edhe për revoltë e protestë. Kështu që edhe në rastin hipotetik kur studentët tanë mund të shprehin revoltën e tyre shteti dhe gjyqësori ynë, do duhej të tregonte aftësi që ta pranojë e ta paqetojë atë revoltë, e të mos e shkelmojë rininë me dënime të pajustifikuara e drakonike”, tha ai.

Në tetor të vitit 2016, katër aktivistët u shpallën fajtorë në akuzën për të cilën janë ngarkuar dhe janë dënuar me një total prej 21 vjet e 6 muaj burg.

Atdhe Arifi është dënuar me 6 vjet burg, Frashër Krasniqi me 8 vjet, Egzon Haliti me 5 vjet e gjysmë, ndërsa Adea Batusha me 2 vjet burg.

Katër aktivistët e Vetëvendosjes akuzohen për sulmin e kryer në gusht të vitit 2016 ndaj Kuvendit të Kosovës.

Të katër të akuzuarit e këtij rasti ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e mbajtur më 28 shkurt të këtij viti, ndërsa aktakuzën e kishin quajtur politike, ndërsa kërkesat e tyre për hedhje të aktakuzës dhe pushim të procedurës ishin refuzuar nga gjykata themelore.

Pjesë e aktakuzës ka qenë edhe Astrit Dehari, i cili në nëntor të vitit 2016 ishte gjetur i vdekur në qelinë e tij në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.