A morën njoftim zyrtarë për dekoratën e refuzuar? Flasin Agim Vinca e Rexhep Selimi

Aktuale February 21, 2018 - 12:45

Me rastin e festës së 10 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, presidenti Thaçi ka dekoruar shumë personalitete të cilat kontribuuan në shtetndërtimin e Kosovës ndër vite, duke përfshirë edhe luftëtarë e pjesëtarë të Shtabit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kjo listë e të propozuarve e cila ishte bërë zyrtare në ueb-faqen e Presidencës dhe në media, bëri që shumë nga personalitetet të cilët ishin pjesë e asaj liste që do të dekoroheshin më vonë, ta refuzojnë një gjë të tillë, shkruan lajmi.

Figurat që ndërmorën një veprim të tillë, ishin Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi, Fatmir Limaj, Agim Vinca, Sylejman Selimi, Rexhep Qosja dhe Veton Surroi.

Mirëpo, çështja që shkaktoi më së shumti bujë në media dhe në opinionin kosovar ishin deklarimet e Thaçit pas refuzimit të dekoratave nga figurat e lartpërmendura.

“Deri më tani kam shqyrtuar jo më shumë se 20 propozime, 13 prej të cilave tanimë janë refuzuar dhe 7 janë aprovuar. Të tjerat do t’i shqyrtoj në ditët dhe javët në vijim. Disa deklarata të individëve janë të pasakta. Askush nuk mund ta refuzojë dekoratën pa qenë i dekoruar.
E kuptoj frustrimin e disave, por sipas kritereve të mia, nuk mund të jesh i dekoruar edhe nga shteti i Serbisë për kontributin e dhënë për Jugosllavinë dhe ai i Kosovës njëkohësisht…”, ishte deklarata e Thaçi e shkruar në Facebook.

Mirëpo, kjo deklaratë la të kuptohet vetëm një gjë: që personalitetet që publikisht refuzuan të dekorohen nga Presidenti Thaçi, nuk ishin të përzgjedhur për t’u dekoruar, por vetëm ishin propozuar për një gjë të tillë, dhe kështu si qëndrojnë gjërat, sipas Presidentit Thaçi ata nuk mund të refuzojnë një dekoratë për të cilën nuk janë përzgjedhur.

Rexhep Selimi, i cili kishte refuzuar dekoratën nga Presidenti Thaçi me arsyetimin se nuk do të pranojë dekoratë nga një person si ai dhe se kjo nuk i bën nderë as atij e as pjesëtarëve të UÇK-së, ka thënë për lajmi.net se ajo listë përmbante emrat e të dekoruarve e jo të propozuarve.

Selimi shtoi se ai nuk kishte se si të merrte zyrtarisht njoftimin zyrtar për këtë dekoratë sepse ai nuk do t’i krijonte asnjëherë shansin Thaçit për një gjë të tillë.

“Në media ka qenë te dekoruarit jo te propozuarit, unë nuk kam se si të marr zyrtarisht njoftimin sepse nuk do t’i kisha krijuar shansin asnjëherë. E di që Thaçi po ka dëshirë që kjo temë më vazhdu në opinion kështu që nuk dua t’i kontribuoj më shumë dëshirës së tij për ta mbajtur në opinion,kjo po i konvenon Thaçit me u marr me kete teme”, deklaroi Selimi.

Njoftim zyrtar nuk ka marrë as shkrimtari Agim Vinca, i cili ishte në këtë listë të të dekoruarve mirëpo e refuzoi dekoratën nga Presidenti i Kosovës.

Ai duke mos dashur të deklarohet më gjerësisht tha që nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar për t’u dekoruar nga Presidenti, mirëpo tha që një gjë e tillë nuk mund të ndodhë pa u propozuar.

“Njoftim zyrtar nuk kam marr, por lista ka dal në faqen zyrtare të Presidencës dhe në media, aty kam marr informacione, mirëpo askush nuk mund të dekorohet pa u propozuar, ne nuk jemi dekoruar ndoshta, por jemi propozuar për një gjë të tillë”, tha Vinca për lajmi.net.

Ndryshe lajmi.net ka provuar të marr edhe qëndrimin zyrtar të Presidencës së Kosovës, mirëpo deri më tani nuk ka marrë ndonjë përgjigje.