Thaçi vazhdon me ndarjen e dekoratave

Aktuale February 21, 2018 - 12:00
Lexoni lajmet me të fundit nga vendi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka vendosur ta dekorojë Agim Çekun, ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

“Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka dekoruar sot edhe ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Agim Çekun, me Medaljen Presidenciale Jubilare të dhjetëvjetorit të Pavarësisë, për kontributin e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Madje, për ta zbutur krejt këtë situatë, nga Presidenca thonë se deri më tani Thaçi ka dekoruar edhe kryeministrin Haradinaj, kryeparlamentarin Veseli, kryeministrin e Shqipërisë Edi Ramën, Rita Orën dhe personalitete tjera, por duke harruar se shumë të tjerë ia refuzuan atë.

LEXO EDHE: Njoftimi i presidencës demanton deklaratën e Thaçit për dekorata

Kreu i Shtetit, mbrëmjen e së martës shkroi një status ku paraqiste qartazi inatin që shumë bashkëpunëtorë të tij ia kishin refuzuar dekoratën. Ai edhe gënjeu kur tha se të njëjtët nuk mund ta refuzojnë medaljen presidenciale, kur, sipas tij, emrat e tyre ende nuk janë shqyrtuar.

"Disa deklarata të individëve janë të pasakta. Askush nuk mund ta refuzojë dekoratën pa qenë i dekoruar. E kuptoj frustrimin e disave, por sipas kritereve të mia, nuk mund të jesh i dekoruar edhe nga shteti i Serbisë për kontributin e dhënë për Jugosllavinë dhe ai i Kosovës njëkohësisht. Do t'i zbatoj me përpikëri kriteret kushtetuese, ligjore dhe kombëtare, dhe sa për sqarim, propozimet nuk janë dekorim. Të refuzuarit nuk do të marrin përgjigje publike, sepse nuk dua t'i lëndoj. Të dekoruarit do të njoftohen zyrtarisht", ishte njëri nga fragmentet e postimit të Thaçit për dekoratat.

Njoftimi i Presidencës, i disa ditëve më parë nxori në pah deklarimin ndryshe të Hashim Thaçit për dekoratat. /Express/