Familja që kërkon bukë!

Aktuale February 21, 2018 - 08:17

Në një shtëpi prej mbi 50 metrash katrorë, e cila është ndërtuar në vitet e ’50-ta në fshatin Hajvali të komunës së Prishtinës, në kushte shumë të rënda jeton familja shtatanëtarëshe Vitia, raporton "Zëri.info". 

Por përpos varfërisë, thuajse të gjithë anëtarët e kësaj familjeje janë të prekur nga sëmundje të ndryshme.

Me lot në sy nëna 37-vjeçare kërkon t’u gjendet një zgjidhje fëmijëve, t’u sigurohet bukë atyre, pasi ushqimi është ai që më së shumti u mungon.

Mimoza Vitia, nëna e katër fëmijëve, thotë se nuk po mund ta përballojë barrën që i ka rënë mbi supe.

Ajo tregon se më së shumti vuajnë për mungesën e ushqimit. Sipas saj, nuk janë të rralla rastet kur kjo familje nuk ka pasur me çfarë të ushqehet.

“Më së shumti kam nevojë për gjëra ushqimore, për pak pare sa me pas bile me mujt me shku nëpër mjek, edhe për veshmbathje. Për këto kam nevojë, për asgjë tjetër, më shumë nuk ju lus. As s’po dua shtëpi, as asgjë, vetëm ushqim, veshmbathje dhe sadopak pare për me u mjeku. Nuk kam më nga të shkoj, ka ardhur fundi, po vdesim për bukë. Më besoni që edhe me çaj e hanë bukën fëmijët e mi. Ka ndodh që nuk kemi pas hiç me çka me e ngrënë bukën edhe e kemi ngrënë thatë. Por tash ka ardhë fundi, nuk po kemi nga t’ia mbajmë, nuk po kemi as bukë”, rrëfen me lot në sy Mimoza.

Ajo thotë se tash e dy vjet nuk marrin as asistencë sociale, pasi që në momentin kur vajza e vogël ka mbushur pesë vjet institucionet përgjegjëse i kanë thënë se nuk u takon kjo asistencë.

Mimoza thotë se edhe orenditë shtëpiake i kanë marrë nëpër plehra apo edhe kushdo që u ka ndihmuar.

Katër anëtarë të sëmurë

Sikur të mos mjaftonte vetëm varfëria për këtë familje. Mimoza thotë se katër nga shtatë anëtarë të kësaj familjeje janë të sëmurë, duke përfshirë edhe vetë atë.

37-vjeçarja vuan nga hipertensioni, po ashtu ka probleme me zemër. Edhe bashkëshorti i saj e dy kunetërit janë të sëmurë. Bashkëshorti vuan nga hipertensioni, si dhe ka fituar trauma në momentin kur ka shkelur në një minë e që për shkak të kësaj gjendjeje ai ka tri javë që është shtrirë në Spitalin e Psikiatrisë, raporton "Zëri.info". 

Por edhe të dy kunetërit e saj janë të sëmurë, madje njëri prej tyre është i palëvizshëm që nga viti 1985.

Mimoza tregon se shpeshherë nuk kanë para as për terapinë që u nevojitet asaj, bashkëshortit e dy kunetërve. Në këtë mënyrë ata detyrohen t’i durojnë dhimbjet me shpresë që do ta kenë mbështetjen e Zotit.

“Burri ka mbetur me trauma prej momentit kur ka shkelur në minë dhe nga frika e kap stresi, i ndalet fryma, po edhe prej tensionit të lartë dhe është në spital qe tri javë. Të dy kunetërit janë të sëmurë, i vogli është i palëvizshëm e ky i madhi është i sëmurë. Ky nuk mundet me punua asgjë se prejse ka pas aksident nuk është në gjendje me punua se i tërë trupi i dridhet e nuk ka as forcë, as fuqi për me punua”, tregon ajo.

37-vjeçarja nga Hajvalia thotë se derisa nuk është sëmurë ka punuar aq sa ka mundur duke pastruar nëpër shtëpi, por tani që është e sëmurë nuk është në gjendje të punojë.

Nuk kanë para as për medikamente

Kunati i Mimozës, Bardhyli, i cili është 54-vjeçar, edhe ai është i papunë dhe nuk është në gjendje të punojë, kjo për faktin se në vitin 1992 ai ka pësuar aksident dhe që nga ajo kohë ai nuk ka qenë i aftë për të punuar.

“Me të vërtetë jemi në gjendje të rëndë. Edhe unë vetë, por edhe vëllezërit e kunata janë të sëmurë. Unë vetë jam i sëmurë nga spondiloza, nga lëndimet trupore që i kam marrë si pasojë në një aksident para shumë viteve. Unë nuk jam në gjendje të punoj, pasi nuk mundem të bart rëndë e të punoj punë të rënda, nuk mund të qëndroj në temperatura të ulëta se trupi nuk i duron ato temperatura, kam marramendje. Që nga viti 1992 kur e kam pasur atë aksident unë më ditë të mira nuk kam pasur në jetën time”, thotë Bardhyli, duke shtuar se as Sindikata e Arsimit nuk i ka dalë në ndihmë, pavarësisht se ai ka punuar disa vite në arsim.

Bardhyli thotë se shpeshherë u ndodh që të mbesin pa terapinë të cilin e përdorin. “Terapia ime është diku rreth 18 euro. E kur s’kemi pare që me i sigurua për barna nuk kemi çka me bo, duhet me i durua dhimbjet derisa të gjejmë diku ndonjë bamirës që të na ndihmojë”, tregon ai.

Duan vetëm të sigurojnë ushqim

Nëna 37-vjeçare mezi përmbahet. Shpresa e saj e vetme është te njerëzit e vullnetit të mirë, të cilët do të mundë t’u siguronin ushqim tre fëmijëve të saj, Albionit, Ornelës e Orgesës.

“I kisha lutur të gjithë ata që kanë mundësi të na sigurojnë ushqime, veshmbathje e të na ndihmojnë të mjekohemi e unë të bëhem e zonja e fëmijëve të mi. Vetëm dua bukë të më sigurojnë, asgjë më shumë”, lutet ajo me lot në sy.

Kërkesë të njëjtë ka edhe kunati i saj, Bardhyli. “Gjendjen po e shihni e nuk kam as çka fsheh e as çka shtoj. Sa kam mundur të punoj kam punuar edhe vetë, por tash nuk po mundem se sëmundja po më rëndon edhe më shumë. Kërkesa ime është që për hatër të këtyre fëmijëve të na sigurojnë të paktën ushqim e veshmbathje”, thotë ai.

Kushtet e vështira detyrojnë fëmijët ta ndërpresin shkollimin

Mimoza Vitia thotë se djali i saj Albioni, i cili është 17-vjeçar, për shkak të kushteve të rënda është detyruar që ta lërë shkollimin.

Ajo thotë se pavarësisht dëshirës për të punuar i biri i saj, që ta sigurojë kafshatën e familjes, atë nuk po e marrin në punë për shkak të moshës së vogël dhe mospjekurisë së tij për punë.

“Djali i ka 17 vjet edhe vetëm deri në vitin e tretë të shkollës së mesme e kemi çuar në shkollë me pas jo se nuk kemi pasur mundësi, nuk kemi pasur kushte dhe e ka lënë shkollimin. Djali vetëm 17 vjet, nuk po e merr askush në punë se akoma i papjekur e i paaftë për punë”, thotë Mimoza.

Edhe pse vetëm 7-vjeçare, Orgesa Vitia që nga kjo moshë ka ëndrrën e saj. Ajo vijon mësimin në klasën e dytë në shkollën “Shkëndija”, në Hajvali dhe me krenari thotë se është nxënëse e shkëlqyer dhe që të gjitha notat i ka pesa.

Por pavarësisht kësaj, 7-vjeçarja ka nevojë për fletore, lapsa, veshmbathje e gjëra të tjera.

Madje Orgesa thotë se në të ardhmen dëshiron të bëhet mësuese. “Kam qejf të bëhem mësuese. Kam nevojë për gjithçka. Lapsa, fletore, për mbathje e për të ngrënë”, thotë Orgesa e vogël.

Të gjithë ju që dëshironi ta ndihmoni familjen Vitia mund të kontaktoni me zonjën Mimoza në numrin 044 816 625 Ndërsa ju që dëshironi që ti ndihmoni me veshmbathje dhe këpuca, ky është numri i këpucëve që mbajnë anëtarët e familjes Vitia. (30, 38, 41 dhe 42). /Zëri/

Image 
Image 
Image  
Image 
Image 
Image 
Image 
Image 
Image 
Image
Image