Arifi: Synojmë marrëveshje përfundimtare me Serbinë

Aktuale February 21, 2018 - 07:54

Shefi i ekipit teknik të Kosovës në bisedimet me Serbinë, Avni Arifi, ka raportuar dje para anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, me ç’rast ka thënë se në takimin e radhës me palën serbe do të diskutohet për implementimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani, shkruan sot Gazeta Zëri.

Sipas tij, po synohet përmbyllja e dialogut dhe arritja e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë.

“Ne shkuam herën e fundit në takim, por ndodhi incidenti, vrasja e Ivanoviqit dhe takimi nuk u mbajt. E rëndësishme është t’ju informoj se më 26 shkurt 2018 është takimi i radhës. Në këtë takim do të bisedohet për implementimin e marrëveshjeve të realizuara. Synojmë përmbylljen e dialogut dhe arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare”, ka thënë ai.

LEXO EDHE: Festa pa miq

Arifi ka thënë se në Bruksel nuk do të bisedohet për marrëveshje të reja, por vetëm për ato ekzistuese.

Njëra ndër temat për diskutim me Serbinë është edhe Asociacioni i Komunave Serbe.

Sipas Arifit, për Asociacion do të bëhet një draft i ri.

“Nuk po shkojmë në Bruksel për të biseduar për një marrëveshje të re, por për ato ekzistuese. Sa i përket Asociacionit, varësisht nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të bëhet drafti i ri. Kjo Qeveri nuk pranon asgjë që shkel Kushtetutën. Çdo marrëveshje që është arritur duhet të implementohet. Nëse Asociacioni është në përputhje me Kushtetutën bëhet implementimi, nëse jo draftimi”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe njëherësh deputete nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani, ka thënë se pret që Qeveria ta ketë një platformë në lidhje me dialogun.

“Pas një pauze besoj që takimin në Bruksel do ta keni më 26 shkurt, megjithatë ne synojmë të takohemi me ju para çdo takimi në Bruksel dhe pas çdo takimi.  Presim që Qeveria ta ketë një platformë për dialogun”, tha ajo.

Zafir Berisha, anëtar i Komisionit nga radhët e Nismës për Kosovën, ka thënë se komplet bisedimet dhe të gjitha marrëveshjet janë antikushtetuese.

“Keni hyrë në ujëra të turbullta, bisedimet nuk janë teknike, janë politike. Komplet bisedimet dhe marrëveshjet janë antikushtetuese. Bisedimet me Serbinë kanë qenë për çështje të brendshme të Kosovës. Pse me Serbinë duhet të bisedojmë për urën”, ka thënë ai.